Arif Vladin, Serbia e dënoi në Begrad, Hashim Thaçi e dënoi në Tiranë

Opinione

Arif Vladin, Serbia e dënoi në Begrad, Hashim Thaçi e dënoi në Tiranë

Nga: Gëzim Loka Më: 5 tetor 2016 Në ora: 15:13
Arif Vladi

Ardhja për herë të parë në Tiranë e Hashim Thaçit si president i Kosovës na gëzoi të gjithëve, aq më shumë gëzoi 15 njerëz të letrave, të artit muzikor, gazetarisë  e kulturës, që u dekoruan prej tij.

Kjo listë është një nder që i bëhet Shqipërisë, e cila në luftën e Kosovës ka mbajtur një peshë të rëndësishme në  gjithçka, që nga kontributet morale, ne sistemimin e mijera te ikurve nga barbaria e deri ato direkte në frontin e luftës.

Por më çuditi që ndër të dekoruarit mungonte emri i këngëtarit të shquar Arif Vladi. Kur flasim për këngën shqiptare me tematikë Kosovën, të gjithë e identifikojmë këtë me emrin e tij.

Këngëtari dibran, me këngën e tij, me aftësinë jo vetëm për të kënduar por dhe për të ndjekur ritmet kulturologjike të botës shqiptare, e kalon Dibrën, e kalon Shqipërinë, Kosovën, Çamërinë dhe mbetet një këngëtar simbol lirie e bashkimi ndër veti të të gjithë shqiptarëve kudo që punojnë e jetojnë, në trojet e tyre etnike, apo jashtë, në dhe të huaj.

Që kur doli për herë të parë në skenë e gjer më sot, ai ka kënduar qindra këngë, por në këngët për Kosovën ka shkëlqyer me sharmin e një zëri unik, zëri kushtrimtar.

Vladi iu këndoi dje dhe iu këndon sot, me të njëjtën forcë shpirti, talent dhe gjallëri, viseve të Kosovës, luftës epokale për liri e dinjitet shoqëror, figurave, heronjve, veteranëve të mbushur me plagë e dhimbje, këngë që me kalimin e viteve jo vetëm nuk ia ka shterur kumti e mesazhi, por janë bërë më të freskëta e më aktuale se kurrë. Në skenat e qyteteve të Peshkopisë, Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Gjakovës, në sheshet e pragluftës për liri, në diaspoën shqiptare në Europë e SHBA, emri i Arif Vladit ka udhëtuar bashkë me këngën për Kosovën, është bërë pjesë e vizionit të shoqërisë shqiptare për artin dhe kulturën elitare. Arifi ishte dhe mbeti një zë i artit të fuqishëm e dehës, që ua ka mbushur shpirtin bashkëkohësve për rreth katër dekada me hapësirat e virgjëra të lirisë.

Duhet thënë se kulmi i karrierës së tij si këngëtar do të arrinte në vitet e qëndresës dhe lavdisë së popullit të Kosovës, nën udhëheqjen e UÇK-së dhe koalicionit perëndimor për të shporrur nga trojet shqiptare të Kosovës pushtuesin serb. Këngët etij si “Marrshi I UÇK-së”, “UÇK-ja shpat më shpat” etj u bënë hite dhe pjesë e ritme të përndezura të qëndresës së madhe të Kosovës martire ndaj barbarisë së fundit sllave në Ballkan. Këto këngë me autorë tekstesh poetë të mirënjohur si Gjokë Beci, Naim Plaku, me kompozitorë virtuozët Edmond Zhulali, Përparim Tomçini e të tjerë janë jo vetëm kulme artistike të këngëtarit Vladi, por dhe një angazhim i drejtpërdrejtë dhe aktiv i tij në valët e asaj lufte të madhe që do të sillte lirinë dhe pavarësinë e Kosovës sonë. Arifi ka marrë pjesë në shumë festivale folklorike kombëtare, duke fituar dhe mjaft çmime e duke shpalosur në çdo rast për artdashësit magjinë e zërit të tij të fortë dhe plot ngjyrime jetësore e kombëtare.

 Arif Vladi është vetë zëri i ngrohtë i tokës së tij, zëri i ndërgjegjes estetike të popullit, zëri në nota e tiunguj magjikë i Kosovës, është vetëdija e një arti elitar që i shërben fisnikërimit të kombit, maturimit të ndërgjegjes shoqërore, emancipimit të njeriut dhe fisnikërimit të ndjenjave më të bukura humane.

Për shkak të këtij kontributi, Arif Vladi është dënuar politikisht dhe juridikisht nga shteti I Beogradit, të cilët e kanë akuzuar për nxitje të terrorizmit në Koosvë etj.

Nëse Serbia e dënoi në Beograd këngëtarin Arif Vladi, Presidenti i Kosovës, për të cilën ai dha gjithçka të shpirtit dhe talentin e tij, e dënoi në Tiranë. Dënimi me heshtje dhe refuzim është ndoshta më i rëndë se dënimi me gjykata e trupa gjykues dhe këngëtari ynë me të drejtë ndihet i fyer dhe e mënjanuar, i zhgënjyer por jo i dekurajuar për të vazhduar t’i këndojë ende Kosovës dhe Shqiptarisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat