Gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë shprehur se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president të Republikës së Kosovës. Abdulla Hoti, Arben Gashi, Hykmete Bajrami dhe tre të tjerë janë kundër zgjedhjes së zotit Sejdiu si kryetar i shtetit. Këtë lajm e njoftoi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të kësaj partie. Dmth, nga 18 deputetë të LDK-së, 12 do ta votojnë presidentin e kandiduar dhe gjashtë nuk do ta votojnë. Nëse llogarisim 63 vota të mazhorancës plus 12 vota të LDK-së, numri i deputetëve pro zotit Sejdiu president shkon në 75. Duhen dhe pesë vota të tjera.
Kush e ndjen veten patriot dhe atdhetar, kush i thotë vetes shqiptar dhe kush brengoset për Kosovën duhet ta deklarojë publikisht votën e tij për zgjedhjen e presidentit. Ata që për inat të Albin Kurtit nuk duan ta votojnë presidentin kanë shumë arsye të ndërrojnë mendje, sepse Bekim Sejdiu nuk është kandidat i Albin Kurtit e madje duket se ai është imponuar për ta pranuar. Sepse me shumë gjasë kandidati për president është propozim i ish-presidentes, Vjosa Osmani. Qoftë dhe vetëm ky fakt do të mjaftonte që Kurti të mos jetë i lumtur për kandidaturën e miratuar midis të dy partive politike. Prandaj deputetët e çdo partie që e duan Kosovën e nuk e duan Albin Kurtin duhet ta votojnë presidentin e Republikës një orë e më parë. Ndërkohë në 24 orët e fundit megafonët kundër Kurtit kanë thënë se “Sejdiu nuk do të zgjidhet president, sepse marrëveshja është kurth i zotit Kurti”! Për ta zbuluar këtë nëse është konstatim i saktë ose jo, votojeni ju të opozitës Bekim Sejdiun dhe shihni se çfarë pozicioni do të mbajë mazhoranca dhe vetë zoti Kurti.
Ata gjashtë deputetë të LDK-së që kanë shpallur votën kundër, ose mosvotimin e zotit Sejdiu, problemin e kanë kryesisht me veten e tyre. Të paaftë dhe të pashpresë për të ndryshuar ekulibrat brenda partisë në favorin e tyre, duan të bllokojnë formimin e institucioneve të Kosovës dhe ta nxjerrin shtetin në ankand. Ndër ta me siguri duhet të ketë prej atyre që marrin urdhëra në Beograd. Sepse të gjashtë këta kanë aq dije sa të jenë në gjendje të bëjnë pyetjen se kujt i shërben bllokimi i zgjedhjes së presidentit të Republikës. Përveçse Serbisë dhe miqve të saj në Tiranë, Prishtinë, e kudo në botë, askush tjetër nuk ka interes që Kosova të shkojë sërishmi në zgjedhje të reja. Nuk besoj se edhe këta gjashtë deputetët në fjalë kanë ndonjë interes të caktuar ta lenë Kosovën pa president e pa institucione.
Nëse vërtet këta gjashtë deputetët e LDK-së nuk do të jenë së paku në sallën e parlamentit në raundin e fundit të votimit, atëherë do të kuptohet plotësisht qëllimi anti-shtet, anti-Kosovë i tyre. Kësisoj ata do të marrin përsipër të gjithë përgjegjësinë e mos krijimit të institucioneve të Kosovës. Është peshë shumë e rëndë të marrësh këtë përgjegjësi në një situate kaq të ndërlikuar dhe të vështirë për Kosovën. Fatkeqësisht ose fatmirësisht qytetarët e Kosovës prej këtij momenti do ta kenë të qartë se kush është fajtori i vetëm për krizën e stërzgjatur institucionale në Kosovë. Sa kohë që e gjithë opozita ishte e dakorduar kundër çdo konsensusi me mazhorancën për zgjedhjen e kreut të shtetit, qytetarët kanë mundur që një pjesë të përgjegjësisë t’ia japin LVV e koalicionit të saj.
Por në rastin konkret këta gjashtë deputetë jo vetëm e zhveshin plotësisht Albin Kurtin nga përgjegjësia, ata gjithashtu lehtësojnë shumë edhe pozicionin e dy partive të tjera opozitare, përkatësisht Partisë Demokratike dhe AAK-së. E gjithë fajësia do të kalojë te gjashtë persona, përfaqësues të sovranit, të cilët kanë një përvojë politike mjaft të gjatë, përfshi dhe Kujtim Shalën. Ndërkohë ajo që bie në sy në vendimmarrjen e këtyre deputetëve ka të bëjë me lokacionin nga vijnë. Thuajse të gjithë vijnë nga Rrafshi i Dukagjinit dhe rrethinave të tij. A do të thotë ky fakt diçka për politikën në Kosovë? Besoj se po. Do të thotë se politika në Kosovë funksionon si politikë fisesh. Nëse „kreu i fisit të Dukagjinit“ thotë se nuk e votoj presidentin, atëherë të gjithë ata që kanë të drejtë vote thonë të njëjtën gjë. Kush është në këtë rast kreu i fisit që ka marrë vendimin në fjalë? Mundet të jetë Gazmend Muhaxherri, ose dhe ndonjë tjetër. Psh Ramush Haradinaj. Por gjithësesi, vendimmarrja e të gjashtë deputetëve në fjalë nuk është e pakoordinuar.
Në këtë kuptim vendimi për të mos votuar Bekim Sejdiun si president të Republikës së Kosovës është një vendim shumë i nxituar, shumë i gabuar dhe që do të mbahet mend në historinë e Kosovës edhe si vendim kundër interesave të vendit.