O Berat Buzhala !
Edhe njeriu i lig ka të drejtë të ëndërrojë ëndrra të liga. Edhe budallai ka të drejtë të ëndërrojë ëndrra budallaqe – madje edhe të shkruajë statuse me njëqind fjalë dhe dyqind gabime drejtshkrimore.
Ti i plotëson të gjitha kushtet për të garuar në disiplinën e përsëritjes së poshtërsisë, budallallëkut dhe analfabetizmit në konkursin me titull: “Ngelcani i shekullit”.
Berat, ti sillesh si astrolog politik i katundeve të harruara të Leshdeles, vende që duket se i ka fshirë nga kujtesa edhe vetë Zoti. Prandaj e lexon fatin e zgjedhjeve në fundin e një makiatoje dhe në baltën e turbullt të komenteve të Facebook-ut.
Sipas teje, zgjedhjet e dhjetorit qenkan “të manipuluara”, “të fabrikuara” dhe “të organizuara me dinakëri”.
Me pak fjalë: krejt Kosova qenka shndërruar sipas teje në një laborator masonësh ndërkombëtarë, ku diaspora voton prej frigoriferëve në Stuttgart, ndërsa Albin Kurti i numëron votat me kalkulatorin e Enver Hoxhës.
Ti je ndoshta i vetmi analist politik në Ballkan që, sa herë humb partia e zemrës së tij, fajin nuk ia lë programit apo kandidatëve, por…popullit dhe gjeografisë.
Sipas teje, problemi është që shqiptarët jashtë Kosovës po votojkan tepër. Pra sipas teje demokracia funksionon vetëm derisa votuesit të mos votojnë kundër dëshirës sate.
Dhe pastaj fillon himni yt epik për Vjosën. Deri dje e trajtoje si antivirus kundër Albin Kurtit, ndërsa sot e ke shndërruar në Bankë të fuqishme politike për LDK-në.
“LDK-ja duhet të rreshtohet pas saj”, thua ti – sikur të bëhej fjalë për një dasmë tallava katundi ku nusja hyn me daulle dhe partia ecën pas saj duke hedhur para në ajër.
Kulmi i kësaj tragjikomedie vjen kur ti flet për Fatmir Limajn. Aty nuk bën më analizë politike, por reklamë sentimentale të tipit:
“Kthejeni Fatmirin – edhe nëse largohet nesër, le ta shijojë të paktën sonte mandatin.”
Pra logjika jote është kjo:
— Fatmiri e di që ikën.
— PDK-ja e di që ikën.
— Ti e di që ikën.
— Por prapë duhet futur në listë.
Kjo është njësoj si ta emërosh rojtar të pulave njeriun që e ke kapur tri herë duke dalë nga koteci me pupla të pulave në gojë dhe ta arsyetosh se i ka vjedhur nga vesi i keq.
Madje kthimin e Fatmirit e përshkruan si rikthimin e Jezu Krishtit elektoral:
“Ai i sjell PDK-së vota neto.”
Çfarë janë këto “vota neto”, askush nuk e di përveç teje. Tingëllojnë si ato reklamat televizive të detergjentëve që ua pastrojnë hindusve të Indisë njëkohësisht qilimin, karmën dhe shpirtin.
Dhe në fund e kurorëzon budallallëkun tënd me fjalinë dramatike:
“Ishalla PDK-ja nuk ka mbetur në gjendje që vetëm Fatmiri ta shpëtojë.”
Kjo tingëllon si dëshpërimi i një familjeje që nuk ka më as kulm, as dritare, as bukë, por me padurim pret që të kthehet daja Gim nga Gjermania, me një Passat të vitit 2001 dhe me dy kartona Marlboro në bagazh.
Në të vërtetë, problemi yt më i madh nuk është analiza. Problemi yt është se ti e trajton politikën si telenovelë turke, ku çdo javë rikthehet ndonjë personazh që politikisht ka “vdekur” në episodin e kaluar.
Dhe ti, me seriozitetin e një fallxhori provincial, përpiqesh t’i shesësh thashethemet e katundit si shkencë moderne politike – edhe pse ato nuk dallojnë aspak nga muhabetet e grave të Muçivërrcit.
Kur do të çlirohesh më në fund nga roli yt si një shushunjë politike që ushqehet me helmin e propagandës serbe dhe ua thith gjakun shqiptarëve, ndërsa në të njëjtën kohë pozicionohesh si analist, patriot dhe si njëfarë autoriteti moral?
Kur do të pushosh – bashkë me shushunjat si Baton Haxhiu dhe e gjithë kasta e mjerimit intelektual – së rënduari mbi shpinën e shqiptarëve, duke e shndërruar përçmimin ndaj vetë popullit tënd në profesion dhe çdo narrativë anti-shqiptare në karrierë?
Sepse ti nuk sillesh si kritik i shoqërisë, por si një korb i lodhur i Ballkanit që ushqehet me përçarjen, dëshpërimin dhe poshtërimin e popullit të cilit i takon.
Dhe më tragjikja është kjo:
Sa më shumë shqiptarët përpiqen të dalin nga errësira e së kaluarës dhe të ecin përpara, aq më shumë i ngjan ti atyre hijeve të zymta që dalin nga bodrumet ideologjike të historisë, vetëm për t’ua kujtuar të gjithëve se ferri i propagandës serbo-ruse ende i ka rojet e veta besnike në të gjitha trevat shqiptare.