“Kaosi politik” dhe platforma e faktorit politik shqiptarë në Maqedoni

Opinione

“Kaosi politik” dhe platforma e faktorit politik shqiptarë në Maqedoni

Nga: Prof. dr. Zeqirja Rexhepi Më: 30 janar 2017 Në ora: 15:04
Prof. dr. Zeqirja Rexhepi

Zgjedhjet e parlamentare gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar dhe rezultati i tyre përfundimtar, edhe përkundër faktit se shqiptarët pësuan rënie drastike të numrit të përfaqësuesve në Parlamentin e Maqedonisë, në opinion u vlerësua si “moment historik” që shqiptarët t’i realizojnë të drejtat e tyre?! Nuk është i qartë burimi i tezës së plasuar, në ishte “kaosi politik” apo kafenetë dhe çajtoret nëpër të cilat prodhohet “politikë e madhe”. Sidoqoftë, një gjë është e kuptueshme, me “momentin historik” aludohet në kushtëzimin e faktorit politik shqiptar që mund t’i bëhet cilësdo aleancë të faktorit politik maqedonas. 

Kriza politike dhe institucionale që e mbërtheu Maqedoninë, dy vitet e fundit, e njohur tashmë si “afera e përgjimeve” i shpalosi “defektet” e sistemit politik dhe juridik që ishte ngritur për më shumë se njëzet e pesë vjet. Opozita maqedonase (LSDM-ja) këto “defekte” ia përshkruante pozitës aktuale (VMRO-së), duke harruar se ato zënë fill pikërisht në kohën e pushtetit të tyre, të viteve 90-ta, atëherë kur ngrihen institucionet “demokratike” të Maqedonisë, si shtet i pavarur.

Maqedonia është përballur edhe në të kaluarën me kriza të rënda, por ato zakonisht karakterizoheshin me kundërthënie ndëretnike, të cilat shfaqeshin si konflikte midis shqiptarëve etnikë dhe institucioneve shtetërore. Kriza e fundit karakterizohet me kundërthënie brenda-etnike, pra midis faktorit politik maqedonas. Në këto rrethana shqiptarët janë vetëm viktimë e kundërthënieve të përmendura.

Duke pasur parasysh se, Maqedonia zë një pozitë tejet të rëndësishme gjeo-strategjike në Ballkan (udhëkryq veri-jug dhe perëndim-lindje të linjave komunikative, të gazpërcjellësve...), ajo vazhdon të mbetet në fokus të vëmendjes së faktorëve vendimmarrës ndërkombëtarë, të cilët edhe kësaj radhe ndërmjetësuan, duke e arritur kompromisin politik, të njohur si Marrëveshje e Përzhinës. Të përkujtojmë se me këtë marrëveshje u krijua Prokuroria Speciale, e cila kishte për obligim t’i hetojë rastet e apostrofuara në të ashtuquajturat “bomba”. Krahas aktivitetit të Prokurorisë Speciale dhe pas disa përpjekjeve për zgjedhje të reja, më në fund përcaktohet edhe data e zgjedhjeve, për 11 dhjetor, 2016. Shpresohej se zgjedhjet, “të drejta dhe demokratike” do të mund të zgjidhnin ngërçin e krijuar.

Zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar

Sipas raportimeve mediatike dhe Komisionit Shtetëror Zgjedhor, zgjedhjet e 11 dhjetorit 2016 u mbajtën në atmosferë të qetë dhe demokratike (me lëshime të vogla), por që rezultati përfundimtar e ndryshoi mozaikun politik në Maqedoni.

Kampi politik maqedonas pësoi ndryshime të mëdha: VMRO me aleatët e saj, fituan, por me një dallim tepër të vogël, në krahasim me LSDM dhe aleatët e saj (51:49 përfaqësues), duke humbur 12 përfaqësues nga numri i mëparshëm, përfshirë edhe 3 përfaqësuesit e diasporës.

Në kampin politik shqiptar ndodhi befasia më e madhe: BDI fitoi vetëm 10 përfaqësues (duke humbur 9 nga përbërja paraprake), ose gjithsej 87.796 vota; PDSH fitoi 2 përfaqësues (duke humbur 5 nga përbërja paraprake), ose gjithsej 30.964 vota; partitë e reja politike shqiptare, si: Lëvizja BESA, fitoi 5 përfaqësues, ose gjithsej 57.868 dhe Lëvizja për Reforma - PDSH, 3 përfaqësues, ose gjithsej 35.121 vota.

Befasia më “e pakëndshme” e zgjedhjeve të 11 dhjetorit 2016 ishte “ikja” e një numri të madh të votuesve shqiptarë (sipas disa analistëve dhjetëra mijë vota), të cilët votuan për të majtën maqedonase, LSDM-në.

Faktori politik shqiptar, si tërësi, në këto zgjedhje pësoi disfatë të rëndë, duke fituar vetëm 20 përfaqësues (nga 29 - 30 të mundshëm). Edhe përkundër këtij fakti që ti shpon sytë, opinionistë të ndryshëm, këtë “e përkthyen” si “moment historik” për realizimin e interesave kombëtarë, në Maqedoni.

Deklarata – platforma e partive politike shqiptare

Rezultati “i këtillë” i zgjedhjeve (2016) i detyroi subjektet politike shqiptare të arrijnë marrëveshje për veprim politik të përbashkët, gjë që u bë në formën e Deklaratës së Përbashkët, e nënshkruar me ndërmjetësimin e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes Shqiptare, opinioni i gjerë në Maqedoni është njoftuar me përmbajtjen e saj. Ende pa u analizuar mirë ky dokument, u “bombardua” nga analistë me bindje albanofobe dhe përvojë të dëshmuar në këtë çështje.

Meqë, kjo situatë, u vlerësua si “moment historik”, Deklarata-Platformë do të duhej ta arsyetonte këtë epitet, me qëllim që pjesa më e madhe e “ofertës” së faktorit shqiptar, duhej të ishte “e kapshme” për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, të cilët synojnë funksionimin më të mirë të sistemit të demokracisë parlamentare dhe të shtetit të së drejtës (Sipas “formulës” së Zhan Mone-së).

Meqenëse kriza politike në Maqedoni është shkaktuar pikërisht për shkak të mosfunksionimit të sistemit të demokracisë parlamentare dhe shtetit të së drejtës, atëherë Platforma duhej të përfshijë çështje, të cilat do të mundësonin përmirësimin e situatës, për të cilën angazhohej edhe Bashkësia Ndërkombëtare, duke i sistemuar ato në dy kapituj kryesorë:

 Çështjet e interesit të përbashkët

Çështjet e interesit të përbashkët, të cilat do të duhej të “ofroheshin” nga Platforma Shqiptare, do të ishin tri çështje thelbësore: modeli Monteskian i funksionimit të “tri pushteteve”, çështjet e politikës së jashtme dhe decentralizimi i pushtetit lokal.

Modeli Monteskian i funksionimit të “tri pushteteve”

Funksionimi i pushtetit legjislativ.

Për funksionim të suksesshëm të institucionit të përfaqësuesve - Parlamentit, Platforma Shqiptare duhej të ofronte ndryshime që do të ishin në interes të gjithë qytetarëve të Maqedonisë:

Ndryshimi i kodit zgjedhor – Listat e hapura. Ligji aktual (përfaqësimi proporcional), nuk jep shumë mundësi të zgjedhjes së përfaqësuesve të denjë për institucionin më të lartë të sistemit të demokracisë parlamentare. Listat e hapura do të ishin një hap përpara drejt zgjedhjes së përfaqësuesve të denjë në Parlament;

Ndryshimi i kodit zgjedhor - Maqedonia është një konglomerat etnikë, ku maqedonasit dhe shqiptarët janë shumicë. Ndryshimi në fjalë do të ishte interes i të gjitha bashkësive etnike në Maqedoni, andaj do të ishte i pranueshëm për të gjithë qytetarët me përkatësi të ndryshme etnike, që e tërë Maqedonia të ishte një njësi zgjedhore; Parlamenti dydhomësh – gjithashtu do të ishte interes i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë;

Rritja e rolit të parlamentit. Aktualisht forca e institucionit përfaqësues të qytetarëve të Maqedonisë - Parlamentit, është në nivelin e  modeleve evropiane të demokracisë parlamentare, me përbërje etnike sikurse Maqedonia.

Funksionimi i pushtetit ekzekutiv - qeverisë.

Platforma Shqiptare duhej të ofronte model, sipas të cilit Pushteti Ekzekutiv- Qeveria dhe të gjitha instrumentet e saj, duhej të ishin produkt i institucionit përfaqësues - Parlamentit. Pra, si produkt i Parlamentit – Qeveria, të vihej në varësi të Parlamentit. 

Funksionimi i pushtetit gjyqësor

Oferta e Platformës Shqiptare duhej të përfshinte:

-reforma në Prokurori,

-reforma në Gjyqësi dhe

-reforma në Gjyqin Kushtetues.

Pushteti gjyqësor, deri në arritjen e pavarësisë së plotë ë tij, duke e eliminuar tërësisht ndikimin e politikës, do të duhej të ofrohet si produkt i përfaqësuesve të qytetarëve - Parlamenti.

Politika e jashtme

Ndër çështjet të cilat do të duhej të përfshiheshin në Platformën Shqiptare, do të ishin: Marrëdhëniet me Perëndimin - Oferta shqiptare duhej të përfshinte Propozim-Rezolutën në Parlamentin e Ri, e cila do të duhej të ritheksonte orientimin euro-atlantik të Republikës së Maqedonisë - integrimin në NATO dhe UE. Ritheksimi Euro-Atllantik, i përfaqësuesve të qytetarëve të Maqedonisë ishte i nevojshëm për faktin se individë të caktuar të skenës politike maqedonase, viteve të fundit, me deklaruat e tyre anti perëndimore e kishin vënë në pikëpyetje trajektoren euro-atlantike;

Marrëdhëniet me fqinjët - Oferta shqiptare duhej të theksonte gatishmërinë e faktorit politik shqiptarë për fqinjësi të mirë, gatishmërinë për të kontribuar në zgjidhjen e disa çështjeve kontestuese (çështja e emrit, çështja e kishës, çështja e gjuhës, çështjet e interesit ekonomik, projektet e përbashkëta, etj).

Decentralizimi i pushtetit lokal

Një nga çështjet thelbësore që do të ishte interes i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, pa dallim etnie, padyshim është edhe zgjerimi i ingerencave të pushtetit lokal. Në sajë të këtij pushteti, qytetarët e Maqedonisë disa nga të drejtat e tyre i realizojnë përmes pushtetit lokal.

Ligji aktual për pushtet lokal, është nën çdo standard evropian.

Oferta shqiptare duhej të përfshijë, me theks të veçantë, Decentralizimin  e forcës së pushtetit qendror, pra rritja më e kompetencave të pushtetit lokal, në sferën financiare, gjë që do të mundësonte zhvillim më të madh infrastrukturor.

Çështjet e interesit të veçantë

Në këtë kapitull, Platforma e faktorit politik shqiptar do duhej të theksonte çështjet e parealizuara, sipas frymës së Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës aktuale, si: Zyrtarizmi i gjuhës dhe shkrimit shqip (Krijimi i institucionit për përdorimin e drejtë të gjuhës dhe shkrimit shqip); Përfaqësimi i barabartë etnik në institucione qendrore shtetërore (Në aspektin sasior dhe cilësor);

Mbështetja financiare për zhvillimin e arsimit (shkollave fillore, të mesme dhe universiteteve, si dhe të kulturës shqiptare, artit, sportit, etj.); Rregullimi i simboleve shtetërore (Ato duhej të prezantonin karakterin shumë-etnik të Maqedonisë);

Rregullimi përfundimtar i teksteve shkollore (Shmangia e defekteve edukativo-shkencore, të cilat mbjellin urrejtje ndërnacionale apo fetare, mbi bazë të vlerave të qytetërimit evropian);

Ligji për mësimin e detyrueshëm të gjuhës së mjedisit etnik (Mësimi i obligueshëm i gjuhës shqipe në mjediset me shumicë shqiptare); Ligji kundër paraqitjeve publike raciste (Në Maqedoni paraqitjet publike, të karakterit racist janë dukuri e pothuaj e përditshme) ër hartimin e Deklaratës - Platformës Shqiptare, për epitetin e saj “historik”, padyshim është dashur të punojnë ekipe ekspertësh, njohës shkencor të fushave të ndryshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat