Rama mendon se pa të Shqipëria nuk bën dot? Asnjë njeri nuk është mbi vendin!

Opinione

Rama mendon se pa të Shqipëria nuk bën dot? Asnjë njeri nuk është mbi vendin!

Nga: Prof.dr. Pal Nikolli Më: 16 tetor 2026 Në ora: 19:58
Prof.dr. Pal Nikolli

A e mendon vërtet Edi Rama se është më i mençuri, më i zgjuari dhe më i afti, dhe se pa të Shqipëria dorëzohet, institucionet paralizohen dhe vendi nuk ecën përpara?

Në një demokraci, askush nuk është i pazëvendësueshëm. Asnjë kryeministër nuk është pronar i shtetit, as i ardhmërisë së një kombi. Pushteti është një përgjegjësi që qytetarët ua besojnë përmes votës, jo një privilegj i përjetshëm që mund të shndërrohet në kult të individit.

Një kryeministër duhet të gjykohet nga rezultatet, jo nga propaganda; nga mirëqenia e qytetarëve, jo nga madhështia e fjalimeve; nga cilësia e arsimit, shëndetësisë dhe institucioneve, jo nga aftësia për të dominuar skenën politike dhe mediatike.

Shqipëria nuk matet me jetëgjatësinë politike të Edi Ramës, por me cilësinë e jetës së shqiptarëve!

Nëse të rinjtë largohen masivisht, nëse pensionistët përballen me vështirësi ekonomike, nëse meritokracia zëvendësohet nga klientelizmi dhe nëse institucionet humbasin besimin e qytetarëve, atëherë pyetja nuk është se kush mund ta zëvendësojë kryeministrin. Pyetja është se çfarë duhet ndryshuar që shteti t'u shërbejë njerëzve dhe jo interesave të pushtetit.

Asnjë individ, sado gjatë të qëndrojë në krye të qeverisë, nuk mund të identifikohet me Shqipërinë. Shqipëria ekzistonte para tij dhe do të ekzistojë edhe pas tij. Ajo ka nevojë për institucione të pavarura, drejtësi funksionale, arsim cilësor, ekonomi konkurruese dhe drejtues që pranojnë llogaridhënien.

Asnjë njeri nuk është mbi Shqipërinë. Asnjë pushtet nuk është i përjetshëm. Dhe asnjë kryeministër nuk duhet të harrojë se në demokraci, pushteti është mandat, jo pronë personale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat