Flakë, tym, dhunë, gazlotsjellës, një anarki e shkaktuar mbrëmë në Prishtinë, si rrallë herë më parë. Partia Demokratike e Kosovës dhe AAK me Daut Haradinajn në krye janë përfshirë në dhunë të çuditshme kundër qeverisë së Albin Kurtit dhe kundër institucioneve të Kosovës. Shndërrimi i protestave në mjet për të goditur shtetin është tradhtia më e madhe që po i bëhet Kosovës. Ata që thonë se e bënë luftën, më pas e grabitën vendin dhe tani po e djegin dhe shkatërrojnë shtetin. Kjo fatkeqësi nuk po i vjen Kosovës nga aktorë e faktorë të panjohur. Tri janë duart që janë zgjatur dhe po veprojnë për ta destabilizuar atë:
E para është dora e Serbisë, e Aleksandër Vuçiq dhe Milan Radoiçiq. Në dhunën që mbrëmjen e së hënës përjetoi kryeqyteti nuk ishte prezent Radoiçiq. Por ishin duart e tij të zgjatura. Aty ishte Dauti, njëri prej bashkëpuntorëve të kapos së Banjskës. Ishin më pas edhe të tjerë, të cilët kanë bërë biznes me kryekriminelin serb të Veriut të Kosovës. Dhunën kundër shtetit dhe institucioneve të tij e nxitën prej kohësh spiunët e Serbisë në Kosovë, miqtë e ish-presidentit, Vuçiq, ata që ishin të gatshëm t’ia falnin Serbisë edhe një pjesë të territorit, edhe masakrat dhe aktet e dhunës genocidiale kundër shqiptarëve. Të gjithë këta në mediet e Kosovës provokojnë dhunë, madje bëjnë thirrje për dhunë, “në çdo formë, me çdo mjet dhe me gjithçka për ta larguar Albin Kurtin nga pushteti”! Ky është skalioni i parë i dorës së zgjatur serbe që vepron kundër Kosovës.
Pa neutralizuar këtë kategori destruktive të shoqërisë kosovare, nuk stabilizohet vendi. Pa i dërguar ata t’i bëjnë shoqëri Fatmir Shehollit, nuk ka qetësi në këtë vend. Shqiptarët e lidhur me Serbinë, serbët dhe shërbimin sekret të Beogradit janë dorë e zgjatur destruktive e destabilizuese. Kjo dorë tinëzare dhe e pabesë duhet këputur. Ligji është instrumenti kryesor që duhet të veprojë. Edhe në përqafim të ëmbël me Aleksandër Vuçiq, edhe përfitues i privilegjeve të të qenit politikan, gazetar, analist, banalist apo qytetar i Kosovës, të dyja këto nuk shkojnë bashkë.
E dyta dorë e zgjatur, e cila destabilizon Kosovën është skalioni tjetër, i cili ka frikë nga ligji për konsfiskimin e pronave të grabitura të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kjo kategori njerëzish veproi me ngut të madh, filloi ta dhunojë Kosovën, sapo u miratua ligji në Kuvend për konfiskimin e pasurive të vjedhura e të grabitura. Këta janë më të angazhuarit e më të motivuarit për t’ia vënë flakën Kosovës. Këta vrasin edhe vëllezërit e tyre për ta shpëtuar pasurinë e grbitur. Këta janë të pashpirt me shtetin, me vendin dhe me vetë lirinë e shqiptarëve. Ata lirinë e shohin si vepër kundër ligjit dhe të së drejtës, për drejtësi dhe barazi. Prandaj këta nuk ndalen. As nuk do të ndalen, sepse ndryshe do të duhet t’ua kthejnë shqiptarëve pasurinë që ata kanë grabitur e vjedhur në emër të pushtetit që kanë ushtruar.
Dhe dora e tretë e zgjatur në ngjarjet në Kosovë është ajo e Edi Ramës. Kryeministri i Shqipërisë ka nevojë uluritëse të shkaktojë trazira në Kosovë, me qëllim që vëmendja e ndërkombëtarëve dhe e opinionit shqiptar të adresohet në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës. Destabilizimi i Kosovës është opsion i mrekullueshëm për Edi Ramën, që të largohet vëmendja nga skandalet e tij e të qeverisë së tij. Dhe për ta destabilizuar Kosovën ai është jo vetëm i motivuar, por edhe i përgatitur mirë. Veteranët e luftës, krerët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të tjerë politikanë të shpërndarë në parti të tjera e duan Edi Ramën, sepse ai ua ka marrë mendjen dhe ua ka blerë shpirtin me djallëzitë e tij. Ata nuk e kuptojnë faktin se kryeministri shqiptar thjesht i përdor ata për llogaritë e tij personale, siç kishte përdorur dikur Hashimin dhe shokët e tij.
Ndërkaq të tri këto duar veprojnë përmes injorantëve dhe njerëzve të paditur në Kosovë, të cilët vërtet besojnë se “Albin Kurti është shkaktari i Hagës”! Në fakt është e kundërta. Katër ish-komandantët e luftës janë në Hagë për shkak të pabesive që ua ka bërë Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama në dekadën e fundit dhe Fatos Klosi dhe krerët e Partisë Socialiste në fund të dekadës së fundit të shekullit të kaluar! Duhen këputur të tri keto duar, që Kosova të mbijetojë! A do të jetë i aftë Albin Kurti ta kryejë edhe misionin e shpëtimit tonë kombëtar në Kosovë? Të shohim! Por edhe të shpresojmë!