Fshati, bastion dhe çerdhe e enverizmit!?

Opinione

Fshati, bastion dhe çerdhe e enverizmit!?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 16 tetor 2026 Në ora: 09:13
Xhevat Mustafa

Prej shumë vitesh, ashtu si mijëra publicistë e studiues të tjerë e si miliona qytetarë, kam pasur si bashkudhëtarë dyshimin dhe pyetjen nëse Marksi dhe Lenini ishin viktima të gabimeve subjektive në vizione dhe llogari të afërta e të largëta apo të “këshilluar” e të investuar për ta zbatuar teorinë e revolucionit komunist në vende të Lindjes, së pari në Rusi, me popullsi deri në 70-75% me banim dhe origjinë fshatare. Siç dihet, nga zbatimi i kësaj teorie e direktive, komunizmi mbiu dhe lulëzoi në pushtet, në formën e diktaturave, në vende të Lindjes dhe jo në Gjermani, Zvicër, Austri, Francë, Holandë, Belgjikë, Angli, vendet nordike, në Zelandën e Re, Australi, Japoni, Korenë e Jugut...! Kështu, brenda disa dekadave, u ngrit Muri i Madh Kinez i padukshëm dhe më vonë “Muri i Berlinit” (13 gusht 1960-9 nëntor 1989) mes Perëndimit kapitalist dhe demokratik, me nivel të lartë të popullsisë qytetare dhe mirëqenieje, dhe Lindjes komuniste e diktatoriale, me nivele të larta të popullsisë fshatare e të ulëta të mirëqenies. A mund të interpretohet e pranohet kjo si krejt e rastësishme, si rrjedhojë e zgjedhjeve dhe gabimeve njerëzore...???

Pas vitit 1990, ne si vend e si popull jemi viktimë e “zbatimit krijues” nga Enver Hoxha të direktivës së Leninit dhe më vonë asaj të Mao Ce Dunit, “Fshati të rrethojë qytetin” dhe “Fshati të pushtojë dhe sundojë qytetin”!? Për t’u bindur mbi ligësinë dhe antihumanizmin e liderëve të komunizmit, për falsitetin e premtimeve dhe parullave të tyre mashtruese, ndihmon fakti se partitë dhe shtetet gjoja komuniste dhe gjoja socialiste, në vend që të mendonin dhe të përpiqeshin për t’i kapur dhe kaluar vendet kapitaliste për nga nivelet e zhvillimit, mirëqenies, politikës sociale, shtetit ligjor, demokratizimit..., pjesën më të madhe të vlerave monetare të buxheteve të tyre e kanë harxhuar, së pari, për të rritur arsenalet e armatimeve, përfshirë edhe atë bërthamor. Së dyti, për të financuar rrjetet e spiunazhit dhe partitë diversioniste, për të penguar qeveritë e koalicioneve demokratike dhe kapitaliste, të së djathtës dhe qendrës, duke mashtruar kontingjente masive qytetarësh dhe zgjedhësish se këto parti, kukulla të Rusisë e të Putinit dhe të financuara nga Moska e Pekini, do të jenë më të afta e më të dobishme për popujt e Perëndimit, sidomos për t’i shpëtuar nga ushtritë e emigrantëve dhe disa shqetësime në rritje të periudhave të krizave ekonomike, disa të provokuara prej Lindjes komuniste!

Neve, si vend e si popull, në kuadër të marrëveshjeve të liderëve të tri fuqive të mëdha fituese në L2B, na vunë mbi krye Enver Hoxhën, një kukull të Titos, të komanduar dhe kontrolluar nga të dërguarit e tij të parë apo “vëllezërit” e tij, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Kështu, mbetëm në “Ferrin e Lindjes Komuniste”, edhe pas shkëputjes formale, e jo ideologjike e politike, nga Jugosllavia (1948), nga BS-ja dhe nga i gjithë Kampi Socialist (1961)! Nga ky ferr 82-vjeçar nuk kemi dalë as sot e kësaj dite dhe nuk do të dalim derisa të kemi qeveri edramiste, antikombëtare, çnjerëzore...!

Edhe pse Edi Rama me shokë e shoqe qeverisin si mos më keq prej 13 vitesh, duke u bërë vazhdimisht më autoritarist, më i pafre, më i pashpirt, më arrogant, më internacionalist e më globalist dhe gjithnjë e më pak shqiptar, përsëri, në mënyrë të palogjikshme, mbështetjen më të madhe e kanë pasur dhe e kanë nga fshati... Shembulli më i freskët është ai i 23 gushtit 2026, kur disa fshatarë nga Mokra e Pogradecit, me pensione rreth 150-200 euro në muaj, pritën rreth 5 orë për t’u takuar me Edi Ramën, sa për t’i marrë erë...!? Në shenjë mirënjohjeje, qeverisja e Ramës i favorizoi shumicën e fshatrave dhe fëmijët e tyre, duke mbyllur sytë ndaj blerjes së notave, diplomave, vendeve të mira e fitimprurëse të punës në qytete, si dhe ndaj prodhimeve me doza të larta kimikatesh, hormonesh, pluhurash e trafiqeve të shumëllojshme, përfshirë edhe ato të kanabisit, të njerëzve dhe të mallrave kontrabandë në zonat kufitare...

Pra, “armiqtë e jashtëm”, përveç ushtrisë me rreth 40 mijë spiunë shqiptarë nga dokumentet e identifikimit, për të cilët kanë në buxhetin vjetor të shteteve të tyre (Greqia rreth 40 milionë euro, Serbia rreth 30 milionë euro), nuk kanë pasur nevojë të sjellin dhe nuk kanë sjellë ushtri për t’ia bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve këto gjëma që kemi përjetuar në këta 82 vjet, 70 vjet nën qeverisjen e pseudo së majtës dhe 12 vjet nga pseudo e djathta...! Për 82 vjet, ose më ngushtë, për 31 vjet, partia që ka lejuar t’i bëhen para syve e nën hundë këto gjëma Shqipërisë, ka 13 vjet që “fiton” thellë në gjoja “zgjedhje të lira, të ndershme e demokratike”, në fshatra të largët kodrinorë e malorë, deri në 80-95%, thua se zgjedhësit në këto zona nuk e dinë se në Tiranë, Shkodër, Durrës, Kavajë dhe qytete të tjera, që nga 11 dhjetori 1991, de jure, “është shembur” komunizmi dhe ekzistojnë PD-ja, pluralizmi, demokracia...! Apo se më 11 prill 1985 ka vdekur Enveri dhe se më 22 mars 1992 “ka ardhur” demokracia???!!! Si ta quajmë këtë dashuri 82-vjeçare të fshatit me “të majtën enveriste”? Thjesht dashuri të skllavit me padronin? Të viktimës me persekutorin dhe xhelatin, ngjashëm si në “Sindromën e Stokholmit” te pengjet në Suedi me pengmarrësit e tyre??? Apo mbetje shumë prapa e poshtë në nivelet e formimit njerëzor, arsimor, kulturor, social, demokratik...?

Jo pak enveristë mund ta mbrojnë dhe justifikojnë këtë dukuri masive të pengmarrjes së vendit, sidomos të fshatit, larg demokratizimit dhe standardeve europerëndimore të emancipimit dhe zhvillimit modern, duke fajësuar PD-në dhe opozitën që nuk kanë arritur të ngjiten në fshatra e të fitojnë mendjet, zemrat dhe votat e banorëve të tyre. Ky justifikim del blof e bie në dhe, qoftë edhe vetëm nga fakti se shumica e tyre kanë nëpër shtëpi televizorë, kompjuterë, celularë..., si dhe djem, vajza, kushërinj, miq... në qytete dhe, pas vitit 1990, nga emigracioni, bij e bija.

Dozat e majtizmit, komunizmit, enverizmit dhe edramizmit, në Shqipëri e në diasporat e saj, deri në SHBA, Kanada, Zelandën e Re, Australi..., kanë efekte të rënda vepruese sidomos te turmat e veteranëve, të ish-aparatçikëve në dikasteret dhe administratën e diktaturës enveriane, si në Ushtri, Ministrinë e Mbrojtjes e të Brendshme, në Sigurim, në kryesitë e ish-organizatave të masave... Këta 13 vjet të mbretërimit të Edi Ramës, edhe në ushtrinë rreth 250-mijëvetëshe të administratës dhe të patronazhistëve, të cilët kanë treguar se për vendet e punës e përfitime të tjera të pista falin jo vetëm votat, por edhe vetveten, atë që kanë më të vlefshme dhe më të dinjitetshme si individë e si familje.

