Alfabeti dhe gjuha kërkojnë shëlbimin tonë

Opinione

Alfabeti dhe gjuha kërkojnë shëlbimin tonë

Nga: Mr. Delvina Kërluku Më: 13 nëntor 2016 Në ora: 14:34
Mr. Delvina Kërluku

Kur erdha unë në këtë jetë, Kongresi i Shkronjave i kishte mbushur 80 vjet. Moshë e re për historinë e arsimit të botës së përparuar, por mjaft e madhe për historinë e shkollës sonë kombëtare. Por, sapo shkela në pranverën e 7-të, nisa të mësoj abc-në, në shkollën e qytetit tim të vogël e me histori të bujshme. Atë ditë vjeshte, rrugët e vendlindjes sime ishin ngjyrosur me të verdhën e artë. Gjethet e pemëve kishin mbuluar edhe pëllëmbën e vetme të tokës.

Dukej si një qilim manifakture, si ata që prodhonte Qilimara e famshme (fabrika e qilimave të qytetit tim).  Një erë e ftohtë ma “rrihte” fytyrën time të pafajshme. Skutat e shpirtit tim atë ditë i kishte pushtuar një galdim i pashpjegueshëm. Oborri i shkollës zhurmonte nga kori i zërave të fëmijëve të gëzuar. Më kureshtarët ishin ata të klasës së parë. Klasa jonë kishte vend për 36 nxënës. Aq sa kishte shkronja alfabeti i gjuhës sonë, që shumica e filloristëve nuk e dinin. Unë po. Edhe nënën edhe babën mësues i kisha. Në orën e parë mësuam shkronjën A. Shkronjën e parë të Alfabetit dhe shkronjën e parë të Atdheut, të Abetares . ..

Ora e parë e ditës së parë kaq zgjati.

Im atë, i cili qëndronte te pragu i derës së shkollës, më kapi përdore dhe, kështu të kapur për dore, bëmë rrugën për në shtëpinë tonë. Gjatë rrugës ai më tha se, Atdheu është vendi ku kemi lindur e jetojmë ne, dhe ku kanë jetuar të parët tanë; vendi ku banon prej shekujsh një komb. Ma tha edhe këtë, që unë nuk e kisha ditur. Atdheut, para se ti thoshim Atdhe, i kemi thënë Mëmëdhe. Sa bukur, mendova unë: edhe vend i babës edhe vend i nënës! Derisa kishim bërë  gjysmën e udhës, ai ma rrëmbeu çantën nga krahu, për të më lehtësuar nga pesha e librave dhe fletoreve. Nga frika se mos po më humb, Abetaren e mbaja në dorë. Në dorën e majtë, se me të djathtën mbaja dorën e babait. E mbaja fort Abetaren e gjuhës shqipe, gjuhës së nënës. Im atë më hodhi një shikim, syri i qeshi. Lëshoi një oshtimë të lehtë, sa për të më thënë: Kujdes bijë, e kemi të shenjtë gjuhën tonë! Kështu shpjegohet fakti që për Abetaren, njerëzit e kombit nuk lëshojnë psherëtima koti, as ah-e sentimentale, as i bien gjoksit me grushte, as qahen e hakërrehen, as .... Jo ai bën tjetër gjë, e ngre sokëllimën gjer në qiell. Për vuajtjet e të parëve, brezave pafund, duhet pasur respektin dhe nderimin dinjitar.

Atëbotë, tim atë nuk e kuptoja, kur më fliste e më këndonte vargje. Bota e tij poetike ishte një mjet i fuqishëm mbrojtjeje ndaj superstrukturës turko – islamike; serbo – sllave, ndaj asaj barbarie të pashembullt, obskurantizmit dhe injorancës orientale, që pllakosi si një duhmë mbi vendin tonë fill pas vendosjes së pushtimit.

Hallet e shtëpisë sonë, ishin të njëjta me hallet e popullit tonë. Edhe pas ardhjes së partizanëve komunistë, e vërteta për historinë tonë dhe kauzën tonë, fshiheshin me të gjitha mjetet e mundshme. Na imponoheshin do të vërteta të huaja, të shtrembëruara, të rreme ... Dëshira dhe nevoja për të vërtetën tonë sa vinte e rritej. Te të gjithë, por veçmas te inteligjencia e brishtë dhe e pakët. Edhe te nxënësit patjetër. Kishte etje. Edhe unë kisha. Autobiografinë e vetvetes, apo popullit tim, nuk e gjeja kund. Baba ma thoshte me gjuhën e fshehur të Ezopit dhe me gjuhën e tij të trembur.  Në mungesë të një biografie, im atë mori përsipër të ndreq antenën klandestine, për të më udhëzuar t’i drejtoja sytë kah Tirana, kah Televizioni Shqiptar. Shpresa dhe mbështetja jonë për të parë pak dritë të vërtetë historike, pak art e pak kulturë kombëtare. Se mjetet e këtushme të informimit, si dhe librat e shkollës sonë, ishin (bile edhe janë) me histori e kulturë të atij tjetrit...

Në një nga netët e asaj kohe, mbase e ditës së parë të shkollës, në televizor u shfaq filmi “Udha e shkronjave”! Mbamendja ma përsërite dialogun e Dhaskal Todrit me Tungjin, dy personazhe të filmit. Kur ky i fundit e pyet nëse arkat e tij mbajnë flori, Dhaskali përgjigjet: “Janë flori e shkruar floririt! Janë shkronja, o bir! Me to do të shkruhet gjuha jonë, do të bëhen shumë libra, do të mësojnë fëmijët, të bëhen njerëz të ditur, e ç’nuk do të shkruhet edhe ajo kënga që more buzë lumit atje, do të shkruhet”. E si shkruhet kënga, e pyet Tungji. I dituri i përgjigjet se Kënga ka fjalë e fjala shkruhet në kartë. Dhe se të huajt duan të na e varrosin gjuhën tonë dhe këngët dhe kujtimin e trimave. Këto shkronja do t’i mbajnë gjallë. Tungji pohon duke thënë që qenkan vërtet flori. Floriri tretet dhe humbet, kurse gjuha edhe kënga mbetet përjetë, ia kthen Dhaskali. Mësuesi Dhaskal Todri, një patriot, i cili kishte shkuar jashtë shtetit për të siguruar shkronjat shqipe, duke lënë gjithë pasurinë e tij për shkronja. Me kthimin e tij në atdhe, armiqtë e tij nuk ishin të kënaqur. Tunxhi një karvanxhi i thjeshtë e shoqëron ngarkesën dhe nuk arrin ta kuptojë dot patriotin, se përse kishte kaq shumë vlerë e gjithë kjo. Mësues Dhaskal Todri nuk pati mundësinë të arrijë në vendlindje, pasi armiqtë e gjuhës shqipe e vrasin mësuesin patriot.

Historia na mësoi se sa përpjekje kanë bërë të parët tanë që të rrojë gjuha shqipe. Përpjekja për krijimin e alfabetit tonë, gjithashtu, shëmbëllen me krijimin e vargmaleve. Përbrenda tij kanë ndodhur lëkundje, rrënime, riformime, ashtu si në formimin e tokës. Autobiografinë e popullit tim e lexova në vargjet e poetëve, e shikova në filmat shqiptarë. Lashtësia e gjuhës shqipe, e pranuar nga autoritetet shkencore dhe akademike botërore, dëshmon njëkohësisht lashtësinë e kombit, popullit shqiptar, që e ka krijuar, e ka folur, e ka zhvilluar dhe e ka ruajtur deri në ditët tona. Sot duhet thënë se gjuha shqipe, në anët tona, akoma nuk e gëzon kujdesin e merituar. E kemi mbushur me barbarizma (disa i ka imponuar gjuha sllave e administratës) të panevojshme. As si individë, nuk bëjmë kujdes, por as si institucione: mjafton t’u hidhet një sy librave tanë (artistikë a shkencorë qofshin), veçmas përkthimeve çoroditëse, që vetëm shqip s’janë. Kuvendi ka miratuar Ligjin për mbrojtjen e maqedonishtes. Dhe shumë mirë ka bërë. Por përse këtyre deputetëve tanë nuk u intereson gjuha e nënës së tyre? Përse ajo lihet e pambrojtur. Lihet jetime!

Ky përvjetor i Alfabetit le të jetë një rast i mirë për të reflektuar sadopak. Edhe për ndërtesën e Kongresit në Manastir. Ajo është për faqe të zezë të pushtetit (edhe tonën).

Të lutemi dhe të punojmë të gjithë për shëlbimin e gjuhës (dhe Alfabetit) tonë. S’ka detyrë më të shenjtë se mbajtja gjallë dhe përparimi i gjuhës tënde!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat