Kontributi i Nexhip bej Dragës për alfabetin e gjuhës shqipe

Opinione

Kontributi i Nexhip bej Dragës për alfabetin e gjuhës shqipe

Nga: Shkruan: Amir Rexhepi Më: 21 shtator 2014 Në ora: 15:48

Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga me guxim do të marrin në mbrojtje mësimin e shqipes edhe në shkollat turqisht të hershme, të cilat synonin t’i kthenin në shkolla shqipe. Kundërshtuan rreptë largimin nga puna të mësuesve të shqipes në Idadinë dhe në Normalen e Shkupit. Në të parën ishte mësues dhe drejtor Bedri Pejani, kurse në të dytën mësues i shqipes ishte Salih Gjuka. Të dytë u pushuan nga puna. Ndonëse qeveria turke dhe qarqet shoviniste ballkanike Hasan Prishtinën dhe Nexhib Dragën i quanin tradhtarë dhe spiunë të Vjenës, këta nuk mposhteshin dhe kryelartë qëndronin midis zgjedhësve të tyre. Së fundi, këta kishin dhënë provat për patriotizmin e tyre, andaj nuk kishte forcë propaganduese që do t’i bënte të paqenë për popullin shqiptar. “As për gjë mos jepni pesësh! - thotë në tejshkrim (telegram) Hasan Beu nga Ysqypi, - qëndroni burra! Hovi dhe koha e fanatikëve shkoi, arriti dita e dritës! Çuam jo përpara pak kohe dhjetë çuna në Elbasan, po çojmë edhe njëmbëdhejtë këto ditë, shpëtoni 10 mësonjës” - përfundonte Hasani. Ndërkaq, Faik Konica, publicist më i njohur i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, duke ua njohur meritat e përpjekjeve patriotëve - revolucionarëve demokratikë të Kosovës, Hasan Prishtinës dhe Nexhib Dragës, shkroi: “Po, dolën dy burra dhe fuqia e Kosovës nisi të ndërrohet. Fanatizmi i tërbuar dhe keqbërës gjeti dy kundërshtarë të zotët, të cilët pushuan intrigat, vendosën a-b-c-në latine, hapën mësonjëtore, dërguan djem në shkollën normale, futën kudo një shpirt thjesht shqiptar”. Këta dy burra me vlerë të madhe, “trima të shënuarë e atëdhetarë të mbëdhenj e të nxehtë” e bënë përgatitjen e Kongresit II të Manastirit (2-3 prill 1910). Ky Kongres e vendosi definitivisht fatin e alfabetit të sotëm kombëtar të gjuhës shqipe.
Fjalën kryesore në këtë Kongres e patën bashkëpunëtorët më të ngushtë të Hasan Prishtinës, Nexhib Dragës dhe Bajram Currit. Kongresi i zhvilloi punimet nën kryesinë e publicistit të njohur Bedri Pejanit, i cili, duke i përshëndetur delegatët, vuri në spikamë: “Vëllezër të dashur! Neve sot përfaqësojmë tërë Shqipërinë dhe jemi mbledhur këtu të bisedojmë përmi nevojat t’ona kombëtare, përmi diturinë, përmi lulëzimin dhe përparimin e gjuhës s’onë dhe ëprmi mbrothësinë të kombit shqiptar”. Hasan Prishtina, deputeti më revolucionar dhe demokrat i shquar qëndronte pas vendimeve të Kongresit II të Manastirit. Dihet qartë se delegatët nga Kosova, ndër të cilët edhe revolucionari Hysni Curri, në këtë Kongres erdhën me koncept të vendimeve të përgatitur nga Hasan Prishtina dhe të miratuar nga Nexhib Draga dhe Bajram Curri. Hasan Prishtina, në shenjë të përkrahjes së vendimeve të Kongresit II të Manastirit, pa u shpërnda mirë delegatët, i dërgoi në Normalen e Elbasanit edhe 17 nxënës kosovarë, të cilët prapë i priti Luigj Gurakuqi, duke uruar Hasan Prishtinën dhe përkrahësit e tij, kurse nxënësi Avni Libohova - Rustemi, më vonë vrasës i Esad Pashë Toptanit (1920) - “foli në emën të të tân nxënësvet përmi vëllazëri dhe dashuni me shoq’ shoqin” - do të shkruajë shtypi rilindës.
Aktiviteti patriotik arsimor i Hasan Prishtinës, i ndjekur në shkallë të mirë edhe nga Nexhib Draga, ishte burim frymëzimi për aktivistët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare në kolonitë jashtë atdheut. Në këtë drejtim publicisti i shquar Josif Bageri do të konstatojë se “atdhetarët e vlyert: Hasan bejë Prishtina dhe Nexhib bejë Draga, mjaft mir po mirren për shëndritjen e kombit shqipëtar, për të cilën jon gati dhe theror të bohën bashk me shokët e vet dhe ne gjith ata zgjedhësit e tyrej, cilet patën fatin e mir për me zgjedh burra për në mbledhie t’ikombit otoman, për mburonjës të vërtetë”. Qarqet osmane e ballkanike e shikonin me neveri përparimin e luftës kombëtare shqiptare në fushë të alfabetit dhe të shkollës kombëtare. Në seancën parlamentare të datës 11 prill 1910, kryeministri Haki Pasha, sipas shtypit serb, ishte shtrënguar të pranonte se shqiptarët “janë stolia më e mirë e kurorës mbretërore osmane”. Së këndejmi, kërkonte mbylljen e shkollave shqipe dhe ndërprerjen e rritës së ndërgjegjës kombëtare shqiptare, për thellimin e asimilimit të shqiptarëve në turq. Si të tillë Haki Pashës i duheshin shqiptarët po jo si shqiptarë. Vetë Haki Pasha pranonte me alarm se shqiptarët “kanë nisë të vênë themelet e kombesis me anë të shkrimit e kndimit shqyp, dhe nji ditë mund t’a shtijnë në dorë të tanë Turkin’ (…). Kanë nji gjuhë të lehtë dhe të plotë, qi shpejt mund t’i përparojë; historija e tyne po doli në shesh âsht prishtja e Turkis. Evropa ka nji simpati të madhe për kët kom; me të shpallunit e liris shqyptarët deshtnë msim, hapnë shkolla, të mdhaja e të vogla, çilnë klube, hapinë shtypëshkronjë, mbajnë kongrese e bânë aq punë qi ne s’na i pretë mendja. Prandaj ky hov duhet pré, duhet t’i dajmë e t’i përçajmë, t’i shtypim sá mos të kenë fuqi”.
Këtu duhet konstatuar se pas fjalimit të përmendur të Haki Pashës nuk vonoi dhe morën vendime të ministrisë së arsimit për ndalimin e shkollës shqipe me alfabet latin, së pari në Vilajetin e Manastirit dhe pak kohë më vonë edhe në Vilajetin e Selanikut, me motivim kinse “gjuha shqipe nuk flitet në Vilajetin e Selanikut”. Këto vendime shkaktuan indinjatën shqiptare dhe sidomos të deputetëve revolucionarë dhe pa vonuar u rrit jazi midis deputetëve shqiptarë dhe qeverisë turke. Derisa në Kosovë patriotët shqiptarë me armë në dorë, në fushë të betejës, mbronin çështjen shqiptare dhe shkollën shqipe, Hasan Prishtina në gazetën Sabah e shpalli zëdhënien me të cilin “u lutet gjithë atyne ndepunësve shqiptarë të Anadollit q’i dërgojnë të 10-ën ose të 20-ën e rogës së tyne (Hasan Prishtinës për shkollë shqipe), paskëtaj, t’ia dërgojnë shoqënies “Përparimi”” - për Shkollën Normale. Në anën tjetër, nga Shkupi, Peja, Gjakova, Vuçiterna, Gjilani etj., Hasani i nisi edhe 38 nxënës për në Elbasan, për mësues të ardhshëm të shkollës kombëtare të Kosovës.
Qeveria turke për t’ia prerë rrugën zhvillimit të shkollës kombëtare shqiptare, me dinakëri planifikoi shkollimin e qindra të rinjve shqiptarë në shkollat e Anadollit, “në mënyrë që sa më parë të krijohet një gjeneratë shqiptare e arsimuar dhe e zonja t’i edukojë fëmijtë shqiptarë” - në frymën osmane, turke. Në planet shkombëtarizuese të qeverisë turke ndaj shqiptarëve në Kosovë, duke planifikuar hapjen e 200 shkollave fillore, gjithsesi turke, si gjithmonë, prapë, fuqimisht, u ngrit Hasan Prishtina. Në mbledhjen parlamentare të datës 11 qershor 1910 kërkoi nga ministri i arsimit që “mësuesit e këtyre dyqind shkollave të jenë njerëz të zotët” - që nënkuptonte, të jenë shqiptarë dhe patriotë. Nga pjesa e dytë e vitit 1910 qeveria turke, duke futur në përdorim dispozita ligjore e urdhëresa të nxjerra sipas kërkesave të ditës të shovinistëve xhonturq, të thuash e pezulloi mësimin e shqipes dhe aktivitetin kombëtar shqiptar legal. Aty nga fundi i gushtit të vitit 1910 u burgosën shumë aktivistë të shkollës shqipe, bashkëpunëtorë të Hasan Prishtinës. Në Prishtinë, madje, u paraburgos edhe kushëriri i Hasanit, i biri i Sulejman Pashës, patrioti Xhemajl agë Berisha. Mirëpo, për ta mbajtur të gjallë lëvizjen për shkollë shqipe edhe përkrah zullumit e burgosjeve, Hasan Prishtina e la Stambollin dhe erdhi në Kosovë. Gjatë rrugës u ndal në Selanik dhe në biseda të fshehta e me fjalime të hapta në Klubin “Dituria” dha instruksione për mbajtjen dhe punën e Normales së Elbasanit edhe në kushte të terrorit xhonturk. Fjalime patriotike për mbajtjen e shkollës shqipe dhe të veprimtarisë publicistike e kulturore shqiptare mbajti edhe në Manastir dhe në Shkup.
Pasi vizitoi shumë qendra të Kosovës dhe kudo mbajti fjalime të hapta dhe biseda të fshehta, u kthye në Stamboll për ta marrë në mbrojtje shkollën shqipe. Kështu, më 7 dhjetor 1911, në Parlamentin e Turqisë demantoi konstatimet e mëparshme të ministrit të arsimit kinse në Kosovë ka hapur 200 shkolla të reja dhe urdhresën e tij: “Të mbyllen shkollat dhe shtypshkronjat shqiptare” e quajti “krejt në kundërshtim me parimet e Kushtetutës”. Shtypi i Rilindjes Kombëtare i dha publicitet të madh luftës parlamentare për shkollë shqipe të deputetëve shqiptarë dhe do të konstatojë se “më tepër zani stendor i Luanit të Prishtinës Hasan Beut” do ta trembi qeverinë “të urdhërojë që të mos ndalohet të hapurit e shkollave t’ona”. Ngjashëm do të shkruajnë edhe Shkreptima e Kajros dhe Dielli i Bostonit. Ato konstatonin se “kur u grumbulluen protestat e rrepta të shqiptarëve nga të gjitha anët, e të deputetve tanë e sidomos zani i rrebtë i Luanit të Prishtinës, Hasan beut, qi ngriti në Parlament duke qortua e duke stigmatizua paudhësit e qeveris në Shqipni do t’a ngushtoshin Stambollën të shifte padrejtësin e madhe qi po u bahej shqyptarëve, me gjith kte tha fjalën klasike të burokracis turke ‘jaglisht olldu’”.
Mbyllja e shkollave shqipe ishte zbatuar sipas urdhrit të Ministrisë së Arsimit më 5 shtator 1910, ku, ndër të tjera, theksohej: “Kjyveria dha urdhënin e nalt të mbyllen msimtoret të Shqypnis, për shkakun, se në këta u ipet msim me shkronja llatine, dhe sepse msuekan muslimant shqipëtar të premten”, kurse në Kosovë valiu i Shkupit dha urdhër “të ndjekën gjith ata që përpiqen për gjuhën âmtare”. Në vazhdim shtypi shqip konstatonte se “ka shum trathtor, cilvet u paguhet shum shtrejt mundimi për me trathtue e me çpif për popullin e pafajshëm”. Në këto rrethana antikushtetuese u ndalua i tërë aktiviteti kultural dhe u mbyll Shkolla Normale e Elbasanit. Premtimi i qeverisë se do të rihapet shkolla shqipe, që u dha pas shtrëngimeve të Hasan Prishtinës dhe të deputetëve të tjerë në Parlament, aty nga mesi i dhjetorit 1910, nuk do të realizohet shpejt. Mirëpo, kjo u dha dorë deputetëve shqiptarë të tubuar rreth Hasan Prishtinës dhe Dervish Himës që të afrohen midis tyre ngushtësisht dhe të lidhen edhe me personalitete të tjera të rëndësishme në jetën arsimore e publicistike shqiptare e otomane. Kështu mu në qendër të perandorisë formuan Shoqërinë Kulturale Botuese, e cila do të punojë në lokalet e gazetës Shqiptari, organ i Klubit Shqiptar Qendror. Meqë Hasan Prishtina ishte njëra ndër shtyllat e Komitetit Qendror, do të mbajë ndikim edhe në Shoqërinë Kulturale Botuese të Stambollit, e cila filloi punën aty nga fillimi i majit 1911. Është me rëndësi të konstatojmë se lufta e Hasan Prishtinës dhe e deputetëve të tjerë në Parlamentin e Turqisë për shkollën shqipe dhe alfabetin kombëtar, e zhvilluar nga fillimi i vitit 1911, ishte vetëm një premisë legale e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, përkatësisht e kryengritjes së vitit 1911.
Madje, Hasan Prishtina si diplomat i regjur në politikë, në seancën parlamentare më 2 maj 1911 e shtroi haptas kërkesën: “Të çelet një shkollë praktike bujqësore” në Kosovë - “që është një vend pjellor, i rrethuar me dy-tre shtete të huaja dhe që, si pikëpamja e popullsisë së shumtë dhe nga pjelloria e tokën si dhe nga gjerësia e tij, konsiderohet një nga vilajetet më të rëndësishme”. Qeveria turke e heshtur midis kërkesave arsimore të kryengritësve shqiptarë të vulosura me tytën e pushkës dhe të kërkesave gjithnjë e më të vendosura të Hasan Prishtinës dhe të deputetëve shqiptare patriotë, më 2 gusht 1911 shpalli lirinë e përdorimit të mësimit shqip dhe të alfabetit latin në shkollat private në Shqipëri, me kush që “I shênjti Kur’an dhe doktrinat islame nuk mund të mësohen veçse me gërmat arabishtë”.
Ndonëse këto koncesione nuk ishin të plota, megjithatë ishin sinjal i mirë se qarqet shoviniste turke e ballkanike antishqiptare po e humbnin pushtetin para Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në pjesën e parë të dhjetorit 1911 qeveria shpalli lirinë që vetë qytetarët shqiptarë të përcaktoheshin se me cilin alfabet do t’i mësonin fëmijët e vetë. “Vendimi i qeverisë është që gjuha shqip të mësohet me ato shkronja që të dojë popullit”. Organi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Kosovë, Shkupi i datës 21 dhjetor 1911, këtë vendim të qeverisë e priti me mosbesim, duke e komentuar vetëm me një fjali: “Shenjt Thoma: Pa pam me sy gjo s’besoj!”. Mirëpo, kësaj radhe qeveria turke ishte mbështetur për muri dhe ai që e gozhdoi për atë “muri”, - ishte deputeti revolucionar i Kosovës, Hasan Prishtina, i cili i kishte hyrë përgatitjes për fillimin e revolucionit kombëtar shqiptar, përkatësisht kryengritjes gjithëshqiptare për pavarësinë e Shqipërisë. Sipas iniciativës së Hasan Prishtinës, aso kohe, në Stamboll, në gjirin e Klubit Qendror, u formua një komision i ngarkuar me detyrë të mblidhte kontributet për mbajtjen e Normales së Elbasanit. Në këtë komision, pos Hasan Prishtinës ishin edhe senatori Sylejman Pasha dhe deputetët: Nexhip Draga, Gani Frashëri dhe Myfid be Gjirokastra, alias Libohova. Me qëllim që të siguroheshin mjete për rifillimin e punës të Normales së Elbasanit, Klubi Qendror i Stambollit, më 23 dhjetor 1911, e lëshoi në qarkullim një zëdhënie me të cilën kërkonte “dhunti t’atdhetarëve qi dishrojnë lulëzimin e guhes e t’mësimit” dhe u vinte në spikamë bashkatdhetarëve se “sa me idhnim t’madh e pritmë t’mbyllunit t’shkollës aq me gzim duhet t’a presim lejën e re qi na u dha”.
Në vazhdim të zëdhënies thuhej se “s’kemi gojë t’i kallxojmë damet qi ju banë vendit e kombit ton me t’mbyllunit t’ksaj shkolle, një ndalim qi ke jasht njerzijes e kundra çdo nomit”. Megjithatë, Shkolla Normale e Elbasanit, tempulli i diturisë më i dashur dhe më i shtrenjtë për Hasan Prishtinën, për mirëvajtjen e së cilës shkriu pasurinë e vet dhe luftoi trimërisht, filloi punën e vetëm më 5 (18) mars 1912. Në këtë kohë Hasan Prishtina gjendej në Vilajetin e Kosovës, duke përgatitur Kryengritjen e përgjithshme. Në njoftimin e Komisionit sundimtar të Normales së Elbasanit të datës 13 (26) mars 1912, ndër të tjera, thuhet: “Hapi dyert përpara nji shumice të madhe mësimorea “Normale”, e cila ndë zemrat e shqiptarëvet unji përfytyron qendren nga e cila do t’epet drita e qytetnimit e e dijevet nëpër Shqipënië”. Rihapja e shkollave shqipe, e klubeve shqiptare dhe e Normales së Elbasanit shënon fitoren e fundit të luftës së gjatë legale diplomatike të Hasan Prishtinës në Parlamentin e Turqisë, por edhe fillimin e jetës partizane e kryengritëse udhëheqëse të Hasan Prishtinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat