Një ombrellë për persekutorët e shkrimtarëve

Opinione

Një ombrellë për persekutorët e shkrimtarëve

Nga: Sali Leka Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 17:18
Sali Leka

Sot ka një ngutje të madhe, një ngutje diabolike për të krijuar histori të paqena, fantazma dissidence që enden në eterin e shkronjave të gazetave dhe titrat televizive, ndërkohë që historitë e vërteta mbulohen me pluhur heshtje dhe keqkuptimi.

Loja e “kungulleshave”, e dirigjuar nga mbetjet e ish sigurimit, që ende vegjetojnë në radhët e shkrimtarëve dhe artsitëve që përgjonin dhe sajonin “armiqtë” e partisë brenda Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, vijon të trillojë histori të paqena dhe të rreket të varrosë historitë reale që padisin veglat e sigurimit në radhët e elitës sonë krijuese.

Që nga viti 1991, dyzet shkrimatarë e gazetarë kanë botuar katërqind shkrime për dosjet e sigurimit, por nuk kanë treguar as fakte, as ngjarje të vërteta, por kanë mbushur rreshtat e fletët me trillime, gënjeshtra e shtrembërime. Dyzet autorët kanë përsëritur fjalët e njërit-tjetrit, duke thënë se duhet të hapen dosjet dhe të dënohen krimet e Diktaturës, por asnjë lloj krimi nuk mund të dënohet pa fakte konkrete, pa prova dhe dëshmi reale. Këto prova nuk mungojnë, por duhet t’i dëshmojnë të gjithë, sidomos ata që e kanë vuajtur persekutimin mizorist nën lëkurë.

Janë burgosur, internuar e persekutuar 175 shkrimtarë dhe artistë virtuozë, të talentuar dhe me vizione për një Shqipëri tjetër, ndryshe nga ajo që pati projketuar ferrparajsa e kuqe. Midis këtyre edhe unë, autori i këtyre radhëve, i këtyre dëshmive të vërteta si dhe shokët e mi demokratë të sprovuar, njerëz e artsista me gen të lirë si Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Kujtim Spahivogli, Frederik Sokoli, Hasan Petrela, Fatbardha Spahiu, Pirro Kuqi, Robert Vullkani, si dhe poeti e letrari I ri, viktimë e inskinimeve të aristokracisë letrare të kohës, Renato Rrapi.

Janë burgosur, masakruar dhe groposur pa varre 750 intelektualë, specialistë të aftësuar dhe me vizione perëndimore, drejtues të lartë të shtetit e të ekonomisë, që donin ta çonin ekonominë kombëtare në një drejtim progresiv, si Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi. Pas dënimit të tyre nisi rrënimi i plotë i ekonomisë, u shkretua toka bujqësore, blektoria, nisi barbaria e tufëzave dhe arrëzave, 3 milion shqiptarë u linçuan nga genocidi më barbar që është ndërmarrë ndonjëherë në kohët moderne, genocidi ndaj proteinës.

Autoreiteti i hapjes së Dosjeve e nisi mirë me hapjen publike të dosjes së Musine Kokalarit, kësaj Zhana Darkë shqiptare, që u persekutua mizorisht nga Enver Hoxha për shkak të dobësive të tij perverse për femrën e bukur dhe intelektualen e shkallës së epërme.

Hapja e dosjeve nuk bëhet me përrlla të sajuara si ata që na rrëfen ditën për diell Reshat Kripa, i cili shkruan se “jam kryetar i shoqatës së të përndjekurve politikë të Tiranës”, por nuk tregon se sa mbledhje e takime ka zhvilluar, se çfarë platforme ka paraqitur në instutcionet përkatëse për lustarcionin, as nuk ka publikuar se sa shkrimtarë, artistë e intelektualë janë të burgosur politikë nga Tirana.

Kurse unë, shkrimtari i persekutuar nga Diktatura mizoriste, letrari dhe poeti liriko-erotik dhe eposik Sali Leka kam të drejtë ta cilësoj, ta demaskoj spekulantin Reshat Kripa, kryetar i gënjeshtrave, i shtrembërimeve zuzariste të skrupsave të Tiranës. Reshat Kripa, me ato që thotë, nuk dëshmohet si kryetar i të përndjekurve, por si kryetar i trilluesve të shekullit XXI, në një Tiranë që më pak se për gjithçka ka nevojë për trillime e demagogjira skrupsash zuzaristë.

