Sot nuk është koha për të qeshur, por për t'ia vënë gishtin kokës e për të pyetur: si është e mundur që në të njëjtën peshore ku gjykohen krimet e një pushtuesi, të vendosen edhe ata që luftuan për lirinë e popullit të tyre?
Sot, po të ngjalleshin Gjergj Kastrioti, George Washington-i dhe Ibrahim Rugova, do të mbeteshin pa gjak në ftyrë dhe nuk do t'u besonin syve se si po dënohen bijtë që nuk donin zgjedhën e një pushtuesi, por lirinë e atdheut të tyre. Përballë këtij paradoksi, vetëm dy lloj armiqsh mund të gëzohen: pushtuesit gjenocidalë dhe armiqtë e brendshëm.
Në këtë krizë identitare dhe institucionale, dy gjëra duhet të ndryshojnë urgjentisht:
Së pari, duhet të largohen sa më parë nga xhamitë flamujt dhe simbolet me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lufta e popullit të Kosovës nuk u zhvillua për agjenda islamike, por ekskluzivisht për atdhe, komb, liri dhe pavarësi. Vendosja e këtyre simboleve të shenjta kombëtare nëpër xhami vetëm sa e njollos dhe e tjetërson luftën e drejtë çlirimtare përpara kancelarive perëndimore; prandaj, organet e rendit dhe institucionet përkatëse duhet t'i heqin ato menjëherë për të ruajtur profilin sekular të shtetit dhe të luftës.
Së dyti, shqiptarët e Kosovës duhet të qëndrojnë të bashkuar në lutje dhe me vepra të mira për të mirën e vendit dhe për të ardhmen e brezave të rinj. Politika e padrejtësisë mbetet e pamëshirshme, sidomos ndaj popujve që gjeopolitikisht janë të vegjël dhe të pafuqishëm. Megjithatë, Kosova duhet të punojë me diell e me dritë, duke ndriçuar rrugën e palëkundur drejt destinacionit të saj të natyrshëm: integrimit dhe të ardhmes europiane të shtetit të Kosovës.
[Gjon Keka ]