Çfarë na mëson Srebrenica?!

Opinione

Çfarë na mëson Srebrenica?!

Nga: Nga Dionis Xhafa Më: 12 korrik 2015 Në ora: 08:11

Srebrenicë, 11 korrik 1995. Ndërsa, shumica e njerëzve anekënd botës kredheshin në plazhe, në Bosnje kishte nisur lufta.

Në këtë qytet u shënua masakra e konsideruar më e rënda pas Luftës së Dytë Botërore.

Ushtria serbe, e udhëhequr nga Ratko Mlladiç ekzekuton mbi 8.000 burra e djem myslimanë të pafajshëm, duke shënuar kështu në kalander 11 korrikun si një ditë të zezë për Ballkanin dhe Evropën.

Srebrenica u vizitua nga Merkel dhe do të vizitohet gjithashtu nga liderë ballkanikë, evropianë dhe botërorë.

Srebrenica është dëshmi e asaj se nga historia duhet mësuar, që kurrë vepra të dhunshme e kriminale të së kaluarës të mos përsëriten, që qënia njerëzore kurrë mos veprojë kaq egër, kaq mizorisht.

Liderët e rajonit, të shteteve të kontinentit dhe të botës që e duan paqen kanë treguar solidaritet me viktimat e kësaj ngjarje të rëndë.

Por, se për fat të keq, solidaritet me viktimat nuk kemi parë as nga presidenti serb Nikoliq, as nga kryetari i Republikës Serbe, Milorad Dodik, por vetëm një gjysmë-ndjese nga Vuçiq, duke ndjekur kësisoj atë politikë serbe, të krenarisë boshe, krejt ç’njerëzorë të së kaluarës së errët të këtij shteti.

Së fundmi, Serbia kishte arrestuar persona përgjegjës për vrasjet e civilëve në Srebrenicë, duke kryer disi punë për një drejtësi të mundshme, e cila mbetet e pjesshme.

Njëjtë si Serbia, edhe Rusia, ndjek modelin politik ç’njerëzor, duke vendosur veto në OKB për të mos e njohur genocidin mbi myslimanët boshnjakë në rastin e Srebrenicës, term me të cilin e njeh masakrën BE-ja dhe SHBA-ja.

Srebrenica na mësoi, sesi kurrë njeriu nuk duhet të veprojë.

Srebrenica na mësoi, se regjimet gjakatare mund të triumfojnë për momentin, por se ata bien një ditë dhe nxihen nga historia.

Srebrenica na mësoi të bëhemi një me dhimbjen e njerëzve, më të paqtë, më njerëzor. Srebrenica nuk duhet harruar!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat