Nuk pritej ky zhgënjim nga politika kosovare pas shpalljes së Pavarësisë së saj, sepse, ashtu si komunistët shqiptarë që merrnin paratë dhe armët nga Britania, por shpirtin e kishin te Moska, ashtu po veprojnë edhe sot politikanët në Shqipëri, por edhe në Kosovë, të cilët deklarohen si proamerikanë, por me zemër janë enveristë, titistë dhe të korruptuar.
Shkaku që më nxiti për ta shkruar këtë shkrim është ai që Kosova është në udhëkryq politik institucional, që vjen si pasojë e moszgjedhjes së presidentit, dhe, në lidhje me këtë, edhe një shkrim brilant të publicistes, znj. Elida Buçpapaj, me titull “Albin Kurti @ opozita duhet të bien dakord për Faton Bislimin, kandidatin për president konsensual propozuar nga kongresmeni Joe DioGuardi & ambasadori Walker”. Vlerësoj dhe gjykoj se znj. Buçpapaj, në analizën e saj, jep këshillë mjaft të vlefshme dhe të mirëargumentuar për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, pasi propozimi vjen nga dy miq të mëdhenj të Kosovës, që janë, për mendimin tim, edhe heronj të shtetit të Kosovës për atë kontribut historik të tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Shkrimi i znj. Buçpapaj shërben si leksion për politikën kosovare dhe për atë shqiptare në tërësi, ku nga ai shkrim po citoj se:
“Nuk ka ndodhur kurrë në historinë moderne të shtetit që dy nga figurat më të shquara me ndikim thelbësor në arritjet që Kosova gëzon sot,
sikur Ambasadori Walker që e ktheu rrotën e historisë në favor të viktimës
dhe Kongresmeni Joe DioGuardi që e vuri temën e Kosovës si çështje për t’u zgjidhur në kryemetropolin e demokracisë, Washington D.C.,
në favor të Kosovës e popullit të saj të nëpërkëmbur, të shtypur e konsideruar i dorës së fundit nga regjimi kriminal serb,
bashkë që të dy,
dy Zëra të Fuqishëm që vijnë nga SHBA,
të propozojnë të njëjtin emër si kandidat konsensual për president të Republikës së Kosovës.
Emrin e Faton Bislimit, i cili ka filluar bashkëpunimin me administratat amerikane, me Kongresin e SHBA-së dhe Komitetin për Punë të Jashtme që kur drejtohej nga Kongresisti i shquar, miku i paharruar i kombit shqiptar, Tom Lantos.
Këto dy figura të ndritura, DioGuardi dhe Walker, dhe dy zëra të fuqishëm direkt me ndikim në administratat e SHBA-së, bëhen garant për kandidaturën e Faton Bislimit si President i Republikës së Kosovës,
ndërsa politika e dështuar e Kosovës bën syrin qorr e veshin shurdh, duke sanksionuar falimentin e saj”.
Albin dhe politika kosovare, distancohuni nga enverizmi dhe nga Edi Rama, dhe këtë porosi timen është e mjaftueshme dhe po ua sqaroj me atë se çfarë shkruan Profesori i Nderuar, z. Eshref Ymeri:
“Si shërbëtor besnik i serbosllavizmit, Enver Hoxha nuk kishte absolutisht besim në energjitë krijuese të popullit shqiptar për rimëkëmbjen e vendit pas përfundimit të luftës. Prandaj ekzistencën e Republikës së Shqipërisë ai e shikonte të pamundur jashtë ombrellës shoviniste jugosllave. Kryeministri Rama është kreu i majtizmit në Shqipëri, majtizëm, i cili është trashëgimtar i drejtpërdrejtë i veprës tradhtare të Enver Hoxhës në marrëdhëniet me serbosllavizmin. Ishte pikërisht Enver Hoxha ai, i cili, nga hiç njeri, u peshkua me kohë e me vakt nga shërbimi sekret serb për t’u vënë në krye të Shqipërisë për interesat shoviniste të serbosllavizmit.
Në plenumin e Beratit të vitit 1944 deklaroi: “Shqipëria jo që nuk e rrit dot ekonominë e saj, por as e zhvillon dot atë sepse imperializmi do ta gëlltiste;… e vetmja zgjidhje e saj është të bashkohet në një konfederatë me Jugosllavinë…” Tre vjet më vonë dhe pikërisht më 15 dhjetor 1947, Enver Hoxha, i mbrujtur mirë tashmë me kolaboracionizmin tradhtar me shovinizmin jugosllav, në mbledhjen e Byrosë Politike del me këtë deklaratë publike, duke vazhduar poshtërimin e vendit të vet, sipas shembullit të Velimir Stojniçit tre vjet më parë: “Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë…”.
“Po çfarë po bën kryeministri Rama, si pasardhës i Enver Hoxhës në krye të qeverisë majtiste? Në marrëveshje të plotë me Vuçiçin, po kërkon ta futë vendin tonë në minishengenin neojugosllav. Dhe nuk i bën përshtypje absolutisht fakti që pikërisht Vuçiçi është ai shovinist me damkë, i cili, në bashkëpunim të ngushtë me të tillë kryeshovinistë, si Shesheli dhe Nikoliçi, në fund të viteve ’90 patën hartuar Platformën për spastrimin etnik të Kosovës përmes masakrimit të njerëzve, vrasjeve masive, shpërnguljeve me dhunë dhe shkatërrimeve tërësore të vendbanimeve të popullsisë dhe të ekonomisë së saj”.
Pra, sa shpejt e harruan politikanët e Kosovës kolonizatorin dhe gjenocidin serb, duke arritur deri aty sa që ta mbajnë Kosovën dhe demokracinë peng për interesa personale pushteti, korrupsioni dhe hajnieje.
Albin, kur nuk ke mundësi për të zgjedhur vetë presidentin, atëherë lëre kokëfortësinë dhe vepro siç të thotë aleati i madh i shqiptarëve, miqtë e sprovuar si proshqiptarë të mëdhenj.
Albin dhe opozita në Kosovë, a nuk e dini se Pavarësia e Kosovës erdhi nga SHBA-ja dhe se pa SHBA-të shqiptarët nuk mund të bëjnë vetë ndonjë gjë të madhe?!
Albin dhe opozita e Kosovës, dëgjoni SHBA-të, dhe ju, opozita kosovare sidomos, mos merrni këshilla nga kryeministri i Shqipërisë dhe as nga nostalgjia enveriste, sepse pasojat e komunizmit po i vuajnë akoma edhe sot Shqipëria dhe shqiptarët. Nga kush do të merrni mësime e këshilla, nga ata që importojnë nga Kosova në Shqipëri opinionistë, gazetarë, politikanë, ministra dhe deri edhe drejtues të SHISH-it me lidhje spiunimi e agjenturash serbe?
Shqipëria, jo vetëm sot, por pothuajse që kur shpalli Pavarësinë, prej politikanëve dhe shtetarëve të saj mbeti gjithmonë në udhëkryq dhe e fundit në rrugën e progresit, zhvillimit, mirëqenies dhe e para për keqfunksionimin e ligjit, shoqërisë dhe shtetit. Kjo për arsye se në Shqipëri ka pasur, por ende ka, mungesë të theksuar të nacionalizmit, i cili është shpirti i Kombit.
Nacionalizmi gjithmonë ka ardhur nga Kosova, sepse ajo ka mbajtur peshën kryesore në historinë moderne, ajo ka mbajtur mbi supe dhe i ka kushtuar shtrenjtë, me plot sakrifica, mund, gjak e me jetë njerëzore.
Për Çështjen kombëtare, për pavarësinë, për lirinë dhe për bashkimin kombëtar, Xhafer Deva ka një meritë të veçantë, sepse për një periudhë të shkurtër kohe solli në Shqipëri edukatën nacionaliste.
Mirëpo, nuk është aspak mirë që Kosova e pasluftës, nuk është mirë që politika kosovare mori eksperiencën politike të zullumqarëve komunistë e antinacionalistë të enveristëve në Shqipëri dhe të titistëve në Kosovë. Politika, edhe ajo në Kosovë, ka zhgënjyer shumë, sepse edhe ajo gjatë 27 viteve shtet, edhe në Kosovë politika, shteti, drejtësia dhe akademia nuk iu nënshtrua Vetingut, por edhe atje, hapur, por edhe nën rrogoz, janë akoma dhe drejtojnë politikën, drejtësinë, mediat dhe institucionet ish-atë me bindje enveristo-titiste. Fatkeqësisht, Kosova mori eksperiencën e ish-komunistëve nga Shqipëria: atë të autokracisë, injorancës, korrupsionit, hajdutërisë, tradhtisë, të përçarjes politike, të proamerikanizmit fals, të pazareve me troje dhe të klano-familjaro-partizantizmit politik.
Në Shqipëri është e vërtetë se ka shumë pak politikanë, media dhe intelektualë nacionalistë dhe Kosovëdashës, sepse kështu është gatuar njeriu i ri me botëkuptimin komunist, revolucionar, antinacionalist dhe proletar. Mirëpo, Kosova, mjerisht, këta dhe këshillat e këtyre i dëgjon dhe prandaj edhe Kosova i ka punët kështu si Shqipëria. Ju, politika në Kosovë, vetëm yrnek politik nga Shqipëria nuk duhet të kishit marrë, kishit se nga ku të mësonit si bëhet dhe si funksionon demokracia, kishit SHBA-të me të cilat duhet të konsultoheni besnikërisht me ta, dhe jo të deklaroheni si proamerikanë dhe të veproni krejt ndryshe dhe me hipokrizi e djallëzi. Jo të deklaroheni si proamerikanë dhe të vidhni, të korruptoni, të bëni pazare e të falni troje, dhe jo ta mbani Kosovën në krizë institucionale e të hyni në librin Gines për stërzgjatjen maratonë dhe monotonë për zgjedhjen e Presidentit.
Politika në Kosovë, nëse ia don të mirën popullit, dëgjoni edhe këshillat e Kosovëdashësve dhe intelektualëve meritorë e patriotë nga Shqipëria. Nuk më rezulton që politika e derimësotme në Kosovë të ketë respektuar nga Shqipëria ndonjë trashëgimtar të elitës nacionaliste nga Shqipëria, dhe as nga ata nacionalistë nga Shqipëria që kanë bërë burg politik pse kanë kundërshtuar komunizmin sllavo-shqiptar, që kanë kundërshtuar bashkim-vëllazërimin jugosllavo-shqiptar. Dhe nuk e di a ka dekoruar Kosova ndonjë të djathtë nga Shqipëria që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës, ndërsa ish-kryeministri Thaçi ua sillte në Shqipëri socialistëve dekoratat për “kontributin” e asnjëlloj kontributi që ata kanë dhënë për Kosovën.