Institucionet e Bashkimit Evropian roli dhe funksionet e tyre

Opinione

Institucionet e Bashkimit Evropian roli dhe funksionet e tyre

Nga: Ejup Berisha Më: 10 gusht 2026 Në ora: 10:18
Ejup Berisha

Këshilli i Bashkimit Evropian Presidenca rrotulluese gjashtëmujore e çdo shteti anëtar. Këshilli i Bashkimit Evropian është institucion qendror i Bashkimit Evropian. I njëjti i përfaqëson kryesisht interesat e qeverive të shteteve anëtare. Karakteristika e tij dalluese është se shtetet anëtare marrin pjesë drejtpërdrejt në vendimet evropiane përmes ministrave të tyre. Për shembull, kur Bashkimi Evropian diskuton për bujqësinë, janë ministrat e bujqësisë të shteteve anëtare që takohen. Për punët e jashtme, janë ministrat e jashtëm.

Këshilli i ka disa funksione të rëndësishme

I miraton ligjet evropiane, i përfaqëson shtetet anëtare, i koordinon politikat kombëtare, luan rol të rëndësishëm në politikën e jashtme dhe të sigurisë, merr pjesë në miratimin e buxhetit evropian. Së bashku me Parlamentin Evropian, vendos për buxhetin vjetor të Bashkimit, merr pjesë në marrëdhëniet ndërkombëtare të BE-së dhe Këshilli mund të autorizojë negocimin dhe përfundimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare midis Bashkimit Evropian dhe vendeve ose organizatave ndërkombëtare.

Cili është pozicioni i Këshillit në Bashkimin Evropian?

Këshilli është në zemër të sistemit institucional evropian sepse i formon lidhjet midis qeverive kombëtare dhe institucioneve evropiane. Komisioni Evropian në përgjithësi propozon legjislacion të ri, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së e shqyrtojnë dhe e miratojnë atë, ndërsa Komisioni është më pas përgjegjës për zbatimin e tij dhe për vëzhgimin e zbatimit të ligjeve të BE-së.

Presidenca Rrotulluese e Këshillit të Bashkimit Evropian

Nga 1 korriku e deri më 31 dhjetor të vitit 2026 Irlanda është kryesuese e presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian. Roli i saj kryesor është të kryesojë mbledhjet e Këshillit, të avancojë axhendat legjislative dhe, mbi të gjitha, të kërkojë kompromise midis shteteve anëtare.

Cilat janë prioritetet kryesore të Presidencës Irlandeze

Forcimi i konkurrueshmërisë së Evropës, forcimi i tregut të vetëm evropian, thjeshtimi i rregullave të BE-së, inovacioni, inteligjenca dixhitale dhe artificiale, tranzicioni i gjelbër dhe industria, rezistenca ekonomike dhe zinxhirët e furnizimit, vende të reja pune, aftësi afarizmi dhe ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

Cili është roli i presidencës momentale rrotulluese

Irlanda fillon një cikël të ri pune, së bashku me Lituaninë dhe Greqinë - Kredite: Parlamenti Evropian. Pas Qipros, e cila mbajti presidencën nga janari deri më qershor të vitit 2026, Irlanda tani mban presidencën rrotulluese të institucionit 2026. Së bashku me Parlamentin Evropian, Këshilli i BE-së është veçanërisht përgjegjës për ndryshimin dhe miratimin e ligjeve të propozuara nga Komisioni Evropian. Për këtë qëllim, Këshilli i BE-së i tubon ministrat e shteteve anëtare sipas fushave të politikave në 10 formacione politike (Mjedisi, Bujqësia dhe Peshkimi, Çështjet Ekonomike dhe Financiare, etj.). Presidenca me rotacion synon gjithashtu të inkurajojë përfshirjen e të gjitha vendeve të BE-së në çështjet evropiane, duke e forcuar kështu ndjenjën e përkatësisë në BE përmes ngjarjeve të mbajtura në terren. Edhe pse roli i vendit që e mban presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian është kryesisht ndërmjetësues, me qëllim arritjen e konsensusit midis shteteve anëtare, presidenca me rotacion i jep gjithashtu vendit kryesues mundësinë për të vendosur disa nga prioritetet e saja politike për Bashkimin Evropian në axhendën e Këshillit.

Orari i Presidencës

Këshilli kryesohet me rotacion nga secili shtet anëtar në kohëzgjatje prej gjashtë muajve (janar deri në qershor dhe korrik deri në dhjetor), sipas një rendi të paracaktuar. Rendi i rotacionit u përcaktua gjatë zgjerimeve të fundit të Bashkimit Evropian dhe në kohën e Brexit-it, me qëllim që të merreshin parasysh shtetet e reja anëtare dhe largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja. Kroacia është vendi i fundit që iu bashkua Bashkimit Evropian në vitin 2013, ajo e mbajti presidencën e Këshillit për herë të parë nga janari deri në muajin qershor të vitit 2020.

Kalendari, i vendosur i kryesimit deri në vitin 2030, është organizuar për vitet në vijim:

Irlanda: Korrik - Dhjetor 2026, Lituania: Janar - Qershor 2027, Greqia: Korrik - Dhjetor 2027, Italia: Janar - Qershor 2028, Letonia: Korrik - Dhjetor 2028, Luksemburgu: Janar - Qershor 2029, Holanda: Korrik - Dhjetor 2029, Sllovakia: Janar - Qershor 2030 dhe Malta: Korrik - Dhjetor 2030.

Trembëdhjetë vjet më vonë, dhe për herë të tetë në historinë e saj, Irlanda po e mbanë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Treshja e Presidencës

Meqenëse afati gjashtëmujor është relativisht i shkurtër për përfundimin e projekteve politike evropiane, vendet janë të organizuara në treshe presidenciale. Të shpërndara gjatë 18 muajve, ato u lejojnë atyre të krijojnë një sërë prioritetesh dhe një orar të përbashkët pune. Pas treshes Poloni-Danimarkë-Qipro, Irlanda do të përurojë një cikël të ri pune në korrik 2026, së bashku me Lituaninë dhe Greqinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat