Nënë Tereza, shqiptarja e shenjtë

Opinione

Nënë Tereza, shqiptarja e shenjtë

Nga: Faton Mehmeti Më: 2 shtator 2016 Në ora: 13:13
Faton Mehmeti

Nënë Tereza do të jetë shenjtëri ditën e diel më 4 shtator 2016. Papa Francesko ka firmosur  dekretin e shenjtërimit të Nënë Terezes, event që do të mbahet në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Ndryshe nga sa kishte kërkuar Kisha Katolike Indiane, ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës do të jetë eventi kryesor i Viti Jubilar të Mëshirës në Vatikan. Nënë Tereza do shenjtërohet 13 vite pas Lumturimit nga Papa Gjon Pali II-të.

Po kush ishte Nënë Tereza?

Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut (Nikollë Bojaxhiu) me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. U Lind në Shkup, të Shqipërisë së pushtuar prej Perandorisë osmane, sot Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, më datë 26 gusht 1910. Shkupi i merret Shqipërisë prej Maqedonisë më 1 Janar 1918 ne baze te traktatit te Versajës. Frikë të madhe kishte nënë Drania mos Gonxhja i vdiste menjëherë pas lindjes, sepse me trup dhe shëndet dukej e dobët. Gonxhja kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai quhej Lazër Bojaxhiu kurse motra quhej Age Bojaxhiu. Babai i saj merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e tij artistë dhe patriotë shqiptarë.

Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin tre: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë. Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë. Ky ishte momenti kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm pas 30 vitesh, do të takohej me të vëllanë, Lazrin. Kurse nëna Drania dhe motra Age, shkuan në atdhe, në Shqipëri, qysh para Luftës së Dytë Botërore.

Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës. Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Saimir Lolja në studimin e tij për këtë shqiptare të madhe , shpejgon faktet se “Nënë Tereza haste vështirësi për të folur rrjedhshëm Shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi ne ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj shqiptare ”. Kur ishte e re jo vetëm ka folur, por ka shkruar edhe poezi në gjuhën Shqipe. Në çastin e marrjes se Çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”.

Nënë Terezës, për të ardhur në Shqipëri iu desh të dërgonte tri letra. Ajo i kish dërguar më parë letër Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet me Jashtë, por nuk mori kurrë përgjigje. Ja se si e shpjegon Lolja letrën e të madhes Nëna Terezë dërguar Presidentit të Republikës në vitin 1989, te cilit i theksonte se: “për 60 vjet kam vizituar shumë e shumë vende jashtë atdheut tim”, që është edhe një fakt se ajo e konsideronte Shqipërinë atdheun e saj. Me ne fund, e para pasaportë (për këtë rast ishte diplomatike) e dhënë për nënshtetas të huaj me origjinë shqiptare iu dha pikërisht Nënë Terezës, e cila vizitoi Shqipërinë me 1989. Nënë Tereza kishte gjithashtu pasaportë nga India, Vatikani, Britania e Madhe dhe Italia. Kur i thanë për pasaportën Shqiptare ajo u përgjigj: “E pranoj me kënaqësi, sepse është pasaporta e vendit tim; atje kam nënën dhe motrën, atje kam miq e të njohur, atje shumë shpejt do të hapim misionin tonë e unë do të jem vetë aty”. Kur mori çmimin Nobël në vitin 1979, amerikanët i ofruan nënshtetësinë amerikane dhe pasaportën, por ajo nuk pranoi.

Nënë Tereza urë ndërlidhëse e shqiptarëve në botë

Nënë Tereza u bë kultura më e lartë ndërlidhëse e njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Clinton ka thënë botërisht në qershor 2002: “Nënë Tereza, ishte e para Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar ” .  Duke qenë shqiptare Nënë Tereza nuk i përket vetëm Shqipërisë, guacka etnike do ta kufizonte. Gonxhja u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Vetëm sipas të dhënave të vitit 1980, ajo ishte kujdestare e 7 500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekonte 960 000 të sëmurë në 213 spitale, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 000 viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh dhe kishte birësuar 160 fëmije jetimë.

Nder titujt që i janë dhëne Nënë Terezës përmenden: Pamada Shir; Gjoni XXIII për Paqe, të cilën ja dorëzoi personalisht Papa Pali VI; Samaritani i Mirë, në Boston; Shpërblimi Ndërkombëtar John Kennedy, në Uashington; Nëna e të Gjitha Nënave, Balzan; Çmimi Nobel për Paqen; Medalja e Lirisë, shpërblimi më i lartë amerikan; Medalja e Paqes, shpërblimi më i larte i Rusisë; etj.

Pretendimet sllave për origjinën e saj

Ndërkohë në Maqedoni është botuar një monografi se Nënë Tereza është maqedonase!!! Një gjë të tillë dëgjova një ditë në Alsat për origjinën/dyshimet dhe spekulimet që i bëjnë të tjerët lidhur me origjinën e saj. Sipas gazetës Washington Post, 16 Tetor 2003, deklarohet qarte se Nënë Tereza ka lindur ne Shkup ne kohen kur nuk kishte FYROM dhe Shkupi është qytet i perandorisë Otomane. Me tej rithuhet fjala e Nënë Terezës qe sipas gjakut ajo është Shqiptare. Gjithashtu, gazeta shkruan se para disa viteve një skulptor sllavo-maqedonas krijoi një shtatore të Nënë Terezës, me mbishkrimin thjeshte si një bijë e Maqedonisë, për ta dërguar në Romë me rastin e saj te shenjtërimit. Por, zëri i bashkuar i Shqiptarëve në lidhje me origjinën kombëtare të Nënë Terezës bëri që ai skulptor ta harronte ëndrrën që pati.

Para meje kam librin e Kathryn Spink i përkthyer në gjermanisht dhe biografia është e autorizuar nga Nënë Tereza. Origjinali është në anglisht. Aty thuhet se babai i Nënë Terezës ishte një nacionalist shqiptar i cili angazhohej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe krijimin e Shqipërisë së Madhe, për këtë ai kishte shkuar në Beograd tok me konsullin italian. Kishte shkuar atje me një shëndet shume të mirë dhe u kthye prapa i shtrirë për vdekje. Ai i kishte 45 vjet kur vdiq. Mjeku dhe anëtarët e familjes ishin të bindur se Nikola ishte helmuar ne Beograd.

Janë shkruar e shkruhen edhe sot e kësaj dite me qindra vepra për të madhën Nëna Terezë, por të gjitha flasin në të vërtetën se ajo ishte shqiptare, siç e ka deklaruar edhe vetë.

Shenjtërimi i saj  nderon popullin shqipëtar dhe ngreh lart humanizmin e shqipëtarëve të shfaqur ndër shekuj...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat