Me 13 tetor 2026 filloi protesta e tretë e madhe studentore, pas asaj të parë të dhjetorit 1990 dhe asaj të dytës të vitit 2018. Të tria kanë si kauzë “Poshtë komunizmi”, demokracinë, “Shqipërinë etnike”, plus kauzat shtesë të periudhës 36-vjeçare të tranzicionit: ato për shtetin ligjor me standarde moderne, antikorrupsionin dhe kundër tradhtisë e pazareve me territorin dhe interesat kombëtare. Kjo do të thotë se në Shqipëri komunizmi nuk ka rënë akoma, por gjatë këtyre 36 viteve vetëm sa pati një zëvendësim të regjimit komunist me një regjim bastard neokomunist. Pati një zëvendësim të regjimit kriminal diktatorial me një regjim kriminal korrupsioni, hajdutërie e tradhtie, ku triumfator doli po komunizmi, i konvertuar në kapitalizëm hajdut e grabitqar.
Shqiptarë, studentët janë në protestë dhe kërkohet që t’i mbështesim fuqishëm. Unë i kam mbështetur protestat e tyre, edhe ato të para tetë viteve, në vitin 2018, dhe po i mbështes përsëri, me po ato fjalë me të cilat i kam përshëndetur atëherë.
Durrës, 8 dhjetor 2018: Po ju drejtohem shqiptarëve, por si fillim të kësaj thirrjeje timen po citoj një fragment nga letra ime drejtuar Rinisë Shqiptare më 25 prill 2009, botuar në librin tim “TRIUMFI I KOMBIT”:
“Brezi i Ri realizon aspiratat e vërteta patriotike, morale, fisnike dhe intelektuale, sepse ai është i lirë, i pastër dhe premtues për ndryshimin dhe për emancipimin… brez i cili është i përgatitur mendërisht e fizikisht për të zhvilluar një demokraci reale, të gjallë dhe dinamike… Vetëm ai është i aftë të bëjë modelin e ri demokratik, duke gërshetuar pozitivizmin tradicional me racionalizmin modern dhe që përjashton çdo përvojë totalitare dhe autokratike për të ndërtuar sistemin demokratik përparimtar bashkëkohor”.
Rinia studentore, lëvizja e madhe studentore demokratiko-kombëtare e vitit 1990, e cila ka hyrë në histori si “Lëvizja e Dhjetorit”, e shembi regjimin e së keqes në Shqipëri, diktaturën komuniste. Por, edhe pse kanë kaluar 28 vite që prej asaj kohe, rinia shqiptare dhe idealet e asaj lëvizjeje u tradhtuan nga e gjithë politika shqiptare.
Politika e pastranzicionit rrëmbeu frytet e asaj lëvizjeje, e keqpërdori dhe e shfrytëzoi atë për interesa pushteti, duke bërë pabesinë dhe tradhtinë e madhe ndaj rinisë studentore dhe tërë shoqërisë shqiptare, e cila e mbështeti atë lëvizje të madhe historike.
Edhe sot, rinia studentore proteston me po atë thirrje e aspiratë të para 28 viteve: “E duam Shqipërinë si Evropa”.
Kjo është kauza edhe sot, sepse kemi 28 vite që politika e keqe shqiptare e mban peng dhe jashtë integrimit në BE Shqipërinë. Kjo ndodh sepse Shqipëria është sunduar nga e keqja, ku një prej shumë të këqijave të kësaj elite politike është se ajo është një elitë jo vetëm e krimit, korrupsionit dhe hajdutërisë, por edhe armike e dijes dhe e intelektualizmit të vërtetë. Kundër këtij mizerabiliteti antihuman dhe antidije proteston truri dhe e ardhmja e kombit, rinia patriotike shqiptare, rinia studentore.
Përballja me këtë realitet dështak e të korruptuar, të shkaktuar prej tradhtisë dhe pabesisë, është arsyeja që studentët nuk pranojnë të bisedojnë me asnjërin krah të politikës, të cilët janë autorët dhe shkaktarët e këtij realiteti dhe njëkohësisht mëkatarët më të mëdhenj kombëtarë.
Kjo lëvizje, kjo protestë kombëtare gjithëstudentore, ka marrë mbështetje të madhe nga i tërë kombi, sepse rinia është vazhdimësia e kombit, që i lidh brezat dhe është garancia për të ardhmen e sigurt të tij.
Kjo lëvizje nuk është lëvizje politike, por realisht është një reagim kombëtar, si një:
LËVIZJE ANTIPOLITIKË NË EMËR TË LIRISË, TË SË VËRTETËS DHE TË DIJES.
Kjo është e tillë, sepse e gjithë politika shqiptare deri më sot është fajtore dhe shkaktare e degradimit të tërë sistemit, ku edhe arsimi dhe universiteti janë injoruar nga ligësia, tradhtia, papërgjegjshmëria, korrupsioni dhe kjo injorancë politike antikombëtare.
Rinia studentore u ngrit për një Rilindje Kombëtare Demokratike në vitin 1990 dhe jo për zëvendësimin e një diktature komuniste me një diktaturë tjetër apo me një regjim antihuman korrupsioni.
Pra, ajo që po ndodh sot, në dhjetorin e vitit 2018, në Dhjetorin e Dytë të Madh, me protestën e rinisë studentore, është vazhdimësia e asaj të Dhjetorit të Parë të Madh të vitit 1990.
Kjo lëvizje studentore e sotme është ajo që do t’i vërë vulën triumfit të Rilindjes së Madhe Kombëtare, e cila do të shënojë ndarjen përfundimtare me të shkuarën e largët dhe me vazhdimësinë e saj të derisotme, e cila është maskuar e mbuluar me maskën mashtruese të pseudodemokracisë.
Kjo është Rilindja e së mirës, e cila do ta mposhtë edhe Rilindjen mashtruese të Edi Ramës, “Rilindjen” e tij të së keqes, e cila realisht është, ashtu si edhe e gjithë politika e tranzicionit, një forcë që ka lëvizur më shumë mbrapsht sesa përpara, duke e çuar Shqipërinë shumë prapa, si në vitet 1990, apo edhe më keq akoma.
Kjo e keqe e madhe demokratike që ka pllakosur sot shtetin dhe shoqërinë shqiptare, për shkak të së cilës rinia shqiptare detyrohet të marrë rrugët e eksodit dhe të braktisjes së atdheut, kjo e keqe e madhe që ngriti Republikën e Drogës, e detyroi inteligjencën shqiptare dhe rininë shqiptare të ngrihen e të protestojnë përsëri fuqishëm dhe pandalshëm, për ta rikthyer nderin dhe dinjitetin e tyre të merituar dhe për t’ia kthyer shpresën edhe të gjithë atyre shqiptarëve që e kanë humbur atë.
Prandaj, shoqëria shqiptare duhet ta mbështesë protestën e studentëve, pasi ajo u shërben të gjithëve: është shpresë për demokracinë, lirinë, progresin, drejtësinë dhe të mirën kombëtare.
KJO PROTESTË ËSHTË RILINDJA E VËRTETË!
Durrës, 8 dhjetor 2018
Thirrje: Sot, përsëri, rinia studentore është kthyer në protestë për të realizuar aspiratat e saj dhe të kombit shqiptar. Por sot, rinia studentore dhe protestat e rinisë, qytetarëve dhe kombit, që protestojnë prej më shumë se katër muajsh, nuk duhet të tërhiqen, por ta çojnë deri në fund misionin historik, atë të triumfit të kombit, shtetit ligjor dhe demokracisë.
Sot ta mbështesim protestën studentore, protestën e tretë të madhe historike të saj, protestën për kombin, lirinë, demokracinë, shtetin ligjor, “Shqipërinë etnike”, për “Shqipërinë e shqiptarëve dhe jo të tradhtarëve” – kauza këto për të cilat po proteston i gjithë kombi prej muajsh.