Republika e Maqedonisë dhe trojet etnike shqiptare

Opinione

Republika e Maqedonisë dhe trojet etnike shqiptare

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 30 dhjetor 2016 Në ora: 18:13
Abdulla Mehmeti

Me krijimin e Republikës së Maqedonisë në vitin 1944, sidomos pas pavarësimit si shtet i mëvetësishëm në vitin 1991, e deri më sot, e tërë strategjia e aparatit shtetëror të saj ka qenë e orientuar në pengimin e zhvillimit normal të popullit shqiptar, si përbërës kryesor i këtij shteti, e sidomos në mosnjohjen e statusit juridik-kushtetues e politik, i cili sipas të drejtës ndërkombëtare u takon popujve që përbëjnë shumicë të konsiderueshme në një shtet me përbërje të përzier të popullsisë.

E drejta e natyrshme e popullit shqiptar për të qenë element konstituiv (shtetformues) në këtë shtet, para së gjithash mbështetet, sipas të drejtës etnike dhe historike, në autoktoninë, numrin e popullsisë dhe vazhdimësinë e përpjekjeve për krijimin e këtij shteti, si dhe në fakte të tjera të pakontestueshme. 

Marrëveshja e Bukureshtit e mbylli çështjen maqedonase në Ballkan

Me Marrëveshjen e Bukureshtit, të njohur si marrëveshje e paqes mes palëve ndërluftuese në Luftën e Dytë Ballkanike, të nënshkruar më 10 gusht 1913, mes Serbisë, Malit të Zi, Rumanisë dhe Greqisë, në njërën anë, dhe Bullgarisë në anën tjetër, territori gjeografik i njohur me emrin Maqedoni u nda në atë mënyrë që, pjesën më të madhe të tij, përkatësisht pjesën e ashtuquajtur Maqedonia e Egjeut, me sipërfaqe prej 34.356 km2 e morri Greqia, pjesën e Maqedonisë së Vardarit, me sipërfaqe prej 25.342 km2, e morri Serbia, ndërsa pjesa e quajtur Maqedonia e Pirinit, me sipërfaqe prej 6.798 km2  iu dha Bullgarisë.

Duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e territorit të njohur historikisht me emrin Maqedoni, përkatësisht, pjesa e quajtur Maqedonia e Egjeut, aktualisht është pjesë e territorit shtetëror të Republikës së Greqisë, prandaj, ky shtet e ka ngritur kontestin mes dy shteteve fqinje për legjitimitetin e përdorimit të emrit Maqedoni, i cili nuk ka gjetur ende zgjidhje, edhe përkundër ndërmjetësimit ndërkombëtar në nivel të Kombeve të Bashkuara, që nga viti 1993 e deri më sot.

Në Republikën e Greqisë, njëri prej 13 rajoneve të saj, sipas ndarjes territoriale të vitit 20111, e mban emrin Maqedoni.

Lëvizja kombëtare maqedonase kishte synim krijimin e autonomisë nën Perandorinë Osmane kryesisht në Maqedoninë e Egjeut me kryeqytet Selanikun

E tërë lëvizja e ashtuquajtur Rilindje kombëtare maqedonase dhe përpjekjet për çlirim dhe bashkim kombëtar të sllavëve të Maqedonisë, goditjen vdekjeprurëse e  ka marrë pikërisht me ndarjen e Maqedonisë në Konferencën e Bukureshtit, sepse pjesa më vitale e këtij etniteti në formim e sipër u ngulfat bashkë me pjesën më të madhe të saj, Maqedoninë e Egjeut, duke marrë parasysh se, e gjithë kjo lëvizje autonominë e vet nën Perandorinë Osmane e shihte kryesisht në këtë territor, duke pretenduar Selanikun si kryeqytet, ku edhe u themelua organizata më e fuqishme nacionale e kësaj lëvizje, Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase, në vitin 1893.

Nga udhëheqësit e lëvizjes nacionale maqedonase nuk është pretenduar asnjëherë krijimi i shtetit të tyre të ardhshëm në territorin ku më vonë u krijua Republika e Maqedonisë, të cilën e realizoi lëvizja komuniste e sllavëve në Ballkan, me përkrahjen e Internacionales komuniste, Kominternës.         

Pjesën më e madhe të territorit ku u krijua Maqedonia si shtet e përbëjnë trojet etnike shqiptare

Republika e sotme e Maqedonisë ka një sipërfaqe prej 25.713 km2, që domethënë se, ky territor për nga sipërfaqja nuk ka ndryshuar nga sipërfaqja e pjesës së ndarë, të quajtur Maqedonia e Vardarit, nga Marrëveshja e Bukureshtit e deri më sot.

Në pjesën e njohur si Maqedonia e Vardarit, republika me emrin Maqedoni arriti të formohet për herë të parë në kuadër të ish Federatës Jugosllave (1944), ndërsa me shkatërrimin e kësaj federate, pas shpalljes së pavarësisë së këtij vendi në vitin 1991, Republika e Maqedonisë mbeti po me atë territor që kishte më parë, i cili nuk përbën më tepër se 1/3 e territorit të përgjithshëm të Maqedonisë gjeografike.

Historikisht, territori gjeografik me emrin Maqedoni në asnjë periudhë historike, para krijimit të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, më 1944, nuk ka përfshirë territore më sipër qytetit të e sotëm të Shtipit, në anën veriore.

Jo rastësisht, beteja më e madhe mes kryengritësve shqiptarë të udhëhequr nga Dervish Cara me forcat e Perandorisë Osmane, u zhvillua afër Katllanovës, aty ku mbrohej kufiri lindor i shtetit etnik shqiptar, të cilin pretendonin ta krijojnë udhëheqësit e kësaj kryengritje, një nga më të mëdhatë në historinë e popullit shqiptar në bazë të territorit që përfshiu ajo dhe të tokave të çliruar me këtë kryengritje, gjatë viteve 1843-1844.

Manastiri, kryeqyteti i njërit nga katër Vilajetet autonome shqiptare nën Perandorinë Osmane, djepi i Alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe dhe vatra e çetave të para kryengritëse për çlirimin e Shqipërisë dhe pavarësinë e saj; si dhe Shkupi, kryeqyteti i dikurshëm i Dardanisë dhe kryeqyteti i Vilajetit më të madh shqiptar, i cili disa herë u çlirua nga shqiptarët, nuk arriti t’u përballojë trusnive të pushtuesve dhe terrorit në fillim të shekullit njëzetë dhe intrigave të fuqive të mëdha, prandaj, nga qyteti më i madh shqiptar në gadishull mbeti sot e kësaj dite vetëm simbol i shenjtë i krenarisë tonë kombëtare, por edhe arenë e betejave të reja politike në të ardhmen.           

Republika e sotme e Maqedonisë u krijua në territoret etnike shqiptare, të cilat përfshijnë më tepër se gjysmën e territorit të këtij shteti, edhe atë: Fusha e Shkupit, ku shtrihet qyteti i Shkupit dhe qyteti i Kumanovës me rrethinat e tyre; Fusha e Pellagonisë, me qendër qytetin e Manastirit; Fusha e Pollogut, me qendër qytetin e Tetovës; si dhe Fushëgropa e Ohrit, me qendër qytetin e Ohrit.

Sipas shtrirjes territoriale të Republikës së sotme të Maqedonisë në pjesën më të madhe në trojet etnike shqiptare, numri i banorëve të këtij shteti me përkatësi etnike shqiptare nuk është në përputhje me sipërfaqen e këtij territori, edhe atë, për shkaqe të njohura dhe të panjohura.

Strategjia e zvogëlimit të numrit të shqiptarëve dhe tkurrja e territoreve etnike të tyre

Faktorët që ndikuan në zvogëlimin e numrit të popullsisë shqiptare, në krahasim me popullsinë tjetër joshqiptare në Republikën e Maqedonisë, janë:

1. Represioni i vazhdueshëm i pushtuesve serbë dhe bullgarë dhe shpërngulja e shqiptarëve nga këto territore, sidomos gjatë luftërave ballkanike dhe dy luftërave botërore; 

2. Shpërngulja me dhunë e mbi 300 mijë shqiptarëve për në Turqi, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XX;  

3. Asimilimi i popullsisë shqiptare të besimit ortodoks dhe katolik;

4. Sjellja e dhjetëra mijë sllavëve të shpërngulur me dhunë në fund të Luftës së Dytë Botërore nga terrori i shtetit grek, dhe ,,riatdhesimi” i tyre në Maqedoni, kryesisht në vendbanimet me popullsi shqiptare, gjatë viteve të ’70-ta dhe ’80-ta të shekullit të kaluar;

5. Tkurrja e vazhdueshme e trojeve etnike shqiptare, në pjesën veriore dhe perëndimore të Maqedonisë, me strategji afatgjatë, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX e deri në ditët e sotme, duke e shfrytëzuar me mjeshtëri heshtjen e udhëheqësve politikë nga radhët e shqiptarëve në Maqedoni dhe të drejtuesve të Republikës së Shqipërisë;

6. Boshatisja e rajonit të Mariovës, i cili përbën afër 10% të territorit të përgjithshëm të Maqedonisë, por edhe nga disa rajoneve të tjera në lindje të vendit, dhe vendosja e këtyre banorëve në qytetet me shumicë të popullsisë shqiptare, sidomos në qytetet: Shkup, Manastir, Ohër, Tetovë, Kumanovë etj., me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike të popullsisë në dëm të shqiptarëve. Ky proces është zhvilluar në mënyrë sistematike dhe me strategji të veçantë gjatë disa dekadave të fundit, sidomos pas tërmetit të vitit 1963 dhe rindërtimit të Shkupit me ndihma ndërkombëtare.

Këtë e dëshmon edhe dendësia e popullsisë sipas rajoneve të këtij shteti, ku shihet qartë se në pjesët e boshatisura nga popullsia e zhvendosur në pjesë të tjera të vendit, ajo është 0,7 banorë/km², siç është rajoni i Mariovës, kurse në rajonet me shumicë të popullsisë shqiptare kjo dendësi arrin edhe mbi 850 banorë/km², siç është rajoni i Pollogut.

Ky diskriminim mes rajoneve nuk ekziston as në shtetet që përfshijnë pjesë të shkretëtirës së Saharës, prandaj nuk duhet të tolerohet në shtetet që pretendojnë ta quajnë veten demokratike, veçanërisht kur këtë e bëjnë me motive politike primitive!   

Disa parametra real tregojnë qartë se popullsia shqiptare përbën afër 40 % të numrit të përgjithshëm të popullsisë në Republikën e Maqedonisë. Mbase kjo edhe duhet të jetë arsyeja kryesore pse nuk bëhet regjistrimi i popullsisë në këtë shtet. Regjistrimi i fundit është realizuar në vitin 2002, i cili ka krijuar dyshime të mëdha në rregullsinë e realizimit të këtij operacioni statistikor, sidomos në lidhje me numrin e popullsisë shqiptare.

Duke marrë parasysh këto fakte, Republika e Maqedonisë nuk mund të mbijetojë në asnjë rrethanë si shtet nacional vetëm i popullit maqedonas, por ai duhet të jetë shtet nacional edhe i popullit shqiptar, i cili është autokton në këtë territor, ka vazhdimësi në traditën e formimit të këtij shteti, përbën shumicë të konsiderueshme dhe luan rol të rëndësishëm në stabilitetin e vendit dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.     

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat