Pensioni presidencial apo ulësja e deputetit — kur privilegji përplaset me moralin politik

Opinione

Pensioni presidencial apo ulësja e deputetit — kur privilegji përplaset me moralin politik

Agim Vuniqi Nga Agim Vuniqi Më 16 maj 2026 Në ora: 16:01
Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku

Kosova është bërë vendi i paradokseve juridike dhe luksit politik. Në një shtet ku pensionisti i zakonshëm mezi mbijeton me një pension simbolik, ndërsa mjeku, polici dhe profesori luftojnë me inflacionin dhe ikjen masive të rinisë, elita politike vazhdon të prodhojë privilegje për vetveten sikur shteti të ishte pronë private dhe jo republikë e qytetarëve.

Debati i fundit rreth mundësisë që një ish-presidente të vazhdojë të përfitojë pensionin presidencial dhe njëkohësisht të marrë pagë aktive si deputete, nuk është vetëm çështje ligjore. Është para së gjithash çështje morali publik dhe kulture shtetërore.

Ligji mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Juristët mund të gjejnë zbrazëti, nene tranzitore, definicione të paqarta dhe formula procedurale. Por problemi nuk qëndron te teknika juridike. Problemi qëndron te pyetja themelore:

A është ndërtuar shteti për t’i mbajtur politikanët në privilegj të përhershëm, apo për t’i shërbyer qytetarit?

Në demokracitë serioze, posti presidencial konsiderohet shërbim ndaj shtetit, jo licencë për rentë të përjetshme politike. Statusi i ish-presidentit respektohet institucionalisht, por ai nuk shndërrohet automatikisht në mekanizëm për përfitime të pafundme nga buxheti publik, sidomos kur i njëjti person rikthehet aktivisht në politikë dhe fiton mandat tjetër shtetëror.

Këtu lind absurdi kosovar: si është e mundur që një politikan të paraqitet si “ish” për të marrë privilegje, dhe njëkohësisht si “aktiv” për të marrë pushtet e pagë të re?

Në thelb, kjo krijon një kastë politike të paprekshme, e cila lëviz nga një post në tjetrin pa e humbur asnjë privilegj. President, deputet, këshilltar, ambasador, anëtar bordi — gjithçka financohet nga qytetari i zakonshëm që çdo muaj paguan taksa për një shtet që gjithnjë e më shumë duket si aparat mirëmbajtjeje i elitës politike.

Kjo nuk është frymë republikane. Është mentalitet oborri.

Edhe po të mos ekzistonte ndalesë eksplicite ligjore, ekziston një parim shumë më i lartë: etika e funksionit publik. Një ish-presidente që rikthehet në garë politike do të duhej vetë të hiqte dorë nga privilegji paralel, jo të priste interpretimin e gjykatave apo akrobacitë juridike të administratës, sepse shteti nuk mbahet vetëm me ligje. Mbahet me shembull.

Nëse elita politike vazhdon ta trajtojë shtetin si bankomat institucional, atëherë qytetari gradualisht humb besimin se republika funksionon mbi barazinë. Dhe kur humbet besimi, atëherë fillon zbrazja më e rrezikshme e shtetit — jo vetëm ekonomike, por morale.

Kosova nuk ka nevojë për politikanë që mbledhin poste si dekorata personale. Ka nevojë për standarde të reja të përgjegjësisë publike, sepse republika nuk është pension privat i pushtetit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat