Demonstratat e ditëve të fundit kundër vendimeve të Gjykatës Speciale duhet të na bëjnë të reflektojmë më shumë sesa të na shtyjnë drejt zemërimit. Sepse, pavarësisht bindjeve tona për Gjykatën Speciale dhe për proceset ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, duhet ta shtrojmë një pyetje të thjeshtë: A po i bëjnë nder Kosovës këto protesta, atyre që tashmë janë dënuar dhe, mbi të gjitha, vetë UÇK-së?
Kosova ka të drejtë të kërkojë drejtësi. Ka të drejtë të kritikojë vendime gjyqësore që i konsideron të padrejta dhe ka të drejtë të kërkojë trajtim të barabartë për luftëtarët e saj. Por ekziston një vijë që nuk duhet kaluar: mbrojtja e luftës së UÇK-së nuk mund të shndërrohet në përplasje me institucionet e Republikës dhe as në cenim të rendit kushtetues.
UÇK-ja nuk ka nevojë të mbrohet përmes kaosit.
Ajo luftë është pjesë e historisë së Kosovës dhe e rrugës së saj drejt lirisë. Por pikërisht për këtë arsye, emri i UÇK-së nuk duhet të përdoret si mbulesë për interesa të ngushta politike, për përplasje partiake apo për sjellje që e dëmtojnë shtetin e Kosovës.
Nëse dikush mendon se duke sulmuar institucionet e Republikës po mbron UÇK-në, duhet ta kuptojë se mund të jetë duke bërë të kundërtën.
Një Kosovë e dobët institucionalisht nuk i shërben askujt. As veteranëve, as ish-pjesëtarëve të UÇK-së, as familjeve të dëshmorëve dhe as atyre që sot ndodhen në procese gjyqësore.
Prandaj, është koha të thuhet qartë se edhe brenda skenës politike të Kosovës ka figura që kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për klimën e tensionuar që po krijohet. Në veçanti, disa figura kontraverse nga PDK-ja dhe AAK-ja, të cilat për vite me radhë kanë ndërtuar një politikë të bazuar në polarizim, retorikë të ashpër dhe përdorim të vazhdueshëm të së kaluarës së luftës për interesa të së tashmes, nuk mund të sillen sikur janë vetëm spektatorë të zhvillimeve.
Nuk mund të përdoret UÇK-ja si mburojë politike sa herë që një parti apo një politikan gjendet në vështirësi.
UÇK-ja nuk është pronë e asnjë partie.
Ajo u takon të gjithë qytetarëve të Kosovës që besojnë se lufta për çlirim ishte një kapitull i rëndësishëm në historinë e vendit. Prandaj, edhe nderimi i saj kërkon përgjegjësi, maturi dhe dinjitet.
Në këtë situatë, një rol të veçantë duhet ta ketë edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. OVL-UÇK ka të drejtë dhe detyrim të mbrojë dinjitetin e veteranëve dhe të kundërshtojë atë që e konsideron padrejtësi ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Por pikërisht për shkak të peshës morale që ka në shoqëri, ajo duhet të jetë zë i maturisë dhe jo burim i përshkallëzimit.
OVL-UÇK mund të protestojë, të kritikojë dhe të kërkojë drejtësi, por duhet ta bëjë këtë në mënyrë konstruktive. Në një moment kur shoqëria është e polarizuar, çdo fjalë e pamatur dhe çdo thirrje që e rrit tensionin mund të keqpërdoret nga të tjerët.
Veteranët nuk kanë nevojë për konflikte të reja. Ata kanë nevojë për respekt.
Dhe respekti më i madh që mund t’u bëhet është që zëri i tyre të dëgjohet me argument, me dinjitet dhe me përgjegjësi qytetare.
Edhe për ata që janë dënuar nga Gjykata Speciale duhet të flasim me seriozitet. Ata kanë të drejtën për mbrojtje juridike, për ankim dhe për një proces të drejtë. Por mbrojtja e tyre nuk duhet të shndërrohet në një luftë kundër shtetit të Kosovës.
Nëse besojmë në drejtësi, duhet të dimë edhe ta kritikojmë drejtësinë pa e rrënuar besimin në institucione.
Kjo është sfida e vërtetë.
Kosova duhet të jetë në gjendje të thotë, ne nuk pajtohemi me këtë vendim, ne e kundërshtojmë atë dhe do të përdorim çdo mjet ligjor e demokratik për ta sfiduar. Por në të njëjtën kohë duhet të thotë edhe: Republika e Kosovës nuk mund të vihet në pikëpyetje për shkak të një vendimi gjyqësor.
Ky është dallimi mes një shoqërie që proteston në mënyrë demokratike dhe një shoqërie që rrezikon të bjerë në një cikël të ri përplasjesh.
Sot Kosovës i duhet më shumë pjekuri politike se kurrë.
UÇK-ja duhet të mbrohet nga shtrembërimi i historisë, por edhe nga keqpërdorimi politik. Veteranët duhet të dëgjohen, por edhe të mos instrumentalizohen. Të dënuarit duhet të kenë të drejtën e tyre për mbrojtje juridike, por kjo nuk mund të përdoret si arsye për ta dobësuar Republikën.
Dhe partitë politike duhet ta kuptojnë një herë e mirë se historia e UÇK-së nuk është kapital elektoral.
Kosova nuk mund të ecë përpara nëse çdo krizë politike rikthehet te plagët e së kaluarës dhe nëse çdo debat për drejtësinë shndërrohet në përplasje mes shqiptarëve.
Në vend të hedhjes së benzinës në zjarr, Kosovës i duhet dikush që ta ulë temperaturën.
OVL-UÇK, partitë politike, institucionet dhe shoqëria civile duhet të japin secili kontributin e vet në këtë drejtim.
Sepse mbrojtja më e mirë e luftës së UÇK-së sot nuk është zhurma, kërcënimi apo përplasja.
Është një Kosovë demokratike, e qetë, e fortë dhe e drejtë, ku historia e luftës nderohet pa u përdorur për ta dëmtuar shtetin që ajo luftë ndihmoi të lindte.