N'Luginë t'Preshevës po ushtojnë tupanat! - Bota Sot
N'Luginë t'Preshevës po ushtojnë tupanat!

Opinione

N'Luginë t'Preshevës po ushtojnë tupanat!

Nga: Shkruan: Nehat Hyseni Më: 11 shtator 2015 Në ora: 14:44

Zëdhënës i Referendumit të shqiptarve të Luginës së Preshevës, të 1 e 2 Marsit 1992, për "Autonomi politike e territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën".

Lugina e Preshevës po ushton! Kanë filluar të shkruajnë gazetat (serbe e shqiptare), të mbahen emisione televizive dhe të flitet me të madhe, se në Luginë të Preshevës, të shtunën, më 12 shtator 2015, me demek, do të bëhet "nami"!

Pra, këtë të shtunë është paralajmëruar se do të shpallet formimi i Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi!

Këtë kumtë na e japin burra të mëdhenjë nga Presheva e Bujanoci, të cilët para pothuajse tre vitesh, me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, e vendosën Lapidarin e UÇPMB-së në qendër të Preshevës, para ndërtesës së Kuvendit Komunal.

Atëbotë, kryetari i komunës së Preshevës, pa e pyetur e konsultuar askend, për të mos e ndarë me të tjerët lavdinë e namin, e pati vendosur Lapidarin (pa themel), të punuar nga një zanatli serb i Vllasotincës, afër Leskocit në Serbi. Madje ishte krekosur se askush s'guxon ta hjekë, se derdhet gjaku...

Por, Lapidari u hoq nga xhandarmeria serbe pa e mbushur një muaj dhe askush nuk e mbrojti atë, të dielën, më 20 janar 2013, kur Serbia e hoqi në mënyrë spektakulare.
Lapidarin nuk e mbrojti as Ragmi Mustafa, meqë e kishte zën gjumi në atë mëngjes të ftohët dimri.

Ashtu ndodhi edhe me komandantët trima, të cilët garonin me numrin e ushtarëve që e ofronin duke pirë makiato dhe ndonjë gotë çaj apo raki.

Ndër më të zëshmit prej tyre ishte edhe Jonuz Musliu, kryetar aktual i Kuvendit Komunal të Bujanocit, në koalicion me PD-në e Nagip Arifit dhe SNS-it të Vuçiqit, SPS-in e Daçiqit dhe Sveti Savën serbe, i cili merr rrogë aktualisht edhe për postin e kryetarit të KNSH-së së përgjysmuar, si këshilltar i vetëm i partisë së tij, duke balancuar "kantari e 7 plus 7 këshilltarve", kurse z. Musliu, si i pesëmbëdhjeti e kryeson ate?!

Tani për tani, Jonuz Musliu është me 7 këshilltarët e Nagip Arifit e Ragmi Mustafës, por nuk përjashtohet mundësia që me 7 këshilltarët e PVD-së së Riza Halimit, ta formoj mazhorancën tjetër dhe, kuptohet se përsëri ai do të jet kryetar.
Me demek, kah ta kthejsh e rrotullojsh, Jonuz Musliu do të mbetej kryetar!

Mbase, në bazë të "kontributit" që e dha ai për ta degraduar e gjymtuar KNSH-në, nga 29, në 15 këshilltarë! Hajde "patriot", hajde!

Pjesë e koalicionit për shpallje të AKSHS (Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi) është edhe PDSH e Ragmi Mustafës, i cili ka hequr dorë nga lobimi për kauzën e ish kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiqit, për"shkëmbim territoresh " midis Kosovës dhe Serbisë.

Pse z. Mustafa hoqi dorë nga ky lobim për Daçiqin?

Sepse, kësaj pune "i doli boja" në momentin kur vet Daçiqi doli botërisht me këtë "propozim" të tij, madje duke e paraqitur edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Me këtë Daçiqi ia mbylli gojën "patriotëve" si Ragmi Mustafa & company, se teza për ndarjen e Kosovës nuk ishte në interesin e shqiptarve, por ishte tezë thellësisht antishqiptare, në dëm të Kosovës dhe në interes të Serbisë.
Kështu, Ragmi Mustafa dhe partia e tij e humbën luksin e të qenit argat i politikës antishqiptare të Serbisë dhe njëkohësisht "patriot radikalë" shqiptarë.
Me këtë veprim ata e dëmtuan tmerrësisht çështjen e shqiptarve në Luginë dhe Kosovë, duke u bërë varrëmihës të vërtetë të nismave ndêrkombëtare, e sidomos të USAID-it Amerikan për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Kështu, para dy vitesh e gjysmë, Ragmi Mustafa do ishte kategorik kundër deklarimit të Zëvendëskryeministrit të Kisovës, z. Hajredin Kuçi, për mundësinë dhe nevojën e formimit të Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi, si pandan i formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë!

Nuk e dijmë se çka e shtyri z. Ragmi Mustafa që të ndërroj mendjen dhe të veproj diametralisht ndryshe: nga kundërshtari kategorik kundër këtij Asociacioni, të shndërrohet në mbështetës, madje edhe në njërin nga nismëtarët për formimin e AKSHS?!

Mos vallë po përsëritet i njejti avaz si me "shkëmin e territoreve" të Daçiqit, si dhe me çështjen e Lapidarit, që u vendos dhe pastaj u la në baltë, i pambrojtur?

Skenarët e të tre rasteve, dmth i "shkëmbimit të territoreve", pastaj i vendosjes së Lapidarit dhe tani i formimit të AKSHS-ës kanë një emërues dhe ecuri të përbashkët: mospërfilljen e faktorit shqiptar të Luginës dhe moskoordinimin e punës me Prishtinën dhe Tiranën zyrtare, si dhe koincidencën trishtuese me politikën antishqiptare të Serbisë ndaj Luginës së Preshevës, Kosovës dhe Shqipërisë, që është duke u realizuar (edhe kësaj here) me parulla kuazipatriotike shqiptare, kurse në prapavi janë thellësisht antishqiptare që dyshohet se edhe kësaj here mund të jenë të inicuara dhe të koordinuara nga Serbia.

Aleati i tretë i këtij marifeti është PD e Nagip Arifit, që është kryetar aktual i komunës së Bujanocit, në koalicion ashtu si edhe Jonuz Musliu, me SNS-in e Vuçiqit, me SPS-in e Daçiqit dhe me "Sveti Sava"-n.
Ky qëndron në prapavi, ashtu si veproi edhe në dy rastet e tjera, dmth me "shkëmbimin e territoreve" dhe me Lapidarin.
Por, nuk na sqaron se a do të mund të aprovohet AKSHS në kuvendin e komunës së Bujanocit, me aletatët serbë që i përmendëm?
CIRKU POLITIK

Në fund, krejt kjo çështje i ngjet një cirku politik, ku Jonuz Musliu e luan rolin e kryeklounit, meqë nuk e miraton këtë vendim mbi formimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi, nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarve, që njihet zyrtarisht nga Serbia dhe ndërkombëtarët, kryetar i të cilit është vet Jonuz Musliu, dhe vendimet e tij do merreshin më seriozisht dhe do ishin legjitim.
Por, për habinë e të gjithëve, ky vendim i lihet një organi jolegjitim, që nuk njihet as nga Serbia dhe as nga BE, meqë përbëhet nga këshilltarët komunal dhe nuk është konstituuar në organ përfaqësues të shqiptarve të Luginës së Preshevës.

Madje, nuk ka as staf profesional, as buxhet dhe as seli e zyre, ashtu si ka KNSH, të cilin aktualisht e udhëheq Jonuz Musliu.

Pse është duke na u përsëritur ky cirk politik për të tretën herë, tani, në këto momente dramatike, dhe kujt, vallë, i shërben ai?!

Tani dihet me siguri se shqiptarët e Luginës edhe kësaj radhe, ashtu si me djallëzinë e kauzës serbe të Daçiqit lidhur për "shkëmbim territoresh", si dhe me marifetin e vendosjes (por jo dhe të mbrojtjes) së Lapidarit, nuk janë unikë. Për ditën e shtunë në Luginë do të mbahet mbledhja e Kuvendit të PVD, si dhe mbledhja e Kuvendit të Këshilltarve shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, pa këshilltarët e PVD-së, në të cilën do të merret vendimi mbi formimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi, pa konsultimin me PVD-në dhe shoqërinë civile, si dhe me Prishtinën dhe Tiranên zyrtare, e as me miqtë tanë ndërkombëtarë dhe me Unioni Europian!

Pra, në Luginë të Preshevës po ushtojnë tupanat, por se për kend po bijnë, mjerisht, tani për tani, këtë askush nuk mund ta thotë?!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...