Marrëdhënia me Amerikën është shumë më e madhe se interesat ditore të politikanëve kosovarë…!

Opinione

Marrëdhënia me Amerikën është shumë më e madhe se interesat ditore të politikanëve kosovarë…!

Nga: Agim Vuniqi Më: 13 maj 2026 Në ora: 20:47
Agim Vuniqi

Vjosa Osmani, ish presidente zgjedhur nga VV,  tash e si kandidate e nominuar për deputete në listën e LDK-së nuk do të duhej të fliste si komentuese e rrjeteve sociale, sepse fjala e saj prodhon pasoja politike, diplomatike dhe institucionale

Nëse debati politik fillon të ndërtohet mbi insinuata, dramatizime dhe etiketime morale pa prova të plota, atëherë diskursi publik rrëshqet nga demokracia racionale drejt propagandës emocionale. Dhe kjo është veçanërisht e rrezikshme kur vjen nga figura që mbajnë përgjegjësi të larta shtetërore.

Një presidente nuk flet si komentues i rrjeteve sociale. Fjala e saj prodhon pasoja politike, diplomatike dhe institucionale. Pikërisht për këtë arsye, çdo deklaratë që prek raportet me Shtetet e Bashkuara duhet të ndërtohet mbi fakte të verifikueshme, jo mbi interpretime politike që mund të krijojnë perceptim të rremë në publik.

Kjo është arsyeja pse shumë qytetarë e panë me shqetësim mënyrën se si u ngrit narrativa për Bondsteel-in. Sepse u krijua përshtypja sikur një debat juridik mbi pronën private dhe kompensimin po paraqitej si tendencë anti-amerikane. Një shtrembërim i tillë i debatit nuk e ndihmon as Kosovën, as partneritetin me SHBA-të. Përkundrazi, ai e ul nivelin e kulturës politike dhe e zëvendëson argumentin me emocione patriotike.

Në këtë aspekt, problemi nuk është vetëm politik; është edhe etik. Kur politika fillon të mbështetet mbi gjysmë-të-vërteta, mbi dramatizime apo mbi hiperbolizim të qëllimshëm të deklaratave të kundërshtarit, krijohet një atmosferë ku perceptimi tenton ta zëvendësojë realitetin. Dhe ky është momenti kur gënjeshtra fillon të konkurrojë me të vërtetën si mjet legjitim politik.

A është kjo politikë e ulët? Shumëkush do të thoshte po, sepse në vend që të prodhojë qartësi, ajo prodhon polarizim. Në vend që të qetësojë opinionin publik, ajo e tensionon atë. Dhe kur kjo bëhet nga njerëz që deri dje kanë qenë në të njëjtin koalicion politik, paradoksi bëhet edhe më i madh.

Sepse Vjosa Osmani nuk erdhi në pushtet si kundërshtare e Albin Kurtit. Ajo ishte pjesë e të njëjtit projekt politik që premtonte etikë të re publike, transparencë dhe kulturë tjetër komunikimi. Pikërisht për këtë arsye, sulmet indirekte dhe dramatizimet publike ndaj ish-aleatëve krijojnë përshtypjen e një lufte për kapital politik personal, më shumë sesa një debati serioz shtetëror.

Edhe më problematike bëhet kur raporti me SHBA-të përdoret si instrument i kësaj përplasjeje të brendshme. Marrëdhënia me Amerikën është shumë më e madhe se interesat ditore të politikanëve kosovarë. Ajo nuk duhet të instrumentalizohet për të fituar avantazh moral ndaj kundërshtarit të brendshëm. Sepse çdo tentim për ta monopolizuar “patriotizmin pro-amerikan” përfundon duke e banalizuar vetë partneritetin strategjik.

Në fund, pyetja që mbetet është e thjeshtë: a i shërben Kosovës kjo lloj politike dramatike dhe emocionale? Apo vetëm po e shndërron debatin publik në arenë spektakli, ku perceptimi, insinuata dhe frika përdoren për të mbuluar mungesën e ideve reale?

Një republikë serioze nuk mund të mbahet gjatë mbi teatrin politik. Ajo mbahet mbi përgjegjësinë e fjalës, respektin për faktin dhe maturinë institucionale — sidomos kur flet presidentja e shtetit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat