kur nisi të qarkullonte emri i tij si ambasador i mundshëm në Shqipëri dhe, më masivisht e më fort, pas kalimit në dy dhomat e Kongresit Amerikan dhe pas miratimit përfundimtar, në Shqipëri dhe në Diasporën tonë, kanë marrë hov edhe debatet, thashethemet, parashikimet, hamendësimet, pritshmëritë...lidhur me ardhjen e tij në Tiranë dhe fillimin e detyrës. Diskutimet, shpresat, pritshmëritë... ishin më të shumta, referuar apo bazuar tek qenia e tij ushtarak i lartë karriere. Njëherazi, edhe duke mos marrë parasysh praktikën dhe traditën e lashtë diplomatike se përgjithësisht ambasadorët dhe shumica e ekipeve diplomatike, me përjashtim të diplomatëve ushtarakë, merren nga Akademi Diplomatike dhe nga ministri të jashtme, nga profesione civile, kryesisht nga drejtësia, sociologjia, inxhinieritë, kultura... Gjithsesi, Ambasadori Wendt erdhi, filloi punë e takime, dha e përcolli këshillat dhe mesazhet e para!
Kështu që neve shqiptarëve na mbetet apo na takon ti urojmë me gjithë zemër, me sinqeritetin më të madh, PUNA E MBARË! Edhe të na ikë pas përfundimit të plotë të mandatit, duke na lënë bindjen se ishte padyshim më i miri dhe më i suksesshmi nga paraardhësit e tij gjatë këtyre 35 viteve! Tani e tutje debatet dhe pritshmëritë do të jenë të bazuara tek punët dhe rezultatet konkrete, nga takimet, veprimet, punët e kryera, sidomos në frontet dhe fushat e qeverisjes, drejtësisë, ekonomisë, mbrojtjes, luftës kundër korrupsionit, trafiqeve shumëformëshe, industrisë së pastrimit të milionave dhe të miliardave që burojnë prej tyre..., sidomos në “pyjet” e pallateve dhe të kullave e të resorteve turistikë...! Subjektivisht, vetë futem në tufën e atyre SHQIPTARËVE dhe PUBLICISTËVE, që nuk e idealizojmë dhe e presim si PERËNDI këtë ambasador të ri. Aq më pak, që do na ta nxjerrë nga FERRI dhe DIKTATURA alla Edi Rama në PARAJSË dhe në DEMOKRACI! Sipas gjykimit tim, edhe ky ambasador, ashtu si ata para tij në Tiranë e në kryeqytete të vendeve të tjerë, do të jetë më tepër thjeshtë një "korrier" informacionesh, analizash, këshillash, vërejtjesh, kritikash...në itinerarin Tiranë- Washington e anasjelltas dhe jo si GUVERNATOR në vendin tonë.
Më saktë, do të jetë përfaqësuesi më i lartë i Ambasadës dhe SHBA-ve në veprimtari politike, ekonomike, kulturore, përuruese në Tiranë dhe në qytete të tjerë të vendit! Përvoja 35 vjeçare si analist politik si dhe karriera modeste në diplomaci më shtyjnë të sjell ndërmend se SHBA është superfuqia e parë në botë, ndërsa Shqipëria një ndër vendet më të vegjël e më të pazhvilluar. Se SHBA ka objektivat dhe interesat e veta afatgjata dhe operative apo aktuale; se aleancat, miqësitë, raportet, marrëdhëniet mes dy shteteve në ekstreme, përcaktohen nga interesat, dëshirat, vullneti...i superfuqisë. Po kështu nga kujtesa më vijnë për argumentim të kësaj të vërtete rastet e mbijetesës së enverizmit 47 vjet në Shqipëri, kur po të donte ndonjëri nga presidentët amerikanë e rrëzonte diktaturën e Enver Hoxhës për 47 ditë, për tu bërë qejfin enveristëve, që pandehnin çmendurisht apo si të dehur rëndë se mund të luftonin dhe fitonin njëherazi kundër ushtrive të “imperializmnit amerikan” dhe “socialimperializmit sovjetik”, e shumta për 47 javë; afro 80 vitet e mbijetesës së dinastisë Kim Ir Sen në Korenë e Veriut; 65 vitet e mbijetesës së kastrizmit në Kubë, si në një dritare përballë SHBA.
Por, edhe rastet e përfundimeve të epokave të qeverisjeve apo mbretërimeve të Sadam Hyseinit, Milosheviçit, Bin Ladenit..., të përfolur jo krejt pa asnjë bazë e krejt si thashetheme, në fillimet e tyre me lidhje bashkëpunimi me CIA-n...Nuk kërkon vramendje të madhe për të menduar, dyshuar e për të qenë fare afër së vërtetës për ti lidhur shumicën e këtyre rasteve me aleancën SHBA, BS, Britani dhe me marrëveshjet Ruswelt- Stalin-Churchill pas fitores së tyre në Luftën e Dytë Botërore përballë boshtit fashist Gjermani-Itali-Japoni...! Kam bindjen se edhe pas 81 vitesh vendimet kryesore të atyre marrëveshjeve nuk janë “varrosur” përfundimisht! Besoj se bëhet i qartë nënteksti i kësaj kujtese dhe paranteze historike.
SHBA është SHBA e Shqipëria është Shqipëri...! Prandaj, ne si vend e si popull, nuk mund të imponojmë Shtëpinë e Bardhë dhe në DASH që të na trajtojnë, duan, mbështesin, ndihmojnë, mbrojnë si shtetin e 51 të SHBA-ve! Aq më pak duhet të presim nga ZOTI në qiell dhe SHBA-NATO-BE në tokë, kur, për sherre politike, partiake dhe ordinere shqiptare; për shitjen e vetes, nderit, besës, moralit, vajzës, nuses së djalit; , si dhe të idealit, patriotizmit, të copave dhe interesave kombëtare,.., si çdo mall kopshtesh, arash, tregjesh, trotuaresh..., nuk kemi bërë shumëçka që varet nga ne si popull e si vend. Në të kundërtën, për periudha të gjata kohore e jo pak herë, u kemi bërë shërbime dhe kursime lumturuese armiqve tanë shumë shekullorë apo të përjetshëm, nëpërmjet gjëmave absurde, deri në barbarizëm dhe çmenduri që i kemi bërë e vazhdojmë ti bëjmë vetes, me mendje dhe duar shqiptare!? Gjithashtu, mund të zhgënjehemi keq nëse shpresojmë apo besojmë se Presidenti Donald Trump dhe bashkëpunëtorët e tij në Washington e në Tiranë, përfshirë pra edhe ambasadorin Eric Wendt, do ti urdhërojnë të shkojnë në kryeqytetin amerikan apo do të vijnë ata vetë në Tiranë, për ti kapur për veshësh Bajram Begajn, Edi Ramën, Niko Peleshin, Ferid Hoxhën, Ervin Demon, Toni Gogon, Klodian Brahon, krerët e GJKKO, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë..., Sali Berishën, Fatmir Mediun, Nard Ndokën, Vangjel Dulen, Agron Dukën..., e për ti urdhëruar: “Ose bëni SHTET si ne dhe shtetet e Europës Perendimore, ose do të përfundoni me dënime të rënda në burgjet e SHBA-së e të Hagës”! Nuk mund të veprojnë kështu edhe për faktin formal se në letra të Kushtetutës jemi shtet me sovranitet dhe integritet! Edhe sepse veprimi alla Noriega(1989) dhe alla Maduro( 2-3 janar 2026) nuk mund të mendohet i mundur, për të shmangur juridikisht e mediatikisht interpretimin si një grusht shteti...! Kështu që fundi i Edi Ramës me tufën apo bandën e vet do t'u lihet në duar SPAK- ut dhe institucioneve të tjerë të drejtësisë çerekëse, gjysmake apo treçerekëse shqiptare...! Fare SHQIP e troç: SHUMËÇKA është në duart tona si popull, si qytetarë, si votues!
Natyrisht, nëse për herë të parë pas 82 vitesh do ti shikojmë e vlerësojmë vetet si NJERËZ e si QYTETARË TË LIRË e jo si kukulla e kartona partiakë, që shiten dhe blihen edhe me një dorë lekë; edhe me poste e premtime rrenëse! Nëse për herë të parë pas 82 vitesh do të organizojmë, zhvillojmë e përmbyllim nga sekondi i parë i fillimit deri në të fundit, të mbylljes ZGJEDHJE TË LIRA, TË NDERSHME, DEMOKRATIKE! Nëse kryetarët e partive nuk do ti shikojmë si gjatë 82 viteve si të pagabueshëm, të pakritikueshëm, të pakundërshtueshëm..., si ZOT e PERËNDI...! Personalisht, kam një shpresë të vakët se nga përvoja si ushtarak i lartë dhe nga pjekuria e viteve të moshës, ambasadori Eric Wendt, mund “ta harrojë” apo kapërcejë postin që ka, për ta këshilluar me dashamirësi Edi Ramën me tufën e partiakëve dhe pushtetarëve të lartë që të ikin butësisht apo paqësisht, me dorëheqje! Pra, që të mos mendojnë për të shpëtuar, së bashku me shumicën e pasurive nga burimet e korrupsionit, me një amnisti të përgjithshme, pas një 1997-te të dytë, duke lumturuar njëkohësisht edhe Beogradin, Athinën, Moskën...! Me sinqeritetin më të madh e të përzemërt uroj dhe dëshiroj mbarësi e suksese të shumta për Ambasadorin Wendt! Më së pari për mbylljen me SUKSES të plotë e të shumëpritur të mbi 4 muaj protestash popullore në Sheshet dhe rrugët kryesore të Tiranës si dhe në qytete të botës me Diasporë Shqiptare si dhe ndikim të fuqishëm në luftën frontale kundër korrupsionit, trafiqeve, krimit të organizuar, të plotpushtetizuar sa të kenë kapur dhe majat e qeverisjes, të shtetit, të drejtësisë...! Edhe që të na ndihmojë ndjeshëm e konkretisht për të krijuar më në fund edhe Shqipëria e vogël dhe hallemadhe, për mendt e saj të kresë, një SHTET TË VËRTETË DEMOKRATIK dhe ALEAT TË DENJË për SHBA dhe BE!
Përsëri kujtesa e largët dhe më e afërt, sikur ma ul nivelin e besimit e të optimizmit. Fatkeqësisht, në të kundërt të dëshirave të mia si SHQIPTAR e si QYTETAR, më shkakton keqardhje e aspak kënaqësi fakti që shumica e parashikimeve të mia në këta 35 vjet, shprehur nëpër analizat, komentet, opinionet e botuar nëpër gazetat e përditshme, me përjashtim të ZP dhe ruajtur në lidhje 3, 6, 12 mujore të tyre, janë vërtetuar nga koha dhe zhvillimet konkrete politike, ekonomike, sociale, arsimore, kulturore, shëndetësore...! Megjithatë, për këtë rast, të paktën gjatë mandatit të plotë ambasadorial të Mister Eric Wendt, mos u vërtetofshin skeptizizmi dhe pesimizmi im! Na daltë ky ambasador i radhës si engjëll shpëtimtar, i pakrahasueshëm për mirë me paraardhësit e tij në kompleksin e Ambasadës së SHBA-së në Rrugën e Elbasanit në Tiranë!