Që nga 16 shtatori, pas aktgjykimit ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Kosova po kalon një nga ato situata kur një komb sprovohet jo vetëm nga ajo që i ndodh, por edhe nga mënyra se si zgjedh të reagojë ndaj problemit. Në këtë zhurmë politike, emocionale dhe mediatike, shoh një zhvillim pozitiv që meriton të mos kalojë pa u vënë re: Kosova po përpiqet t’i zgjidhë problemet e veta brenda shtëpisë së vet, pra të pastroj vet mbeturinat në oborrin e shtëpisë së vet. Sa arritje e madhe!
Pra, politika jonë ka filluar të mendoj që të zgjedh problemet pa ambasada që flasin te shqiptarët në vend të institucioneve të Kosovës; kemi filluar të mos i dëgjojmë (pa filter) burokratët e Brukselit, që përzihen e marrin anë, shpesh në dëmë të Kosovës; kemi filluar të veprojmë pa kërkuar dikënd nga jashtë për të na treguar se çka duhet të flasim, e çka duhet të bëjmë, për Atdheun, për kombin e për shtetin tonë. O çfarë ndryshimi i mirë!
Të jem i qartë: kriza jonë politike nuk ka përfunduar, po ashtu nuk mendoj se çdo veprim politik i yni është i drejtë; por unë mendoj dhe, mund të argumentoj, se po shfaqet një përgjegjësi e re politike dhe një mentalitet i ri politik në mesin tonë: problemet e Kosovës duhet t’i zgjedhim ne brenda Kosovës; mbeturinat tona, bërllogun në oborrin tonë, duhet ta pastrojmë ne shqiptarët, vet...
Por, gjithmon por, të nderuar lexues...
shumë media shqipe nuk e kuptuan se në një situatë të rëndë politike nuk mjafton vetëm ta mbashë mikrofonin në dorë, nuk mjafton vetëm të shminkatesh bukur, të vishesh e të dukesh bukur; nuk mjafton të ju japësh hapsirën atyre që bëjnë gara se kush do të çjerret më fort. Sepse kur televizioni shndërrohet në forum për retorikë lufte e kërcënuese; kur inatet shiten si patriotizëm dhe kur ekstremizmi merr më shumë hapësirë se arsyeja, duhet të kuptojmë se kjo media nuk është më vetëm dëshmitare e krizës po kjo po bëhet edhe pjesëmarrëse aktive në krizë. Sa e rrezikshme kjo punë!
Kosova e kaloj një moment të jashtëzakonshëm; duhet ta pranojmë se fjala publike ishte e çmendur, luftënxitëse dhe e pamatur; kjo retorikë gati e kalli Kosovën. E mediat, veçanërisht, ato nacionale, duhet ta kuptojnë një gjë; duhet të dinë se kanë një përgjegjësi që shkon përtej klikimeve, shikueshmërisë dhe spektaklit.
Po, po, po, bash në situata krize fillon edhe përgjegjësia e mediave;
ku pjesa më e madhe e mediave shqiptare ranë në provim. Në vend që të ishin frenues të krizës artificiale, këto televizone u shndërruan në benzinë e fishekzjarre; ku hakmarrja, kërcënimi dhe retorika e luftës gati e djegi Kosovën; Pseudoanalistë e çobanë politikë u lanë të masturbojnë me gjuhën e luftës; Na e sulmuan edhe Policinë, këtë gardiane e këtë roje të Kosovës. O sa e rëndë, o çfarë drame! O çfarë andrre e keqe bre. Sa e rrezikshme...
Po, po, ky problem mediatik nuk përfundon sall në Prishtinë.
Edhe mediat e Tiranës duhet të vënë gishtin kokës; Nuk mund të quhet gazetari çdo material që sjell klikime. Publikimi dhe ripublikimi i videove intime apo pornografike, si material për trafik, e kur nuk ekziston ndonjë interes i qartë publik, e ul median në nivelin e një tabloidi digjital; Një media serioze duhet të dijë se jo çdo gjë që mund të publikohet, duhet edhe të publikohet; Krahasimi me Norvegjinë dhe Gjermaninë është domethënës, jo sepse këtu nuk gabojnë mediat, por sepse ekziston një kulturë etike e konsoliduar e përgjegjësisë editoriale; në Norvegji, gazetaria kërkon shprehimisht saktësi, kujdes dhe përgjegjësi në përmbajtje e prezantim; në Gjermani, Kodi i Shtypit po ashtu e vendos përgjegjësinë ndaj publikut në themel të punës gazetareske.
Konsekuent deri në fund: A duam media shqiptare të na informoj apo media që ta kalli shtetin?! Infotainment 100 për qind?