Rinia, studentët dhe i gjithë kombi sot, më shumë se kurrë, duhet të protestojnë në emër të lirisë, patriotizmit, moralit, dinjitetit, drejtësisë, humanitetit dhe unitetit, si dhe të realizojnë porositë dhe amanetin e brezave të së kaluarës, të cilët sakrifikuan aq shumë për një Shqipëri etnike, të bashkuar, të sigurt, të mirëqenë dhe të prosperuar.
Ju, rinia studentore në Kosovë, pse nuk po tregoni solidaritet me protestat e studentëve në Shqipëri? Apo nuk ju pëlqejnë reformat që kërkojnë studentët në Tiranë për meritokraci, dije dhe cilësi mësimore, akademike e shkencore? Apo mos jeni dakord që notat, dëftesat dhe diplomat të merren me ryshfet dhe të blihen nga shumë të rinj nga Kosova, edhe në universitetet e Tiranës, ashtu siç kanë marrë dhe blerë tituj profesori e doktori shumë injorantë të politikës kosovare?
Kam vënë re se në shkollat dhe universitetet e Kosovës ekziston një nivel shumë i ulët arsimor e profesional dhe mungesë cilësie, si te nxënësit dhe studentët, ashtu edhe te ata që në Kosovë i quajnë “profa”, pra profesorët që i blejnë titujt shkencorë dhe akademikë në Shqipëri.
Vijnë në Shqipëri nxënës e studentë nga Kosova, gjoja jo si turistë, por për të vizituar vende historike. Në fakt, ata akomodohen në hotele për të bërë plazh, ndërsa të rinjtë dëfrehen deri në orët e vona në ambiente me muzikë dhe në klube, aq sa i kanë shqetësuar shumë edhe pronarët e hoteleve. Madje, mund të vijë një ditë kur ata të mos pranojnë më t'i akomodojnë dhe t'i presin.
Këto ekskursione pseudopatriotike u pëlqejnë drejtuesve të shkollave në Kosovë, të cilët duan të bëjnë më shumë pazar. Në këmbim të dërgimit të nxënësve në hotelet e Shqipërisë, ata sigurojnë pushime falas për veten dhe familjet e tyre.
Kështu, indiferentë jeni treguar ju, rinia studentore në Kosovë, edhe ndaj protestave studentore që rrëzuan regjimin e Enver Hoxhës, diktatorit dhe kriminelit të shqiptarëve; edhe kur shqiptarët dhe rinia shqiptare shpërthyen ambasadat për të përshpejtuar rrëzimin e regjimit komunist, i cili e kishte çuar Shqipërinë në prag të urisë, kur popullin e kishte rraskapitur dhe kur Shqipëria ishte kthyer në një shtet-burg.
Pse nuk solidarizoheni ju, rinia studentore e Kosovës, me protestat e rinisë studentore të Shqipërisë, kur policia sillet kundër protestuesve patriotë në Tiranë ashtu siç sillej dikur policia serbe kundër studentëve të rinj shqiptarë në vitet ’80 në Prishtinë?
Pse nuk solidarizoheni me protestat paqësore të studentëve në Shqipëri, kur rinia studentore prej 137 ditësh proteston për kauzën e “Shqipërisë etnike”, kauzë për të cilën kanë luftuar heroikisht shumë breza të Kosovës?
Pse nuk solidarizohen studentët e Kosovës me kauzën e studentëve të Shqipërisë kundër eksodit dhe kundër imponimit që u bën sistemi neokomunist të rinjve për t'u larguar nga Shqipëria, kur populli i Kosovës për më shumë se 100 vjet ka protestuar dhe luftuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, kundër pastrimit etnik dhe gjenocidit serb?
Pse nuk solidarizoheni ju, studentët e Kosovës, me protestat paqësore mbi katërmujore të rinisë shqiptare kundër shitjes së trojeve shqiptare? Apo pse nuk u ngritët kundër politikës dhe qeverive të Kosovës, të cilat u falën troje shqiptare Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi dhe nënshkruan Marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe?
Pse nuk organizoni të paktën një mini-miting në ndonjë lokal, sallë, cep rruge apo shesh, në mbështetje të protestave paqësore studentore në Shqipëri kundër qeverisë së Ramës?
Këto protesta janë edhe në të mirë të Kosovës, sepse janë kundër këtij kryeministri, i cili ka qenë kundër interesave të Kosovës dhe më pranë Beogradit sesa Prishtinës.
Pse kjo apati e rinisë studentore në Kosovë dhe ky indiferentizëm, kur studentët në Shqipëri protestojnë kundër eksodit, kundër politikës që ua imponon të rinjve shqiptarë të braktisin atdheun dhe fton afrikano-aziatikët të vijnë në Shqipëri?
Çfarë është kjo politikë për de-shqiptarizimin e Shqipërisë?
Si mund të durohet kaq gjatë një qeverisje pa moral, një arrogancë e pashoqe e kësaj qeverie, e cila tallet me kulturën, tolerancën dhe durimin e popullit shqiptar dhe i merr ato për dobësi, duke shpërfillur protestat paqësore të rinisë shqiptare?
Ju, rinia studentore e sotme e Kosovës, si e keni harruar qëndresën mbinjerëzore të rinisë heroike kosovare kundër regjimit gjenocidial serb dhe si qëndroni kaq indiferentë ndaj vëllezërve tuaj studentë që protestojnë në Shqipëri për ndryshimin, kundër komunizmit dhe mbeturinave të tij, kundër pazareve me interesat kombëtare, kundër korrupsionit, hajdutërisë dhe tradhtisë?