Çka po synon PDK-ja me plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale?!

Opinione

Çka po synon PDK-ja me plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale?!

Nga: Skënder Musliu Më: 3 tetor 2026 Në ora: 10:43
Fotoilustrim

Vite më parë, PDK-ja u investua në zhbërjen e Gjykatës Speciale, për çka angazhoi diplomacinë, pagoi analistë vendorë e ndërkombëtarë, diplomatë të huaj, televizione vendore dhe rajonale…, dhe kur kjo dështoi, tani PDK-ja po tenton që përmes plotësimeve dhe ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale t’i lirojë të dënuarit, H. Thaçin, K. Veselin, J. Krasniqin dhe R. Selimin. Hartuesit e këtij propozimligji, në dijeninë time, as që janë konsultuar me avokatët e të dënuarve, që mendoj se do të kishte qenë më se e domosdoshme.

Në çdo shtet demokratik parashikohen plotësime dhe ndryshime të ligjeve në fuqi, që bëhen në funksion të përmirësimit të dispozitave ekzistuese apo harmonizimit me ligjet e tjera. Mirëpo, në rastin konkret, ndërhyrjet në Ligjin për Gjykatën Speciale nga PDK-ja ndryshojnë nga kjo rregull; respektivisht, derisa kemi një proces gjyqësor në vijim, madje me një aktgjykim fajësues të shkallës së parë, të bëhen plotësime dhe ndryshime enkas për këtë proces dhe për t’ia përshtatur të dënuarve, është një precedent i paparë dhe në praktikën juridike i panjohur.

Çfarë po propozojnë ekspertët juridikë të PDK-së me këto ndryshime të Ligjit për Gjykatën Speciale?! Në vazhdim do të përmend vetëm disa, nga shumë të tjera.

Image
Skënder Musliu

Të kufizohet mandati i Gjykatës Speciale, respektivisht ky mandat t’i kalojë Kuvendit të Kosovës, e jo BE-së.

Të kufizohet juridiksioni i Gjykatës Speciale, respektivisht, ajo të hetojë dhe gjykojë vetëm për pretendimet e Dik Martit lidhur me trafikimin e organeve të qenieve njerëzore, në Shtëpinë e Verdhë të Shqipërisë. Konsideroj se ky propozim nuk qëndron, nga fakti se Raportin e Dik Martit e kishte hedhur poshtë Prokurori i Task Forcës, Clint Williamson, në raportin kur kishte konstatuar se nuk kishte gjetje për trafikimin e organeve; rrjedhimisht, Gjykata Speciale nuk ishte formuar mbi këto baza, siç manipulon opozita;

Të shkurtohet periudha e hetimit të Gjykatës Speciale, duke filluar nga 1 korriku 1999, që do ta përfshinte vetëm periudhën e pasluftës, e jo siç është e paraparë nga janari 1998 deri në fund të vitit 2000;

Të dënuarit, dënimet t’i vuajnë në Kosovë, e jo jashtë, dhe arkivat e Gjykatës Speciale të kthehen në Kosovë. Kjo është e pamundur të realizohet, sepse marrëveshja ndërkombëtare nuk e mundëson një gjë të tillë;

Të ndryshohet Ligji Penal, ku do të parashihej zvogëlimi i dënimeve;

Pas aktgjykimit të Apelit, propozohet që lënda të kalojë në kompetencat e Gjykatës Supreme të Kosovës, me seli në Prishtinë, si instancë e fundit, e jo të vendosë Gjykata Supreme në Hagë. Edhe kjo nuk mund të realizohet, sepse është në kundërshtim me marrëveshjen ndërkombëtare, e cila ka paraparë që procesi gjyqësor, që nga shkalla e parë, e Apelit, Supremes dhe Gjykatës Kushtetuese, të zhvillohet pa përjashtim në Hagë.

Presidenti i Kosovës të ketë të drejtë t’i falë të dënuarit e Hagës; edhe kjo është e pamundur, sepse marrëveshja e ka paraparë si të drejtë ekskluzive të Dhomave të Specializuara;

Pra, edhe një herë, me këto plotësime dhe ndryshime që i propozojnë juristët e PDK-së, nuk mund të realizohen, sepse me këtë projektligj nuk mund të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës, në veçanti neni 162, si dhe marrëveshja ndërkombëtare mes Kosovës dhe BE-së, që të gjitha kompetencat dhe juridiksionin e Gjykatës Speciale ia kanë deleguar Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, të cilën deputetët e PDK-së dhe LDK-së me Listën Serbe së bashku e kanë votuar. Në njëfarë dore, deputetët që votuan këtë gjykatë, e që tani dalin dhe protestojnë pa kurrfarë turpi nëpër protesta, ia kanë lidhur duart Kuvendit të Kosovës që të bëjë çfarëdo ndryshimesh.

Politikanët e PDK-së, me këto ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Gjykatën Speciale, që po i bëjnë sipas masës së të dënuarve, sikur po e pranojnë fajësinë e tyre, mbase përmes këtyre ndryshimeve tentojnë t’i lirojnë sa më shpejt. Miratimi i një ligji, i cili bëhet nën euforinë dhe presionin e protestave, që këta vetë i organizojnë, kontrollojnë dhe orkestrojnë, në veçanti kur mirëfilli dihet se ky ligj nuk mund të jetësohet, paraqet manipulim dhe dezinformim të opinionit për qëllime perfide politike dhe përgatitje për zgjedhjet e jashtëzakonshme, që vetë këta po i provokojnë, e që rezultati do t’u kthehet në bumerang.

Në mënyrë hipotetike, edhe nëse plotësimet dhe ndryshimet e këtij ligji miratohen, interpretimin e vetëm dhe definitiv të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë nuk e bën Gjykata Kushtetuese e Kosovës në Prishtinë, por Dhoma e Veçantë e Gjykatës Kushtetuese e Hagës, që është në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë. Prandaj, çdo tentativë e PDK-së është për konsum të brendshëm, e ambalazhuar me folklorizëm dhe populizëm, kundërproduktive dhe e dëmshme për vetë procesin gjyqësor. Ligji nuk mund të ndryshohet enkas gjatë procesit gjyqësor, ashtu sikurse që nuk mund të ndryshohen rregullat e lojës gjatë vetë lojës.

Nëse politikanët dhe juristët e PDK-së dëshirojnë ta ndihmojnë procesin gjyqësor dhe të dënuarit, në vend që të dalin çdo ditë nëpër protesta, të cilat nuk prodhojnë kurrfarë efekti juridik, do të duhej të merreshin me përgatitje intensive për hartimin e një strategjie të re për mbrojtjen e të dënuarve.

Ajo çka është edhe më e rrezikshme është insistimi i PDK-së që ky ligj të kalojë para 6 tetorit, kur është dita e fundit për zgjedhjen e presidentit, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje. Është skajshmërisht e papranueshme dhe inkriminuese kushtëzimi i PDK-së, se nëse projektligji kalon në Kuvend, atëherë PDK-ja do të bëhet pjesë e bisedimeve për zgjedhjen e presidentit, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje! Është e pamoralshme që partia e cila ishte promotori kryesor për formimin e Gjykatës Speciale ta kushtëzojë LVV-në, që ishte kundër kësaj gjykate. Kjo tregon se PDK-ja nuk e ka hallin e të dënuarve, por luftën për pushtet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat