Shoqëria që ndëshkon talentin dhe shpërben mediokritetin: kronikë e një vetësabotimi kombëtar

Opinione

Shoqëria që ndëshkon talentin dhe shpërben mediokritetin: kronikë e një vetësabotimi kombëtar

Nga: Adnan Qaka Më: 18 shkurt 2026 Në ora: 17:02
Adnan Qaka

“Mendjet e mëdha gjithmonë kanë hasur në kundërshtime të dhunshme nga mendjet mediokre…” – Albert Einstein

Kjo thënie nuk është vetëm reflektim filozofik; është diagnozë e saktë e një realiteti që në hapësirën shqiptare, veçanërisht në Kosovë, ka marrë përmasa strukturore. Problemi nuk qëndron vetëm te politika, as vetëm te institucionet e kapura. Problemi është më i thellë dhe më i dhimbshëm: është kulturor. Është një mentalitet kolektiv që jo vetëm toleron mediokritetin, por e mbron atë, ndërsa talentin e lirë e sheh si kërcënim.

Është e lehtë të fajësohet “sistemi”. Por sistemi nuk është entitet abstrakt; ai është produkt i ndërgjegjes dhe zgjedhjeve të popullit. Kur një shoqëri voton mbi baza emocionale, krahinore apo partiake dhe jo mbi bazë kompetence; kur hesht përballë padrejtësisë për të ruajtur rehati personale; kur servilizmin e quan “zgjuarsi” dhe integritetin “budallallëk”, atëherë ajo bëhet bashkëautore e degradimit të vet. Në këtë pikë, përgjegjësia më e madhe nuk bie mbi elitën – por mbi kulturën që e prodhon dhe e legjitimon atë elitë.

Në shoqërinë shqiptare ekziston një formë e ashpër zilie e trashëguar, e cila funksionon si mekanizëm disiplinues kundër atyre që dalin mbi mesataren. Individi me talent, me dije, me moral të qëndrueshëm dhe me pavarësi mendore nuk shihet si aset kombëtar, por si rrezik. Sidomos nëse ai nuk i përket asnjë blloku politik, ideologjik apo fetar. Neutraliteti etik interpretohet si arrogancë; pavarësia si kërcënim; sinqeriteti si naivitet. Dhe kështu, ai që refuzon të bëhet pjesë e lojërave klienteliste mbetet i izoluar, i margjinalizuar dhe pa perspektivë.

Duhet thënë qartë: si popull, shqiptarët shpesh janë të ashpër ndaj talenteve të tyre. Ata që përpiqen të arrijnë me hallall, me dije dhe me profesionalizëm, rrallë marrin mbështetje. Përkundrazi, përballen me dyshim, sabotim dhe përqeshje. Kur dështojnë në një sistem të padrejtë, në vend që të pranohet se struktura i ka penguar, thuhet me cinizëm: “S’bëri asgjë”, “Nuk ja doli”, “S’kishte vlerë”. Kështu, shoqëria shmang fajin kolektiv dhe ruan iluzionin e drejtësisë së rreme.

Ndërkohë, antivlera ngrihet në piedestal. Paraja – pa dallim burimi – bëhet kriter respekti. Pozita bëhet më e rëndësishme se kompetenca. Lidhjet e errëta vlejnë më shumë se integriteti. Në këtë përmbysje morale, ai që nuk posedon pasuri apo pushtet, pavarësisht moralit dhe dijes, konsiderohet i pavlerë. Madje edhe brenda familjes dhe rrethit shoqëror, respekti shpesh matet me status dhe jo me karakter. Kjo është forma më e rrezikshme e dekadencës: kur antivlera konsiderohet vlerë dhe vlera trajtohet si dobësi.

Historikisht, shqiptarët kanë poshtëruar, sabotuar dhe dobësuar shumë nga idealistët dhe mendjet e ndritura të tyre. Në vend që t’i mbështesin ata që mund të kontribuonin realisht në interesin kombëtar, shpesh i kanë lënë në mjerim moral e profesional. Pastaj, me kalimin e kohës, i kanë heroizuar pas vdekjes – si kompensim për dështimin kolektiv për t’i mbrojtur kur ishte koha. Ky cikël vetësabotimi vazhdon: talenti ose largohet, ose hesht, ose thyhet.

Në Kosovë, sidomos, individët që nuk koketojnë me parti, organizata destruktive, manipulime apo interesa të errëta, shpesh mbesin pa hapësirë. Ata nuk janë të dobishëm për rrjetet klienteliste, prandaj bëhen të padukshëm. Në një ambient ku konformizmi shpërblehet dhe autonomia mendore ndëshkohet, ekselenca bëhet e papranueshme sepse e ekspozon mediokritetin përreth.

Autokritika nuk është tradhti; është kusht për mbijetesë. Nëse vazhdojmë ta shohim veten vetëm si viktimë të historisë dhe jo si bashkëpërgjegjës për realitetin aktual, stagnimi do të vazhdojë. Problemi themelor nuk është mungesa e talenteve, por refuzimi për t’i pranuar dhe për t’i ngritur ata pa kërkuar prej tyre nënshtrim ideologjik apo partiak.

Një popull që urren talentin e lirë, në thelb urren mundësinë e vet për përparim. Një shoqëri që ndëshkon integritetin dhe shpërblen mediokritetin, nuk është viktimë e fatit – është autore e krizës së saj. Dhe derisa të kemi guximin ta pranojmë këtë, çdo aspiratë për zhvillim do të mbetet vetëm retorikë, ndërsa ekselenca do të vazhdojë të trajtohet si faj, jo si vlerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat