Aktualiteti politik "Në emër të Republikës, në emër të shtetit, në emër të patriotizmit!"

Opinione

Aktualiteti politik "Në emër të Republikës, në emër të shtetit, në emër të patriotizmit!"

Nga: Ismail Muçiqi Më: 3 tetor 2026 Në ora: 12:44
Ismail Muçiqi

Nuk jemi të vetëdijshëm se çka po ndodh brenda nesh. Janë ngritur në këmbë grupe, parti politike, veteranë, analistë e bajraktarë, fise e kumbarë, të gjithë në emër të Republikës, të shtetit e të patriotizmit. Me shekuj, ky popull ka vuajtur, ka luftuar dhe ka derdhur gjak për të drejtat elementare të njeriut, për ta fituar lirinë dhe, më në fund, për ta fituar pavarësinë dhe shtetin. Sot, kur u arritën të gjitha këto fitore historike, jemi ngritur në këmbë duke u përçarë, duke akuzuar njëri-tjetrin, duke i denigruar dhe duke u ndarë në fise e bajraktarë për interesa personale e grupore, me një fjalë, duke e rikthyer mjerimin në këtë vend.

Nëse kemi punuar dhe luftuar për ta krijuar shtetin, për ta instaluar demokracinë përmes vullnetit të votës së lirë të këtij populli, për t’i krijuar institucionet legjitime, atëherë çka po dojn? Gjatë historisë, popullin Shqiptar e dëmtuan këto botëkuptime, me përçarje të cilat i sollën kob dhe errësirë ardhmërisë së këtij populli. Koha po tregon dhe po e zbulon të vërtetën se nuk jemi ata që pretendojmë me fjalime dhe me plot retorikë të folklorizmit. Sot, kur situata e sigurisë në botë është vënë në udhëkryq, kur tendencat për shpërthimin e Luftës së Tretë Botërore  kanë dalë në horizont, shqiptarët e Kosovës, duke krijuar kauza mbi kauza dhe duke u fshehur pas tyre për qëllime të caktuara, për t’i mbrojtur interesat personale e familjare, po e sfidojnë funksionimin e institucioneve të shtetit dhe stabilitetin politik. Këtë eufori, në emër të Republikës, në emër të shtetit dhe patriotizmit, kanë filluar ta keqpërdorin individë dhe grupe të caktuara, të cilët janë infiltruar në protestat që po organizohen me përkrahje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kështu nuk ndërtohet shteti. Në këtë mënyrë, me këto hile dhe veprime konspirative, dëmtohet Republika e Kosovës, përçahet populli dhe dëmtohet imazhi i Republikës së Kosovës. Andaj, nuk ka dyshim se klasa politike dhe deputetët e Parlamentit kanë rënë në provim para këtij momenti historik, duke e mbajtur peng dhe të bllokuar shtetin. Kjo politikë, e ndërtuar nga mendësia adoleshente, e ka irrituar skajshmërisht popullin e Kosovës. U pa dhe u vërtetua se kjo politikë e këtyre njerëzve nuk ka parime, e mos të flasim për vlera apo pjekuri për idealet e lirisë dhe pavarësisë, për të cilat e dhanë jetën shumë burra e gra dhe shumë gjenerata gjatë historisë. Nuk ka mbetur më kohë. Nëse, brenda këtij afati, ku kanë mbetur vetëm orët, nuk zgjidhet Presidenti i vendit, qytetarët e këtij vendi duhet t’i braktisin bartësit e kësaj politike qorre, e cila e ka sjellë vendin në udhëkryq. Andaj, platforma (parolla) “Në emër të Republikës, në emër të shtetit, në emër të patriotizmit” do të jetë frazë të cilës më s’do t’i besojë më askush.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat