As ligj, as president!

Opinione

As ligj, as president!

Nga: Nijazi Halili Më: 6 tetor 2026 Në ora: 08:33
Nijazi Halili

Kur institucionet bllokohen, ligji shtyhet dhe protesta kalon kufijtë e demokracisë, Kosova përballet me një krizë që nuk mund të normalizohet.

Ajo që po ndodh rreth Kuvendit të Kosovës nuk është vetëm një përplasje politike. Është një moment serioz për të reflektuar mbi funksionimin e institucioneve dhe respektimin e rregullave demokratike.

Debati për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe procesi i zgjedhjes së presidentit janë çështje që duhet të zgjidhen brenda institucioneve, përmes procedurave kushtetuese dhe votës së deputetëve, jo përmes presionit fizik në rrugë. Raportimet tregojnë se protestuesit kanë bllokuar hyrje, daljet e institucioneve dhe kanë penguar fizikisht deputetin Fahrush Rexhepi të largohej nga hapësirat e Kuvendit.

Kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve.

Mund të protestohet. Mund të kritikohet Qeveria, Kuvendi apo çdo deputet. Por asnjë kërkesë politike nuk mund të justifikojë dhunën, kërcënimin apo pengimin fizik të përfaqësuesve të zgjedhur.

Rasti i Prof. Dr. Fahrush Rexhepit merr edhe një dimension njerëzor. Ai është profesor universitar, deputet dhe vëllai i dëshmorit Njazi Rexhepi, pjesëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, i rënë në Betejën e Koshares.

Sakrifica e familjeve të dëshmorëve nuk duhet të përdoret nga askush si justifikim politik, por as të harrohet në momentet kur debati shoqëror bëhet i ashpër.

Kosova nuk mund të funksionojë pa ligj, pa institucione dhe pa respekt për Kushtetutën.

Nëse nuk mund të miratohet ligji, duhet të shpjegohet politikisht pse. Nëse nuk mund të zgjidhet presidenti, duhet të respektohen procedurat kushtetuese. Nëse ka mosmarrëveshje politike, ato duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe votës.

 Dhe nëse ka pasur tejkalim të ligjit në protestën e sotme, institucionet kompetente duhet ta hetojnë dhe të përcaktojnë përgjegjësinë sipas ligjit.

Sepse një demokraci funksionale nuk matet vetëm me të drejtën për të protestuar. Ajo matet edhe me respektimin e institucioneve, të ligjit dhe të dinjitetit të njeriut.

Pa ligj nuk ka shtet. Pa institucione nuk ka demokraci. Dhe pa përgjegjësi politike e institucionale, kriza vetëm thellohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat