E djathta shqiptare nuk është “mollë e ndaluar”

Opinione

E djathta shqiptare nuk është “mollë e ndaluar”

Nga: Bajram Canameti Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 16:59
ilustrim

Në dimrin e thinjur dhe tranzicionin e gjatë një agim i ri shprese ka lindur, një subjekt i ri paraqitet në skenën politike shqiptare.

Ndonëse e rrethuar me heshtje dhe paragjykim, Aelanca Popullore për Demokraci këto ditë na dha lajmin e lindjes së saj, si zemra e të djathtës shqiptare, nga një grup intelektualësh të përndjekur, me drejtues Dr. Bilal Kolën. Kjo lindje tepër e vonuar, për arsye që janë thënë dhe dihen, nuk është pritur mirë nga disa shkrues gazetash politike, duke e quajtur një krijesë të Qeverisë.

Çdokush ka mendimin e tij, por ky subjekt politik nuk mund të jetë një parti hibride si shumë subjekte të tjera, që u projektuan në tavolinën e Partisë së Punës nga lideri komunist Ramiz Alia.

Ky subject vjen nga zëri i shpirtërave të të pushkatuarve politikë dhe i mijëra të zhdukurve pa varre nga Diktatura.

Ajo i përgjigjet zërit të të burgosurve dhe të të internuarve politikë, që u grabitën e torturuan për 50 vjet, vetëm se ishin aleatët e hershëm të Perëndimit.

Ajo vjen nga kulakët që u sekustruan dhe u ciëlsuan armiq populli. Ajo lind nga e drejta e pronarëve të ligjshëm  dhe nga të arratisurit që u etiketuan tradhëtarë të Atdheut.

Porta e saj është e hapur për mbarë shtresën e të përndjekurve politikë, që për fatin e keq në këto vite tranzicioni është përçarë nga politika. Është gënjyer e mashtruar e me të është spekuluar pabesisht.  Ajo fton drejt portës së saj studentët dhe intelegjencën e zhgënjyer brenda dhe jashtë vendit bashkë me njerëzit e ndershëm, të pakorruptuar e të panjollosur.

Porta e saj është e hapur për të vuajturit që sot janë shumicë, për numrin e lartë të të papunëve që vuajnë për kafshatën e bukës, për pensionistët që marrin vlerën e një lëmoshe, por që besojnë tek traditat dhe vlerat më të mira të popullit shqiptar në historinë e vejtër dhe të re, për emigrantët politikë dhe ekonomikë, që nuk u lejuan dhe nuk gjetën mundësi të ndërtonin vendin e tyre.

E Djathta duhet të ngjizet e të formojë bllokun dhe emrin e saj, duke larguar huqet, mëritë dhe hatërmbetjet, që sjellin copëtim e zvogëlim.

Ajo nuk mund të ndajë heronjtë, gjakun, dhimbjen, varret dhe kurrësesi nuk mund të përdoret për interesat e xhelatëve që luajtën dramën e çmendur, duke detyruar vdekjen të hidhte valle në Atdhe.

Shtresa e të pëndjekurve politikë e njeh më mirë se kushdo gjëmën e rëndë dhe mallkimin e gjatë të Diktaturës, që në emër të jetës mbolli vdekjen, në emër të gëzimt solli dhimbjen, në emër të unitetit dhe vllazënimit solli përçarjen, duke ujitur truallin me gjak të pafajshëm të fisnikërisë shqiptare dhe mbolli vendin me eshtra martirësh, burgje e kampe internimi.

Kjo shtresë nuk mund të harrojë britmat e nënave dhe lotin e fëmijëve bashkë me vrasjet e intelektualëve dhe rënkimin e gjyshërve dhe baballarëve në birucat e errëta të akullnajës çnjerëzore.

Është e trishtë dhe shkon gjer në absurditet fati që kjo shtresë pas 26 vitesh del sot në skenën politike, paçka se ishte dhe është opozita e parë antikomuniste. 

Është e trishtë që, në vend të mirëpritjes kolektive, çfarë do të ishte normale në një vend ku e Djathta Reale ka munguar, ose për të qenë më të saktë, ka qenë e konturuar dobët, një parti e tillë të pritet me syze të errëta paragjykimi dhe psikologjia e unit dhe ndasive të rishfaqet me hijet e saj të vjetra.

Kjo parti është një zë që, ndonëse me vonesë, troket në politikën shqiptare, për të zënë vendin e munguar.  Për të përmbushur një mision të ndërprerë nga barbaria gjysëmshekullore, një një vend që ka aq shumë nevojë për një vizion të ri dhe për një mendësi të re politike.

Partitë e djathta si PLL, LZHK, Balli Kombëtar që për fat të keq, jo për faj të tyre, nuk kanë arritur të ngrihen në rolin e misionit të tyre historik, por dhe gjithë spektri opozitar i panjollosur me krimet e të kaluarës dhe me batërdinë postkuminste, duhet ta afrojnë dhe të bashkohen rreth kësaj partie të re, që nëse do të ketë mbështetjen e duhur-të cilën nuk ka pse të mos e ketë-shpresojmë të ngrihet në nivelin e pritshmërive kombëtare për shtresën e persekutimit më të egër që ka ndodhur në një nga vendet më të varfëra e më të keqtrajtuara të Evropës juglindore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat