“Mirë që në Siri apo Afganistan ka luftë, po në Shqipëri çfarë po ndodh”?!!!

Opinione

“Mirë që në Siri apo Afganistan ka luftë, po në Shqipëri çfarë po ndodh”?!!!

Nga: Petrit Kuçana Më: 17 shtator 2016 Në ora: 13:48
Në Britani azilantët shqiptarë në vendin e tretë, çfarë po ndodh në Shqipëri?

Pyetja se “çfarë po ndodh në Shqipëri” mbetet katërçipërisht retorike e që çdo ditë pasurohet me statistika që i kalojnë shifrat e të pabesueshmes.  Nuk është thjesht tabloja e emigrantëve shqiptarë të strehuar nën tenda në brigjet franceze dhe as lajmet për “kapje shqiptarësh” që kërkojnë të ikin në Britani, duke përdorur rrugë dhe mundësi që shkojnë nga maunat e nisura nga vende të largëta, e deri tek tentativat për ardhje nëpërmjet identiteteve të tjera.

E sërish kjo pyetje ngrihet kur statistikat britanike dëshmojnë se shqiptarët, saktësisht fëmijët shqiptarë që kërkojnë azil, zënë vendin e tretë. Askush nuk ka ndonjë statistikë për shqiptarët e ardhur rishtaz në ishullin britanik, por pamundësia për t’i rikthyer ata që kanë fatin të jenë nën 18 vjeç, u jep atyre hapësirë për t’u regjistruar si azilantë në Mbretërinë e Bashkuar.

Kaq kryeneçe vazhdon të jetë kjo pyetje, saqë i zë ngushtë edhe shqiptarët e këtushëm, sidomos ata që punojnë me institucionet britanike, ata që kanë shoqata apo organizata, përkthyes, apo ata të “fostering”. Mirë që në Siri apo Afganistan ka luftë, po në Shqipëri?!!!

A duhet të jetë “vendi i tretë”,   këmbanë alarmi që të  shkundë nga përgjumja ministra e deputetë, klasën politike në tërësi? Fatkeqësisht “vendi i tretë” vazhdon të mbetet një lajm, tashmë i stërpërsëritur, (jo vetëm për emigrantët që mësyjnë Britaninë), lajm që me patjetër harrohet në ditën e tretë, që demagogjia e “të bërit shtet” ambalazhon çdolloj pasoje sociale që në kushte normale konsiderohet katastofike.

Për rrjedhojë zbrazja e Shqipërisë, është një fenomen kaq normal, i gjithëprekshëm në çdo cep, ku të ikurit nuk është më sfidë, por thjesht rrugëzgjidhje dhe as që mund të imagjinohet të ketë ndonjë dritë shprese, sidomos për rininë, (madje as për ata nën 18 vjeç) që kanë shansin të regjistrohen dhe s’mund të kthehen.

Slogani që “punë ka por duhen profesionistë”, është kthyer në një tragjikomedi që shikohet  çdo ditë e që duket që fatkeqësisht po “zbatohet” më së miri në Britani. 

Nuk kanë të reshtur lajmet për kapjen e shqiptarëve, si trafikantë droge.  Raportet e institucioneve britanike bëhen gjithnjë e më të frikshme, kur qartësisht “zotërojmë” shifrën 20% e të dënuarve të Evropës Lindore, (deklaruar nga ministri i drejtësisë Britanike në kohën e fushatës BREXIT).  E dhimbshme.

Rinia shqiptare po mbush burgjet britanike, çdo ditë... Britania nuk është më ajo e mëparshmja, e kohës së artë, ku ndihmat sociale apo gjetja e banesës ishte një detyrë shtetërore. Tashmë askush nuk ka të drejtë të strehojë një emigrant të paligjshëm, aq më tepër ta punësojë atë.

Megjithatë Britania mbetet “molla e ndaluar”, edhe pse çmimet e biletës “one way” mbi Lamansh kapin shifra marramendëse.  Tashmë nuk shtrohet më pyetja se si ka mundësi që prindërit “përcjellin” fëmijët e tyre akoma pa mbaruar 8-vjecaren, ashtu siç mbetet tmerrësisht e vështirë përgjigja se çfarë po ndodh në Shqipëri.

 Mjafton të shikohen mosha e të dënuarve shqiptarë në Britani apo vitet që do të vuajnë dënimin për të plotësuar tablonë e tragjikes.     Po a ka një strategji shteti për këtë gjendje, apo saktësisht për këta emigrantë të ardhur rishtas në Britani?

Fatkeqësisht jo. As që bëhet fjalë, as që është dëgjuar në foltoret e parlamentit, apo në institucionet e tjera shqiptare. As që do t’ia dijë njeri për ta, ndonëse është detyrim kushtetues... Është për t’u përgëzuar puna e jashtëzakonshme e shoqatave shqiptare të këtushme, dhe ai që quhet shtet, ka munguar tërësisht.  Mbi dhjetë herë ka qenë kryeministri në Londër, asnjëherë nuk i interesua për ta, asnjëherë nuk gjeti pak minuta kohë qoftë edhe për të dëgjuar se çfarë po ndodh me këta shqiptarë.

E krejt e pakuptimë duket edhe ftesa për një samit të diasporës, që i ngjan më tepër si; “m’ka çu nana me e la gojën”...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat