Amaneti që u bë realitet

Opinione

Amaneti që u bë realitet

Nga: Dia Saraçi Më: 19 shkurt 2017 Në ora: 12:14
Musine Kokalari

Si çdo vit edhe sot me rastin e 100 Vjetorit të Lindjes së Martires Musine Kokalari, Mimoza Dajçi ideoi takimin Akademik – Shkencor me organizatën e Gruas “Hope & Peace” dhe mbështetjen e Kryetarit të “Vatrës” Z. Gjon Buçaj dhe vatranëve të tjerë. Ndihmuan Sesion Përkujtimor Muzeu Historik “Musine Kokalari” në Gjirokastër, mbesat e Musine Kokalarit – Arjeta, Evi dhe Enit Kokalari Lulushi. Dhanë dhe shkëmbyen mendime gra intelektuale dhe akademiste të larta, deri artiste me famë botërore si Suzana Nehani Bezhani, shkrimtarja e njohur Znj. Eglantina Mandija, poetja dhe humanistja Lauruar me Medaljen “Nënë Tereza” nga Presidenti Bamir Topi Znj. Rita Saliu, bashkëthemeluesja e Organizatës “Hope & Peace” Znj. Merita Shkupi, publicistja dhe gazetarja e njohur Znj. Elida Buçpapaj, gazetarja Remka Huruglica, pianistja Elona Muça, stilistja Dia Saraçi, arsimtarja dhe aktivistja Violeta Mirakaj, ish e persekutuara politike Znj. Drita Çarçani, të cilës diktatori Hoxha i pushkatoi babanë si intelektual dhe antikomnist në vitin 1943, balerina ish e persekutuar politike Znj. Tatjana Petrela, ekonomistja ish e persekutuar politike Znj. Mimoza Rexho, aktivistja Lindita Semanjaku, juristi dhe studiuesi ish i persekutuar politik Z. Agron Alibali, ish i persekutuari politik dhe gazetari i njohur Z. Beqir Sina, dekoruar nga Presidenti Bujar Nishani me Medaljen “Naim Frasheri” i cili moderoi edhe këtë akademi shkencore në ambjentet e Federatës “Vatra”në New York. Vlen për tu theksuar se gazetari Beqir Sina e ka mbështetur me pjesëmarrjen dhe kronikat e tij vazhdimisht Organizatën “Hope & Peace” qysh në themelimin e saj.

Nderuan me pjesëmarrjen e tyre mbesa e Musine Kokalarit Znj. Artemis Kokalari Castilo, e cila hapi edhe siparin e këtij takimi, ishte fjala kryesore e saj në kete takim sa solemn aq edhe historik mbajtur në “Vater”. Erdhën nga shtete të ndryshme të amerikës edhe mbesa të tjera dhe familjarë të tjerë të heroinës Musine Kakalari, ku me të drejtë Znj. Dajçi i falenderoi dhe vlerësoi angazhimin dhe udhëtimin e tyre në këtë event.

Përveç pjesëmarrësve ku kryesisht ishin intelektualë të kalibrit të lartë, si Znj. Pertefe Leka, inxhinieri nuklear Adem Belliu, Genc Leka, Astrit Tota, Dr. Adem Harxhi, Tom Mirija etj, morën pjesë dhe shumë ish të persektuar politikë, ish i denuari politik deputieti i Partisë Demokratike Z. Esat Çoku, ish i dënuari politik dhe aktivisti i të drejtave të njeriut Z. Pellumb Malaj, i cili mori edhe fjalën përshëndetëse ku interpretoi një poezi të tij krijuar enkas për këtë rast. Ish i persekutari politk dhe veprimtari i shquar i komunitetit shqiptar në Amerikë – Dekoruar nga Presidenti Bujar Nishani me Medaljen për “Merita Të Veçanta civile” Z. Sejdi Hysenaj etj.

Kumtesat në përgjithësi u përqëndruan tek faktet historike të jetës dhe veprës së disidentes – femrës së parë shqiptare që sfidoi diktarurën, të paharuarën Musine Kokalari kundër diktaturës komuniste në Shqipëri. Programi u shoqërua me disa pamje filmike sjellë nga mbesat e Musine Kokalarit Arjeta, Evi dhe Enit Kokalari Lulushi dhe pregatitur nga fotografi Dritan Haxhija. Për të pranishmit Znj. Enit Kokalari shpjegoi me zemër dhe e prekur emocionalisht të gjitha fotot, dokumentet dhe dorëshkrimet origjinale të Musine Kokalarit dhe familjes së saj që u paraqitën në video. Aty pamë foto edhe të dy vëllezërve të Musinesë akademistët Muntaz dhe Vesim Kokalari, pushkatuar në vitin 1944 direkt nga dora e diktatorit Hoxha dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes së nderuar Kokalari.

Merita e këtij aktiviteti me vlera të larta patriotike dhe historike për figurën e Martires Musine Kokalari, siç u shpreh edhe Kryetari i Vatrës Z. Gjon Buçaj në fjalën e tij përshëndetëse, i takon Znj. Mimoza Dajçi, e cila çdo vit e kurdoherë merr inisiativa për të përkujtuar heroinën Musine Kokalari dhe mijra ish të burgosur, vrarë, internuar dhe persekutuar padrejtësisht nga rregjimi komunist në Shqipëri.

Znj. Dajçi gjithashtu me të drejtë falenderoi edhe TV – Zëri i Amerikës, pasi kjo Qendër – Mediatike më e fuqishmja në botë vazhdimisht e ka përkujtuar Martiren Musine Kokalari, jetën dhe veprën e saj. E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe Ambasadoria e Misionit Shqiptar pranë OKB ve Besiana Kadare.

Dhe vërtetë ashtu ka ndodhur Mimoza Dajçi nuk është femër e podiumeve dhe skenave fallco e pompoze, siç ndodhi kohë më parë në sallat lluksoze amerikane ku u nderuan me të padrejtë disa prej 60 vajzave dhe grave shqiptare me titullin e “Ekselencës”, ku në marrjen e këtij titulli angazhuan edhe figurën e Presidentit Bujar Nishani, i cili jam e bindur që ishte komplet jashtë lojës e prapaskenave që u bënë në atë rast nga organizatorët e atij manifestimi madhor.

Eshtë për të ardhur keq që ndodhin në vendin më demokratik të botës fenomene të tilla negative, sepse të marrësh në publik një medalje që nuk e meriton duhet edhe të kërkosh falje publike, gjë që akoma nuk e kemi parë nga ato të paktat të ekselencuara e të ndërgjegjësuara që janë shprehuar nën zë duke thënë: “Mua, nuk më takonte ky Çmim dhe nuk e di pse ma kanë dhën?”.

Çdo vit në Shqipëri Shoqata e Gruas ish të Persekutuar Politike themeluar nga Znj. Mimoza Dajçi dhe Kryetare ish të burgosurën politike Lefteri Dvorani dhe Fondacionin “Musine Kokalari” drejtuar nga ish i burgosuri politik Z. Agim Musta kanë përkujtuar jetën dhe veprën e heroinës Musine Kokalari.

Ku ishin këto 60 gra e vajza që paskan spikatur shumë në diasporën shqiptare në Amerikë, pse nuk e nderuar Martiren Shqiptare Musine Kokalari me pjesëmarrjen e tyre në “Vatër”, në këtë 100 Vjetor të Lindjes së saj. Asnjera prej tyre nuk asistoi edhe në kete event në “Vatër”kur hyrja ishte e lire, falas dhe jo me shumën $300.00 siç e kishin përcaktuar ato biletën. Atëherë për çfarë u duhet ai Titull i pa merituar atyre, kur nuk dinë të nderojnë dhe respektojnë historikun e paraardhësve të tyre. Sigurisht është e drejta individit për të marrë pjesë, por çfarë kujtimi do ti lemë brezave nëse nuk vlerësojmë historinë dhe vlerat e larta e pozitive të femrës shqiptare – Simbolit të demokracisë botërore Musine Kokalari.

Organizata “Hope & Peace” siç na tha Znj. Dajçi është themeluar si një Amanet i Grave ish të Burgosura dhe te Persekutura Politike të Shqipërisë, i atyre grave që sfiduan diktaturën, mposhtën dhe përmbysën diktaturën komuniste më të egër në Europë. Ku sot edhe prej sakrificave të tyre gëzohet ajo liri e dëshëruar në Shqipëri.

Mimoza Dajçi është një femër e thjeshtë dhe jo e lavdatave dhe podiumeve, siç është shprehur dikush që sot nuk po ja përmend emrin në këtë shkrim, por koha e ka treguar veprën dhe sakrificat e saj për demokraci dhe liri kombëtare nga shtypja komuniste, si pranë Shtresës së ish të Persekutuar Politike nga rregjimi komunist ashtu edhe pranë Partisë Demokratike në Shqipëri, ku ka qenë e zgjedhur Anëtare e Këshillit Kombëtar të saj.

Me të drejtë edhe gazetari i njohur Albert Vataj në një prononcim të tij thotë:” E kush më me ndjenjë dhe pasion, përkushtim dhe përgjegjësi zemër dhe shpirtërore do ta bënte këtë Sesion Përkujtimor për Martiren Musine Kokalari, më mirë se Znj. Mimoza Dajçi, ajo e cila ka qënë dhe vijon të jetë në Rradhët e Para të Uraganit të Denoncimit të veprave makabre të diktaturës komuniste në Shqipëri.

Z. Albert Vataj ka qenë anëtar i Këshillit Botues të Gazetës “Shpresë” organ i Gazetës së Shoqatës së Gruas ish të persekutuar politike të Shqipërisë dhe e njeh shumë mirë aktivitetin e kësaj shoqate dhe vetë sakrificat e zonjës Dajçi për demkoraci dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri. Sepse edhe ajo e di shumë mirë se sa e si dhëmb plaga e asaj të shkuare”.

Mimoza ka bashkëpunuar nga afër në Shqipëri me bashkëvuajtëset e Martires Musine Kokalari. Ka dëgjuar nga afër hallet dhe torturat e tyre nëpër burgje dhe kampe përqëndrimi nga kriminelët dhe xhelatët e sigurimit të shtetit. Ka biseduar nga afër me ato dhe ka kujtimet më të veçanta të jetës së saj nga bashkëpunimi me ato, ku edhe sot e kësaj dite ka raporte të mira me ato.

Ishte Amaneti i atyre grave ish të burgosuara politike në Shqipëri që i thanë para se te nisej për në SHBA, që të themelonte një organizatë per të drejtat e gruas. I thanë: “Atje dhe vetëm, atje në Amerikë të duhet më shumë se kudo të ngresh zërin tonë, të thuash të vërtetën e hidhur e të rëndë të vuajtjeve tona nga diktatura komuniste”.

Dhe e guximshja dhe e palëkundura Mimoza Dajçi me ideale të larta patriotike të familjes së saj si mbesë nga Familja Boletini enë Mitrovicës nga i jati dhe nga e ëma si mbesë e heroit Çerçiz Topulli e mbajti premtimin. E vuri në vend Amanetin e tyre.

Themeloi ne SHBA Organizatën e Parë të Gruas Shqiptare – Amerikane The Women’s Organization “Hope & Peace” ku në krah të saj ju gjenden zonjat e nderuara Merita Shkupi, Rita Saliu, Dia Saraçi, Frida Nehani, Drita Çaraçani, Tatjana Petrela, Mimoza Rexha e plot e plot të tjera. Dhe ajo me miket e saj vazhdojnë edhe sot me shpirt e pasion dhe vullnetarisht duke hedhur Dritë mbi dramat dhe tragjeditë e dhimshme që i kanë ndodhur popullit tonë gjatë regjimit komunist në Shqipëri, Kosovë nga makineria serbe veçanerisht edhe ndaj femrës shqiptare, ndaj masakrave mbi popullin e pafajshëm Çam, asaj në Mal të Zi, Maqedoni etj.

Drejtuesi i TV – kultura shqiptare Adem Belliu tha atë ditë në “Vatër” më datën 11 Shkurt 2017: “Mos sillni shumë karrige lart këtu në sallë, se mos bie zjarr në “Vatër” se nuk kanë nga të dalin njerëzit”.

Por duke u nisur nga historiku i “Vatrës” ku ka patur raste që ka patur edhe më shumë njerëz në takime të tjera u çuditëm nga kjo thënie e tij. Megjithatë ai e mori përgjigjen nga një aktiviste e komunitetit e bija e Znj. Mimoza Dajçi e cila i tha: “Mos ki frikë Adem Belliu, se vetëm sot të garantoj unë, që nuk bie zjarr në “Vatër”. Dhe ashtu ndodhi, as zjarr as nje ekses nuk ndodhi falë qetësisë që ruajtën organizateret e këtij Përkujtimi Madhor.

Belliu në fakt kishte të drejtë se edhe masat e zjarrit duheshin marrë parasysh, por akoma me mirë do të ishte të ishin marrë ato masa kundër zjarrit nëse në “Vatër do të kishin ardhur në “Vatër atë ditë edhe disa prej atyre 60-të grave dhe vajzave shqiptare që morrën padrejtësiht Titullin e Lartë të “Ekselencës” (çmim që e kishin përfshirë edhe Pesidentin Bujar Nishani, i cili jam e bindur që nuk i ka ditur prapaskenat e organizatorëve të atij spektakli të dështuar) pasi do ishte bërë hataja në “Vatër”, jo për gjë, por do të shkonin dëm edhe paratë e fustaneve të shtrenjta që kishin harxhuar, ku mes tyre ishte dekoruar edhe e bija e Dalip Grecës! Elisabeta Greca!!! si edhe një e ashtuquajtura gazetare e Vatrës” pa asnjë meritë në “Vatër” Marjana Bulku, të cilën e ka vetëshpallur Dalip Greca gazetare e “Diellit” siç ka shpallur gazetar të Vatrës dhe “Diellit” fotografin Dritan Haxhija, të cilit nuk i kemi lexuar asnjë shkrim edhe tek gazeta “Dielli”, dhe është duke e promovuar si shumë kohëve të fundit po këtë Marjana Bulkun duke e përzgjedhur edhe si moderatore të Festës së Kosovës në Restorantin Eastwood Manor që do të mbahet këto ditë në Bronx.

Eshtë për tu çuditur vërtetë se si Dalip Greca merr përsipër këto emërtime si dhe mënyra se si dhe pse i bën këto vetëshpallje, kur ka shumë personalitete të larta të letrave shqipe përpara këtyre te dyve ndër vite që kanë kontribut shumë më të madh se këta qe emerton ai si gazetarë tek “Dielli”. Ku e ka qëllimin ky njeri, e di ai. Shumë mirë vepron duke afruar njerëz intelektualë dhe të rinj në “Vatër”, por jo ti afrojë duke i dhënë poste e ofiqe të pa merituara.

Mos të harrojë Dalip Greca se ka personalitete të tjerë përpara Dritan Haxhisë dhe Marjana Bulkut që kanë dhënë historikisht kontribut modest dhe vullnetarë në “Vatër” si në gazetari, kulturë, patriotizëm, veprimtari etj. Mendoj se ka ardhur koha që edhe Kryesia e “Vatrës” të ndalet e ti shikojë me vemenjde këto veprime të tij të nxituara, se “Vatra” nuk eshte pronë e Dalip Grecës.

Po e mbyll me një thënie të mençur (mes të tjerave) të Z. Gjon Buçaj, i cili thotë: “Ne duam që në “Vatër” të afrohen të rinj dhe intelektualë, por jo se ne u premtojmë atyre përfitime nga “Vatra”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat