“Pragmatizmi” dhe “ndërkombëtarizimi”: Dy rrjedha në përplasje në Luginën e Preshevës

Opinione

“Pragmatizmi” dhe “ndërkombëtarizimi”: Dy rrjedha në përplasje në Luginën e Preshevës

Nga: Nehat Hyseni Më: 4 shkurt 2026 Në ora: 15:04
Nehat Hyseni

1. Nga relativizimi i diskriminimit te adaptimi politik

Debati aktual në Luginën e Preshevës nuk është thjesht rivalitet elektoral. Ai është përplasje mes dy koncepteve të ekzistencës politike shqiptare. Nga njëra anë qëndron narrativa që e relativizon diskriminimin strukturor dhe e zhvendos theksin te “mungesa e bashkëpunimit” me Beogradin; nga ana tjetër qëndron qasja që e artikulon diskriminimin si problem institucional dhe e çon atë në instanca ndërkombëtare.

Narrativa e parë – e përfaqësuar nga diskursi i kryetarit aktual të komunës së Bujanocit dhe mbështetësve të tij dhe sponzorizuesit medial Nexhat Behlulit – insiston se çështja e shqiptarëve zgjidhet “në Beograd, jo në Washington”. Kjo tezë përpiqet të paraqitet si "realizëm" politik. 

Por në thelb ajo përmban një premisë të rrezikshme: se qendra shtetërore, e cila ka prodhuar politikat diskriminuese, është njëkohësisht edhe instanca e vetme e zgjidhjes. Kjo është logjikë e mbyllur, e cila e redukton politikën shqiptare në administrim lokal dhe në kërkim miratimi nga pushteti qendror.

Ky pozicion shkon paralelisht me relativizimin e Planit 7-pikësh, me heshtjen ndaj pasivizimit të adresave dhe me mungesën e presionit për përfaqësim proporcional. Bashkëpunimi me qeverinë serbe paraqitet si sukses në vetvete, pavarësisht mungesës së rezultateve të matshme. Në këtë mënyrë, politika shndërrohet nga instrument presioni demokratik në mekanizëm përshtatjeje.

2. Ndërkombëtarizimi si instrument    legjitim i barazisë

Në krahun tjetër qëndron strategjia e ndërkombëtarizimit të çështjes së Luginës, e artikuluar fuqishëm nga Shaip Kamberi dhe PVD. Njoftimi i Kamberit për nisjen drejt SHBA-së “në një moment vendimtar për shqiptarët e Luginës” nuk është deklaratë simbolike. Ai vjen pas sponsorizimit të H.R. 6411 – “Presheva Valley Discrimination Assessment Act” nga kongresisti amerikan Keith Self – një akt që e vendos çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në një kornizë institucionale amerikane.

Kjo është pikë kthese. Kur diskriminimi trajtohet si çështje e të drejtave të njeriut dhe e demokracisë në Kongresin Amerikan, ai nuk mbetet më debat lokal. Ai hyn në gjuhën e përgjegjësisë ndërkombëtare. Angazhimet e drejtpërdrejta me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe me anëtarë të Kongresit nënkuptojnë se çështja e Luginës po formësohet si temë politike në raportet SHBA–Serbi.

Kritikët e kësaj qasjeje përpiqen ta paraqesin si “provokim” ose si shmangie nga “realpolitika”. Por realpolitika e vërtetë nënkupton përdorimin e të gjitha mekanizmave legjitimë për të arritur barazi. Serbia aspiron integrim evropian dhe mban marrëdhënie strategjike me SHBA-në. Në këtë kontekst, presioni diplomatik dhe sensibilizimi ndërkombëtar nuk janë armiqësi – janë instrumente politike të një pakice që kërkon barazi.

3. Debati Beograd–Washington: kufizim apo zgjerim i hapësirës politike

Teza se “çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës zgjidhet në Beograd - jo në Washington dhe Bruksel" është, në thelb, tezë kufizuese. Ajo e ngushton hapësirën politike shqiptare në një korridor vertikal varësie. Ndërkohë, qasja e ndërkombëtarizimit e zgjeron hapësirën në një plan horizontal shumëpalësh: Beograd - Bruksel - Washington, ose anasjelltas: Washington - Bruksel - Beograd.

Historia e të drejtave të pakicave në Evropën Juglindore tregon se asnjë çështje nuk është zgjidhur vetëm brenda kornizës së vullnetit të Qeverisë serbe. Presioni ndërkombëtar ka qenë katalizator i ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore. Ta mohosh këtë dimension do të thotë ta kufizosh vetëdijen politike shqiptare në horizontin e administrimit lokal.

Angazhimi i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, i organizatës “Albanians for America”, i komunitetit shqiptar në Teksas, i Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe i Qeverisë së Kosovës dëshmon se ndërkombëtarizimi nuk është akt individual, por realisht është mobilizim i një rrjeti institucional dhe diasporik. Kjo e bën çështjen e Luginës pjesë të një agjende më të gjerë shqiptare dhe euro-atlantike.

4. Dy modele të legjitimitetit politik

Në thelb, përplasja aktuale përfaqëson dy modele legjitimiteti.

Modeli i parë e kërkon legjitimitetin nga qendra shtetërore e Serbisë përmes afrimit dhe harmonizimit diskursiv. Ai e sheh kritikën publike dhe ndërkombëtarizimin si rrezik për marrëdhëniet me Beogradin.

Modeli i dytë e kërkon legjitimitetin nga qytetarët shqiptarë dhe nga standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ai e sheh presionin diplomatik ndërkombtar si domosdoshmëri për ndryshim strukturor.

Në këtë përplasje, çështja nuk është vetëm retorike, por substanciale: a do të vazhdojë politika shqiptare të operojë brenda kornizës së tolerancës së qendrës - Serbisë, apo do të afirmojë veten si subjekt politik me të drejtë për ta çuar çështjen e vet në çdo forum demokratik kombëtar dhe ndërkombëtar?

Nëse diskriminimi sistematik është fakt i dokumentueshëm, atëherë ndërkombëtarizimi është jo vetëm i justifikuar, por i domosdoshëm. Nëse barazia reale nuk arrihet përmes dialogut bilateral, atëherë zgjerimi i frontit diplomatik është akt i domosdoshëm dhe racional.

Historia politike e Luginës po hyn në një fazë të re. Njëra rrymë, e kryesuar nga Arbër Pajaziti (i APN-së së Shqiprim Arifit) -kryetar aktual i Komunës së Bujanocit, që kërkon stabilitet përmes "pragmatizmit" dhe bashkëpunimit me qeverinë e Beogradit dhe Ministrin për pakicat Demo Berisha.

Kurse, tjetra: PVD, PDSH, PD, etj. që përbën shumicën absolute të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë,  kërkon zgjidhje përmes "artikulimit dhe presionit ndërkombëtar" për ndaljen e diskriminimit dhe shkeljes së të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Koha dhe rezultatet konkrete do të dëshmojnë se cili model do të prodhojë barazi të matshme, zhdukje të diskriminimit dhe zhvillim real për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Preshevë, më 4 shkurt 2026

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat