Fenomenet e krimit: Gjatë këtij viti u vranë 14 gra në Kosovë!..

Opinione

Fenomenet e krimit: Gjatë këtij viti u vranë 14 gra në Kosovë!..

Nga: Ismail Muçiqi Më: 13 tetor 2026 Në ora: 21:11
Ismail Muçiqi

Kam frikë se jemi një shoqëri me plot të meta, me përmasa patologjike, të cilat po e tronditin shtetin dhe kombin. Këto tendenca, të cilat po shfaqen kohë pas kohe dhe po shndërrohen në një katastrofë të krimit, duke u marrë jetën 14 grave vetëm gjatë këtij viti në Kosovë, kërkojnë përgjegjësi dhe ndërgjegjësim nga institucionet e shtetit, përkatësisht nga institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë.

Nuk mjaftojnë vetëm komunikatat apo lajmet e kronikave të zeza nga ana e Policisë dhe organeve kompetente, ku njoftohet se u vra kjo apo ajo grua, se policia, pas ngjarjes, doli në vendin e krimit dhe se po punon për zbardhjen e vrasjes.

Shoqëria kosovare, që nga paslufta, duket se e ka humbur rrugën, duke u përballur me shumë ngjarje problematike, të cilat janë bërë barrë e rëndë për njerëzit normalë të kësaj kohe. Shoqëria kosovare ka probleme të vazhdueshme me kulturën e komunikimit dhe të sjelljes, me mungesën e vetëdijes së nevojshme, si dhe me mangësitë në arsim dhe edukim nëpër shkollat tona dhe në institucionet tona arsimore e shëndetësore.

Kësaj të keqeje po i ndihmon edhe importimi i kulturave të shfrenuara nga bota e jashtme. Nuk ka dyshim se marrëdhëniet ndërnjerëzore janë luhatur ndër vite, për shkak të tendencave dhe rivalitetit të interesave politike e, herë pas here, edhe ideologjike.

Shoqëria kosovare, e cila ka dalë nga një luftë e tmerrshme, ende po i vuan pasojat dhe traumat që kanë lënë gjurmë të thella në shumë familje kosovare. Sot, fenomenet e mungesës së tolerancës dhe të gjuhës nxitëse, me motive të shumta konfliktuoze, shfaqen kudo: duke filluar nga rrethi ku jetojnë njerëzit, nëpër mjetet e informimit, në rivalitetin ndërmjet partive politike e deri te institucionet më të larta të shtetit.

Padyshim se motivet e ulëta, që burojnë nga xhelozia dhe mendësia primitive, janë herë pas here faktorë që çojnë në kryerjen e krimeve ndaj grave, duke i lënë fëmijët bonjakë dhe familjet në vuajtje.

Andaj, shoqëria kosovare, e cila ende po lëngon nga dukuritë e ndryshme negative, ka nevojë për arsim dhe edukim të mirëfilltë, si dhe për edukatë të shëndoshë familjare, në mënyrë që të parandalohen të gjitha këto të këqija që po i ndodhin vendit.

Mjerisht, për ta ndryshuar gjendjen në kuptimin pozitiv, obligim moral, njerëzor dhe profesional kanë edhe mjetet e informimit, të cilat shpeshherë janë bërë mollë sherri, duke ndikuar në drejtim të kundërt me atë që kërkon nevoja.

Padyshim se gjendja ekonomike, pasurimi i paligjshëm dhe pabarazia krijojnë pakënaqësi e dallime te qytetarët e ndershëm, të cilët punojnë me djersën e ballit dhe e duan këtë vend.

Andaj, institucionet e shtetit, sistemi i drejtësisë dhe institucionet e sigurisë kanë obligim ligjor dhe kushtetues që të punojnë natë e ditë për t’i parandaluar këto krime që po i ndodhin vendit, si dhe për të luftuar përdorimin e armëve pa leje dhe vrasjen e njerëzve të pafajshëm.

Jeta e çdo gruaje është e shenjtë. Mbrojtja e saj është përgjegjësi e të gjithë shoqërisë dhe, mbi të gjitha, detyrim i institucioneve të shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat