U bënë 17 ditë që rinia dhe qytetarët e Kosovës dalin me mijëra çdo ditë dhe çdo natë për të protestuar kundër dënimeve të katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare në Hagë. Dy partitë e dala nga lufta, PDK dhe AAK, po përpiqen që t’i manipulojnë këta protestues, për t’i orientuar kundër qeverisë Kurti, por nëse do realizohet një akt i tillë, këto dy parti do ta vrasin vetë protestën. Sepse protesta kundër Hagës në të vërtetë është një manifestim dinjiteti, integriteti dhe vitaliteti i rinisë dhe popullit të Kosovës. Nuk është protestë kundër qeverisë, por kundër padrejtësisë në raport me Serbinë. Ndër ata dhjetëra mijë njerëz që çdo natë dalin në sheshet e Prishtinës ka fanatikë të dy partive që përmenda më lart.
Ndërkohë shumica dërmuese prej tyre nuk e kanë inatin aq me Gjykatën Speciale në Hagë, aq më pak me qeverinë Kurti, por me padrejtësinë. Padrejtësia është artikuluar tashmë. Dënimi për krime lufte i katër ish-drejtuesve me 81 vite heqje lirie shihet dhe në të vërtetë është një dënim krahasimisht shumë më i ashpër sesa dënimi i kriminelëve serbë të luftës në Kosovë për krime kundër njerëzimit dhe genocid ndaj shqiptarëve. Ndjekja penale një-etnike e ish-luftëtarëve të UÇK-së është gjithashtu padrejtësi, sepse favorizon agresorin, duke e adresuar masën ndëshkuese të viktima, Kosova. Kjo padrejtësi e Gjykatë Speciale në Hagë po merr përgjigjen e merituar në Prishtinë. Në këtë kuptim, shqiptarët e Kosovës, sidomos rinia e saj, po japin një mesazh: - Harrojeni pajtimin me Serbinë, derisa hezitoni ta dënoni e ta ndëshkoni atë për mijëra e mijëra shqiptarët e vrarë e të përdhunuar prej saj.
Pra vendimi i Gjykatës i 16 shtatorit 2026 ka dhërë efektin e duhur. I ka bashkuar shqiptarët në narrativën se jo vetëm paqja, por as pajtimi me Serbinë nuk është i mundur, sa kohë që bashkësia ndërkombëtare kujdeset për imazhin pozitiv të Beogradit dhe investohet për të nxirë imazhin e Kosovës. Ky është thelbi i revoltës qytetare në Kosovë. Kush dëshiron ta lexojë ndryshe atë zemërim të ligjshëm, do të gabohet. Dhe kjo po ndodh në kohën e duhur. Po ndodh në momentin kur disa në bashkësinë euro-atlantike përpiqen ta rikrijojnë një Jugosllavi të re me Kosovën Republikë, ose ndoshta Republikë munis. Po ndodh kur mazhoranca e parlamentit të Shqipërisë refuzon t’i klasifikojë masakrat serbe në Kosovë si genocid. Po ndodh në një kohë, kur jo pak shqiptarë, përfshirë Baton Haxhiun, bëjnë thirrje që shqiptarët “t’i harrojnë krimet e serbëve dhe të Serbisë në Kosovë”!
Protestuesit po japin mesazhe të qarta drejtësie, sepse ata janë kundër çdo kompromisi shtesë me Serbinë genocidiale. Duket gjithashtu se ata po çojnë sinjale qortimi edhe për ata që votuan krijimin e kësaj gjykate dhe nuk pranuan ta votojnë në parlament një rezolutë, me të cilën dënohet genocidi i Beogradit zyrtar dhe jo zyrtar kundër shqiptarëve në Kosovë. Protestat në Prishtinë nuk kërkojnë vetëm lirinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Kërkojnë lirinë e bllokuar të Kosovës. Kërkojnë që Bashkimi Europian ta rishqyrtojë pozicionin e tij lidhur me integrimin e vendit në këtë bashkësi. Kërkojnë gjithashtu atë që Kurti ia prezantoi presidentit Donald Trump, anëtarësimin e Kosovës në NATO. Pra ata po i thonë botës se durimi i shqiptarëve ka ardhur në fundin e tij, sa i përket makinacioneve të shtyerjes pa fund të njohjes përfundimtare të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës.
Protestat janë shuplakë për shumë palë. Për kompromisaxhinjtë e Kosovës e të Shqipërisë, që ishin dhe mbeten gjithnjë të gatshëm të bëjnë lëshime deri te territori në favor të agresorit serb. Për ata që pengojnë ose kritikojnë shtrirjen e sovranitetit të shtetit në të gjithë territorin e vendit, përfshirë veriun e vendit. Për lidershipin e Tiranës, i cili i ndërton marrëdhëniet e tij me Beogradin në kundërshtim me interesat e Kosovës. Dhe më në fund sinjali kryesor shkon për politikën serbe. Asaj i thuhet me këtë rast se investimet tuaja prej një çerek shekulli për ta thyer rezistencën e shqiptarëve në Kosovë ne i shumëzojmë me zero. I thuhet Beogradit se edhe spiunët dhe shërbëtorët tuaj nuk kanë shans të destabilizojnë dhe përçarjnë shqiptarët. E më në fund, protestat janë ulurimë për domosdoshmërinë e krijimit të një pakti kombëtar për forcimin e shtetit! Prandaj dhe revolta e qytetarëve të Kosovës e nxitur nga vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë është me funksione shumëdimensionale, të gjitha në favor të ardhmërisë dhe shtetësisë së Kosovës!