Më e keqja dhe më e pafalshmja është se virusin e tyre të komunizmit ua përcjellin edhe fëmijëve, nipërve dhe mbesave... Kështu që nuk përbën çudi kur takon jo pak fëmijë, adoleshentë dhe të rinj e të reja, ngjashëm apo më tepër enveristë se baballarët dhe nënat, se gjyshërit e gjyshet..., që kanë shitur e shesin pa ndier turp e pa ndier vrasje në ndërgjegje shumëçka..., për ca përfitime të pista individuale e familjare, sipas llogarisë: “Bytha ime të jetë rehat, të tjerat, të kushërinjve dhe komshinjve, u bëfshin me plagë e kallo!”

Deri më 22 mars 1992, këta enveristë apo të majtë të përjetshëm mund të justifikohen se e deshën Enverin dhe enverizmin nga frika e kërcënimeve dhe e rreziqeve për bukën e gojës, ruajtjen e vendit të punës, lirinë dhe shmangien e burgjeve e të torturave nëpër kampet e përqendrimit. Po në këta 34 vjet, kur nuk i kanë mbi kokë dhe nuk i përjetojnë shumicën e këtyre rreziqeve, përse vazhdojnë t’i duan, mbështesin, votojnë e mbrojnë, po njësoj si skllevër apo si kope njerëzore, padronët e tyre partiakë dhe qeverisës socialisto-rilindas, bij e bija, nipër e mbesa, nuse e dhëndurë të ish-partiakëve dhe ish-pushtetarëve të lartë të diktaturës komuniste...???!!!

Disa nga arsyet mund të jenë fati, natyra, gjeografia, demografia, mungesa e industrisë dhe e proletariatit industrial... Më konkretisht, qenia me shekuj e dekada në krahina të thella kodrinore e malore; larg detit, qytetit, shkollës, universitetit, spitalit e shumë më larg Romës, Parisit, Vjenës, Berlinit, Brukselit, Londrës...! Nënkuptohet se përse Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, deri më 1990, nuk lejuan dhe legalizuan lëvizjen masive të popullsisë fshatare drejt qyteteve. Varfëria, niveli i ulët arsimor apo injoranca masive ishin dhe mbeten shtyllat kryesore mbi të cilat ngriheshin themelet e diktaturave komuniste!

Fshatrat, edhe pse të pakësuar ndjeshëm në popullsi nga emigracioni pas vitit 1990, ishin dhe vazhdojnë të jenë edhe në këtë kohë për Edi Ramën me shokë e shoqe “minierat” apo “thesaret” për vota dhe qeverisje jetëgjatë, edhe pse të pafrytshme për mbijetesën e përditshme të shumicës së popullit. Duke iu referuar përbërjes së forcave policore dhe ushtarake që po përdorin dhunë brutale e të pamëshirshme ndaj të rinjve protestues në Tiranë, nëse shihen nga origjina, me shumë gjasa pjesa më e madhe mund të jenë nga familje ose me origjinë fshatare, sepse shumë prej tyre i shohin dhe i trajtojnë njerëzit e tjerë, sidomos ata të qytetit, si mall kopshtesh e trotuarësh ose si kafshë, për t’ua bërë plagë kurrizet...!?

“Majtizmi”, enverizmi dhe edramizmi masiv i fshatit janë shprehur dhe kuptuar gjatë rreth 110 viteve në Rusi e në vendet e tjera komuniste të Lindjes dhe gjatë rreth 36 viteve në Shqipëri, duke mos kuptuar se kështu, duke shkuar si kope para “barinjve enveristë dhe edramistë”, i kanë bërë dhe i bëjnë keq së pari vetes, pastaj qytetit dhe qytetarëve, si dhe gjithë vendit. Edhe në protestat e viteve 1990-1992 për rrëzimin e diktaturës komuniste e për DEMOKRACI, si dhe në protestat e këtyre katër muajve e gjysmë të vitit 2026 për dorëheqjen e Edi Ramës, sidomos në Tiranë, shprehet qartë se fshati po bën masivisht spektatorin dhe ka pjesëmarrje minimale apo të papërfillshme.

Pra, PKSH-PPSH-PSSH ka gjetur për rreth 84 vjet tek “populli i majtë”, masivisht ai fshatar, shesh dhe “barë” dhe ka bërë e po bën me nge dhe kënaqësi përshesh për vete e për “vëllezër ideali”, ballkanas e uralas, ndraghetas, “Arube”, Izraeli, Arabia, nga bota mbarë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat