Vjosa, Albini dhe të tjerët në diskursin e sotëm politik!

Opinione

Vjosa, Albini dhe të tjerët në diskursin e sotëm politik!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 11 maj 2026 Në ora: 14:30
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Ka një diskutim të gjerë e të pandalshëm rreth asaj se çfarë ka ndodhur midis Vjosa Osmanit si presidente e Republikës së Kosovës dhe Albin Kurtit si kryeministër. Palët ndahen në dy fronte të betejës sipas parimit ose pro, ose kundër. Dhe për ta përligj të vërtetën e tij, secili përpiqet të gjejë diçka të besueshme në argumentin e tij. Por një gjë nuk e evitojnë dot kundërshtarët e Albin Kurtit dhe përkrahësit e Vjosa Osmanit. Kundrejt kryeministrit përdoren “argumente” hipotetikë. Po t’i dëgjojmë kritikët e tij, shohim se shumica e narrativës ndërtohet me hipoteza, hamendësime, projeksione dhe jo me fakte, prova dhe dëshmi. Psh u tha se “Alibini do ta shkelë kushtetutën” dhe bazuar në këtë hipotezë iu bë thirrje publikut të dilte në protestë. Dikush (Batoni) edhe për ta eleminuar.

Kur Albini kritikohet përdoret retorika psh për mungesë rezultatesh në ekonomi. Dikush thoshte se “Ata që ishin të korruptuar para tij, ata së paku punonin”, duke dhënë sinjalin amoral të përligjjes së korrupsionit si akt moral i pranueshëm. Ndërkohë që korrupsioni rrënon ekonominë e një vendi dhe pasuron politikanët dhe administratorët e shtetit. Kësisoj kundërshtitë ndaj Albin Kurtit po ndërtohen mbi bazën e projeksioneve të kritikëve të tij në opozitë, duke shkuar te përfundimi se “Albini është autokrat”! Sepse në Kosovë ende nuk e dinë dhe nuk kanë parë se çfarë është autokracia. Po të na pyesnin ne në Shqipëri, do ju thoshim se autokracia t’a vjedh vullnetin e lirë, duke filluar prej votës e deri te barazia në tendera. Autokracia ta shkul iniciativën e lirë, sepse i shpërndan të mirat materiale në mënyrë diskriminuese. Autokracia krijon shtetin policor, si dhe t’i vjedh taksat e tua e nuk të lejon të flasësh për këtë. Autokracia kontrollon të gjitha pushtetet e sidomos medien. Kjo ndodh në Shqipëri e askush nuk po jep fakte se ndodh edhe në Kosovë. Media në Kosovë është në shumicë dërmuese kundër Kurtit! Megjithatë, Kurtit i thuhet “je autokrat”! Pse? Sepse nuk lëshon pe. Të jesh i vendosur në parimet e tua, nuk do të thotë se je autokrat! Ndërsa disa që nuk gjejnë ndonjë argument kundër Kurtit, kanë në majë të gjuhës konstatimin se “Ai është marksist”! E thoshte bukur një koleg yni: “Nuk më intereson se çfarë filozofie beson Albin Kurti, më intereson që ai ta mbrojë shtetin, territorin dhe lirinë e Kosovës”! (Adriatik Dosti).

Ndërkaq kritikët e Vjosa Osmanit deri sot kanë dhënë vetëm fakte e prova kundër saj. Kolegët e mij profesorë, qysh para katër vitesh më thoshin se “Vjosa është e tmerrshme, ka një ego dhe ambicie të pakontrolluar”! U thosha se gjithçka që besoj dua ta shoh me sytë e mij. Nuk doja të ndodhte që të ishte e vërtetë ajo që më thoshin. Por ajo u bë vetë dëshmia e asaj që thonin kolegët e mij, se ambicia dhe egoja e saj janë pa limite. Për këtë arsye kaloi në aventura politike. Deri te takimi me Grenell, Gjuriq dhe të tjera figura, ku thuhet se është folur për të komplotuar kundër kryeministrit të Kosovës. Logjikisht publiku e pranon këtë variabël, sepse Gjuriq dhe Grennell flasin pa u ndalur kundër Albin Kurtit dhe ata kanë qenë e janë të interesuar për eleminimin e tij. Vjosa shkoi në këtë takim ku intrigat dhe kurthet janë të dukshme, edhe pse ishte dëshmitare e kurthit të Grennell e të tjerëve për rrëzimin e qeverisë Kurti 1!

Në diskursin e saj, ish-presidentja vazhdon të fajësojë Kurtin se “Po e prish Kosovën me miqtë e saj”! E bëri këtë edhe ditën e djeshme. Por me cilët miq? Me miqtë e preferuar të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit?! Me ata që u investuan për ndarjen e Kosovës?! Çfarë do të thotë kjo? Mos ndoshta zonja Osmani ka kaluar në narracionin Rama-Vuçiq-Thaçi për të rifilluar zbatimin e projekteve të tilla?! Thjesht po pyes. Nëse ende nuk ka shkuar deri në këtë pikë, nuk ka asnjë garanci se nesër nuk do të përfundojë në këtë skalion. Ambicia dhe egoja pa kufi të pengojnë të shohësh rrugën nëpër të cilën ti ecën e të cilën e përshkon. Sepse nuk ke aftësinë të shohësh mbrapa, të zbulosh gabimet dhe të reflektosh! Prandaj Vjosa ngutet. Dhe ngutja është vesi që ia jep goditjen më të madhe. A është edhe Albini egoist? Nuk ka njeri në këtë botë pa ego. Por nëse e kontrollon atë, atëherë nuk gabon. Së paku në publik, Albin Kurti e kontrollon egon e tij.

Ligjërata më e shpeshtë e këtij diskursi lidhet gjithashtu me “propagandën që bën Albin Kurti”! Një këshilltar i Vjosës thoshte se janë krijuar 40 mijë portale dhe e quante këtë një lloj propagande dezinformuese e luftës hibride të tipit rus në komunikim. Por nëse shohim rrjetet sociale, ato japin të dhëna dhe fakte konkrete në adresë të kundërshtarëve të Kurtit, përfshirë dhe Vjosa Osmanin. Gjë që nuk ndodh në narrativat kundër Kurtit. Pse nuk ndodh? Sepse Albini është koherent në qëndrimet e tij, ndërkaq Vjosa, Lumiri, Ramushi dhe Bedriu nuk i qëndrojnë të njëjtave pikëpamjeve dhe parimeve në vazhdimësi. Kjo dëshmon se Kurti ka një profil të vetin, është original edhe kur gabon. Ndërsa kundërshtarët e tij flasin me kakruk në gojë, veprojnë sipas konjukturave dhe sipas porosive që marrin, ligjërojnë me terma të përgjithshëm dhe madje modifikojnë edhe video, në të cilat shihet psh Albin Kurti duke biseduar me Koshtunicën para 26 vitesh! Ndërkohë që kundërshtarët e kryeministrit Kurti shpifin e përdorin AI për të falsifikuar “prova”, pikërisht këta “besojnë” se “portalet e Albinit” janë të llojit rus të luftës hibride!

Përmenda vetëm disa çeshtje që lidhen me diferencat në diskursin e sotëm pro dhe kundër Kurtit ose pro dhe kundës Osmanit. E vërteta është në anën e Kurtit! As Vjosa, as Lumiri, as të tjerët në opozitë nuk do t’i ndihmojë shpifja dhe propaganda që ndërtojnë kundër mazhorancës, Përkundrazi! Ato do ta dëmtojnë palën kundër Albin Kurtit! Vetëm se Kurtit i duhet të ruajë qetësinë. Ndryshe do të bëhet tabelë qitjeje prej akuzave të opozitarëve të tij!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat