Faleminderit

Opinione

Faleminderit

Nga: Kimete Berisha Më: 13 maj 2026 Në ora: 21:25
Kimete Berisha

Faleminderit

(Për një orë lumturie.)

Edhe mua,

Gjimnazi i Mitrovicës më kujtoi sot,

në jubileun e vet…

...

Ka pasur nxënës më të mirë se unë.

Shumë më të mirë.

Besoj.

Por nganjëherë, gjatë rrugës, ndodh diçka:

e kërkojmë lumturinë jashtë vetes, te të tjerët,

dhe pastaj e kuptojmë se kemi humbur edhe veten, edhe të tjerët.

Dhe ëndrra e pambaruar fillon të të ndjekë si një shpirt që bën gjyq brenda teje.

Dhe:

i ankohet shpirti mendjes:

“Pse s’më bëre të lumtur?”

Në vitin e parë të gjimnazit e kam lexuar “Kështu fliste Zaratustra”.

Nuk e kishim lëndë mësimore.

Ma dha një shok klase.

Sot

nuk e di nëse ai shok është harruar,

apo ka zgjedhur të harrohet.

Gjithmonë

jam ndjerë sikur duhej të isha diku tjetër.

Dhe

sikur askund nuk përkas.

Profesoresha e letërsisë i kombinonte ngjyrat e fustaneve me stilolapsat dhe fliste aq bukur për Naimin,

sa të bënte ta pëlqeje pa e lexuar.

Dashuria për shkrimtarët patriotë

ishte obligative

atëherë.

Dija nganjëherë është e fshehur,

si Zoti.

Prandaj këtë mirënjohje e ndaj me shokët dhe shoqet e klasës.

Bashkë me të gjitha fjalët më të bukura që më janë thënë, e jap:

për një orë lumturie.

Na kanë mësuar gjithçka,

përveç si të gëzohemi edhe kur gëzimi vjen me vonesë.

Na kanë mësuar gjithçka,

përveç si të mos e lëmë askënd mbrapa.

Të duhemi më shumë, kur kemi arsye më pak.

Të vuajmë tinëz.

Ta fshehim gëzimin nga i pikëlluari.

T’i jetojmë ditët e këqija bashkë.

Të gënjejmë sa herë na pyesin:

“A të zë gjumi?”

Ishim gjenerata

që prisnim

të kthehej motra a vëllai nga shkolla

për ta veshur xhaketën

me rend.

Mund të mungoje nga mësimi

derisa t’i blije

këpucët.

Por nuk vuanim.

Jo vetëm sepse ishim të rinj dhe bota ishte e jona,

por sepse vuajtjen e kishim rezervuar vetëm për liri.

Ç’dashuri.

Ç’marrëzi.

Përveç familjes, gjimnazi na mësonte atdhedashurinë.

Na bënte ushtarë letrarë.

Na trajnonte me vjersha për atdheun

dhe me dashuri për lirinë.

Kurrë.

Nuk dëgjoje dikë të fliste për

problemet e veta,

përveç për lirinë.

Edhe atëherë përpiqeshim të dukeshim bukur.

Dikush me fustan me lule.

Dikush me pantallona të ngushta.

Dikush me kitarë në oborrin e gjimnazit:

“Në bankat shkollore, më ike.”

Gjimnazi rrethohej me djem që kërkonin dashuri.

Djemtë gjithmonë e kanë kërkuar dashurinë - prandaj edhe e kanë gjetur.

Vajzat, si sot, kanë pritur të zgjidhen.

Qëllimi im i parë ka qenë t’i thyej tabutë:

që të mos dukem si burrë për t’u respektuar,

por edhe të dukem vajzë -

dhe të mos më shohin vetëm si vajzë.

Nëse ndonjë vajzë pyet si kam arritur…

kam vetëm një përgjigje:

duke lexuar.

Shumë.

Në mënyrë të pasistemuar.

Një autor që bie në kundërthënie me tjetrin.

Një idealist dhe një materialist në të njëjtën kohë.

Gjithçka.

Edhe për shkencë, edhe për fe, edhe për interpretimin e ëndrrave.

Nga kureshtja.

Për qejf.

Jo për detyrë shtëpie.

Leximi të armatos.

Ta heq inferioritetin.

Të bën të ndihesh kompetente.

Por gjithmonë me rrezikun që të bëhesh pak arrogante.

Pak e vetmuar.

Pak me ndjesinë se,

meqë ke lexuar më shumë,

ke edhe më shumë të drejtë.

..

EPILOG:

E di,mund të isha më e mirë.

Më e butë.

Edhe me veten.

P.S.

Nuk isha prezente…

ndoshta sepse gjithmonë kam ditur të iki pak edhe nga vetja.

...

AUTOKRITIKË:

Askund s’shkruan se ke ikur prej orës së mësimit.

Të lumtë.

...

(Fotografia është nga ceremonia.)

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat