Përse Nikollë Lesi i prish punë Ilir Metës?

Opinione

Përse Nikollë Lesi i prish punë Ilir Metës?

Nga: Arben Llalla Më: 21 tetor 2016 Në ora: 12:58
Arben Llalla

Nikollë Lesi, ish-deputet demokristian, është i mirënjohur në media për aftësinë e tij të krijojë stuhi në gotë, të cilat i konvertonte në kopje gazete. Por, nuk është shumë i mirënjohur në rolin e këshilltarit politik. Sipas parimit të Makiavelit princi i mirë është ai që zgjedh këshilltarë të zotë. Në këtë pikë Ilir Meta ka gabuar, sepse nuk e ka qëlluar mirë sa duhet këshilltarin. Me ç’duket Makiavelit nuk ia ka haberin as kreu i LSI-së, jo më Nikolla.

Kjo, sepse librat duhen lexuar, jo parë nga jashtë. Nejse, kjo është temë tjetër. Gazeta “Koha Jonë”, e cila drejtohet nga Nikollë Lesi bën një shkrim që në pamje të parë ngjan me një këshillë për kryeministrin Edi Rama se investimi për PDIU-në është i kotë. Në fakt, Nikolla ka të drejtë.

Është investim i kotë, sepse nuk ka investim fare. Kreu i qeverisë së Tiranës ka deleguar aspak pushtet tek ajo që Nikolla e quan parti çame, megjithëse po fiton beteja politike të mirëfillëta me këtë parti. Këshilla e Nikollë Lesit do të kishte kuptim dhe do të hante debat, nëse thuhej që Shpëtim Idrizi nuk duhet të investojë tek ky koalicion, sepse është investim i kotë. Në këtë rast polemika mund të ishte e shëndetshme, argumentet pro dhe kundër mund të ishin interesante për të gjitha qëndrimet e larmishme. Por, Nikollë Lesit miku i tij që i ka marrë përsipër shpenzimet sezonale, nuk ia ka shpjeguar si duhet këndvështrimet.

Më e keqja, kështu si artikulon “Koha Jonë” këshillën prish punë. I prish shumë punë, madje porositësit të shkrimit, sepse ngjan sikur LSI po i lutet Edi Ramës që të bëjë koalicion veç me të. Duket LSI-ja si e dashur e braktisur që po përzvalet në pikëllim. Nikollë Lesi tenton të luajë rolin e parashikuesit, kur nis e mat forcën elektorale të PDIU-së, duke u munduar ta kufizojë si parti krahinore e fokusuar vetëm në një problem, Çështjen Çame.

Me thënë të drejtën Nikolla nuk është shquar ndonjëherë për kalkulime të mira politike. Përherë është bërë me humbësin dhe ka shkuar tek fituesi me një kohë vonesë. Me Ilir Metën grindej, kur ai ishte i fuqishëm si kryeministër. Merrte mendt’ e Blushit dhe hapte sherr me Nanon, Metën e Berishën. U bë deputet, pasi e uroi kundërshtarin për fitoren sikur me qenë amerikane dhe më pas u tërhoq që të merrte një mandat të vjedhur.

U bashkua me Berishën, pasi e sulmoi në familje dhe ky me mund të madh e bëri zëvendësministër kulture, ku zyrën e kishte më të vogël se kabina e rojes në gazetën që drejton sot. Pra, me pak fjalën Nikollë Lesi shpesh ia fut kot, por kjo nuk përbën më lajm.

Ku ta di Nikolla që PDIU është forca e dytë në Tropojë dhe jo më që për pak ditë PDIU themelon degën e saj në Dropull. Nga ta di Nikolla që në Lezhën e tij këshilli bashkiak varet nga këshilltarët e PDIU-së dhe së shpejti do të ketë një deputet të kësaj partie. Kuptohet një deputet që nuk do të jetë Nikolla.

Ndaj, mirë është të këshillojmë Nikollën me dy fjalë miqësore: Honoraret meri se duhen, por mos i prish punë atij që të paguan. E ke dëmtuar shumë Ilir Metën me këshillën që i ke dhënë Edi Ramës, sepse duket sikur kryetari i Kuvendit po qahet, po lutet. E kupton sa shumë ia ke ulur stekën?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat