Kosova edhe sot nuk mundi ta konstituojë kryesinë e Kuvendit. Partitë politike nuk duan të dakordohen as për kaq gjë, për emrat e nënkryetarëve. Egoja e tyre është ngjit në majë dhe për këtë shkak Kosova ka marrë tashmë teposhtën. Askush nuk do që t’ia dijë për shtetin, për institucionet e tij dhe për shtetësinë. Ajo që po ndodh ka shumë shkaqe, ndërsa pasojat janë katastrofike. Shkaku i parë dhe kryesor lidhet me faktin se është krijuar ideja se “Lirinë dhe pavarësinë e Kosovës na e kanë dhuruar, na e kanë falur të tjerët, përkatësisht NATO dhe Amerika”! Dhe veprohet sipas logjikës një gjë “e falur” e ka çmimin shumë të lirë.
Sa kohë ambasada amerikane u soll në Kosovë si “tutore” e politikës, vendimet u morën falë “dhunës” së saj e ndonjëherë zarfit që dha ajo. Tani, që pas ardhjes së Trump, Amerika ka ndryshuar qasjen diplomatike ndaj vendeve të tjera, përfshirë edhe Kosovën, nuk ka më “protektorat amerikan”! Ka mbetur vetëm pjesa serbe e këtij protektorati, që kryesohet nga ambasadori Richard Grennell. Meqenëse politikanët e Kosovës kanë harruar se për lirinë dhe shtetësinë e vendit janë flijuar së paku 120 mijë shqiptarë gjatë një shekulli, janë dëbuar mbi një milion të tjerë dhe janë shkatërruar shtëpi, banesa dhe objekte pune po ashtu me qindra mijë, janë përdhunuar edhe dhjetra mijë gra e vajza të tjerë, ata e kanë shumë të lehtë të bien dakord për të mos u marrë vesh me njëri-tjetrin.
Me këtë narrativë politika nuk mundi të merret vesh për emrin e presidentit konsensual. Opozita e Grennellit (dmth e Vuçiq, sepse të gjithë e dinë se ai paguhet nga Beogradi) nuk pranoi konsensus as për Bekim Sejdiun, një kandidat për president ky krejt i pandotur me politikën e ditës. “Jo, thanë nuk duam ta votojmë, sepse është president i Albin Kurtit”, kur në fakt e propozoi Lidhja Demokratike e Kosovës. Këtu mori fund edhe përpjekja për marrëveshje. Kosovës ia jep të drejtën kushtetuta të ketë president, por opizita nuk do që ajo ta ketë kreun e shtetit. Le të më thotë dikush se opozita do që Kosova ta ketë presidentin e saj e po ashtu edhe Beogradi po, dashka ta ketë atë?! E pamundur, sepse ai që flet në emër të popullit serb në parlament, pra Simiçi, jeton me paranojën se “Ku ka varre serbe, aty jeton populli serb”!
Pas kësaj filluan etiketimet. Ideologu i opozitës së Kosovës, i përzgjedhur në këtë rol nga shërbimet sekrete, politike e diplomatike të Serbisë dhe të Rusisë, deklaron as më pak, as më shumë: “nuk ka pushtues që mund t’i ketë bërë Kosovës më shumë dëm sesa ky kryeministër”, Albin Kurti! Miku i ngushtë i vetëshpallur i Richard Grennell, pra Berat Buzhala, shkruan se “Një ditë do ta kuptojmë se as Fatmir Sheholli nuk i ka shërbyer ma shumë Serbisë sesa Albin Kurti”! Batoni dhe Berati janë vu kështu në garë se kush prej tyne mundet me i ra ma shumë në sy Aleksandër Vuçiq-it, Edi Ramës dhe ambasadorit Grennell. Të tre këta i lexojnë deklaratat e këtyre dy ideologëve pro-serbë të Kosovës me shumë ëndje!
Albin Kurti, i bindur se për fushatën kundër tij sponsorizojnë PDK dhe AAK, si edhe bizneset pranë tyre, luajti një rreng. Shfrytëzoi edhe ai “të drejtën” e votës së pavarur të deputetëve. Votoi kundër kandidatëve të të gjitha grupeve parlamentare, veç atij të VV për nënkryetarë të parlamentit. Ai dëshiron t’u thotë opozitarëve, se demokracia është edhe votë, edhe kompromis. Ai bëri kompromisin për presidentin, ju duhet t’i qëndroni këtij kompromisi. Nëse ju nuk bëni kompromis dhe nuk e njihni këtë si vlerë të demokracisë, atëherë, thotë Kurti, “As unë nuk jam Nënë Tereza, t’jua jap ju çfarë ju kërkoni”! Keni vendosur ta konsideroni votën si demokraci, atëherë pranojeni këtë “dhuratë” që po ua bën Vetëvendosja. Ju nuk keni vota për presidentin, ne nuk kemi vota për nënkryetarët e propozuar nga ju!
Demokracia e votave është një realitet që duhet përfillur. Por kur nuk mjaftojnë votat, atëherë duhet përfillur kompromisi. Nrdyshe shteti nuk funksionon. Opozita proteston pse Kurti nuk voton psh Vlora Çitakun, apo Kujtim Shalën si nënkryetar parlamenti. Po është e drejta e saj ta bëjë këtë, derisa e ju të parët e bëtë Kosovën demokraci të votës së sovranit. A është e mirë kjo monedhë që përdor mazhoranca?! Nëse kjo do të ndodhte në kushtet e dakordësimit për zgjedhjen e presidentit, bllokimi i kandidatëve të opozitës për në kryesinë e parlamentit do të ishte çmenduri. Por derisa situata është e tillë për shkak të opozitës dhe mungesës së kompromisit të saj, pasiqë, sipas ideologëve të saj “Më i mirë është Fatmir Sheholli, sesa Albin Kurti”, atëherë reciprociteti është gjithashtu mënyrë për të mësuar se si funksionon demokracia dhe liria.
Dikush thoshte se Vlora dhe Kujtimi janë firmëtarë të Deklaratës së Pavarësisë, ndaj dhe qenka e turpshme të mos votohen nga LVV. Firmëtarët e Pavarësisë nuk e bllokojnë shtetin, mik i dashur! Ata bëjnë gjithçka për të formuar institucionet e shtetit! Më vjen keq që njerëz të ditur e të urtë shkojnë deri në amsurd për të justifikuar qëndrimet anti-Kosovë në emër të luftës politike! Por mesa duket as njerëzit e ditur nuk e kanë kuptuar ende se shtetin dhe shtetësinë Kosova e ka paguar me gjak dhe sakrifica. Askush nuk ua ka falur atë. Kur Jaques Shirak mori vendimin për të mbështetur ndërhyrjen e NATO-s kundër Serbisë në marsin e vitit 1999, u kishte thënë kundërshtarëve të tij se “Ne i dhamë kohë Serbisë një shekull që ta serbizonte Kosovën, por ajo nuk qe e zonja ta bëjë këtë. Tani është e drejta jonë t’i mbrojmë shqiptarët, sepse e meritojnë lirinë”!
Por a e jemi të bindur ne vetë për këtë?! Kam frikë se jo!