E kam obligim dhe iu premtoj ish të burgosurve të vërtetë politikë të kohës së Diktaturës, të masakruar, të keqtrajtuar, të diskriminuar egërsisht, se do të shkruaj dyzet tregime me fakte jetësore, me ngjarje të vërteta për dosjet e tmerreve, groposjeve e masakrave të viteve 45-91 në Shqipëri.

Do të ishte e domosdoshme, e dobishme për kohën e sotme të demokracisë së shumëpritur t’iu gris maskat e spekulimit monstruoz, pseudodisidentëve e pseudemokratëve të pa arsimuar, të pa kulturuar, antihumanë të hipokrizuar, si Reshat Kripa, që me trillimet e tyre, kanë hedhur baltë mbi vuajtjet e vëreteta, mbi martirizimin e vërtetë, mbi plagët e vërteta të kësaj shoqërie, plagë që ende dhëmbin e nuk mund të kurohen me sajime e trillime, por me dëshmimin e të vërtetës.

Ky dëshmim do të hedhë dritë mbi atë mizori të pashembullt të ndërmarrë nga një klikë gjakatare mbi shkrimtarët, artistët dhe intelektualët, do të zbërthejë ingranzahet e fshehta të sigurimit, ku jo rrallë në funksionet e furnizuesve të killerëve mendjengushtë të shërbimeve të fshehta komunsite kanë qenë vetë shkrimtarët dhe artistët mediokër, që u bënë leva të pushtetit makabër, për të ndëshkuar letrarët e vërtetë, artistët e vërtetë, demokratët dhe opozitarët realë të regjimit kriminial.

Duhet thënë se demokracia në Shqipëri nuk ka ardhur nëpër rrjetën e infektuar të merimangave helmatisëse, të atyre që u bënë sherbetorë e puthadorë të krimit shtetëror e për të cilët z. Kripa nuk thotë asnjë fjalë.  Nuk thotë asnjë fjalë për ata që vetë kanë treguar nga halli se janë vënë në shërbim të djallit, por as për ata që dihet se janë me dosje dhe i kanë kontribuar instalimit të një sistemi gjakatar, që përgjonte, denigronte dhe vriste gjithçka që nuk çonte ujë në mullirin e delirit të kuq.

Gjithë këto vite, rreth njëzet e pesë vjet tranzicion, mediat dhe shtypi në këtë vend nuk kanë qenë të lira, por pjesë e klaneve të ish strukturave të larta të pushtetit komunist. Unë disa herë jam paraqitur në redaksi gazetash e televizonesh për të dëshmuar rezistencën e shokëve e shoqeve të mia, që në llogoret e persekutimit më të pashmebullt, ku i futën pas dëshmimit të spiunëve, atyre që hiqeshin si shokët apo të dashurat e tyre, por më janë mbyllur dyert. Zotit Kripa i hapen këto dyer, se ai nuk rrëfen të vërtetën, nuk tregon me gisht plagën, por sajon gjëra të paqena e na bën heronj minjtë e sigurimit, që u futën në shoqërinë e grupeve disidente, me porosi të partisë e të sigurimit të shtetit!...

Njerëz si Reshat Kripa e kanë kthyer shtresën e përndjekjes, që është elita e shoqërisë shqiptare, pjesa më e shëndoshë dhe më demokratike, që vjen nga një shoqëri e shkatërruar nga paranojat gjysëmshekullore, pra njerëz si ai e kanë kthyer këtë shtresë në një arenë lufte klanesh e grupesh, çfarë i shërben politikës së vijimësisë komuniste, për të mos i lënë këta njerëz fisnikë, që të kenë një rol parësor, atë rol që iu ka munguar por që në fakt iu takon, në drejtimin dhe zhvillimin e një shoqërie progresive.

Duhet thënë dhe këtë duhet ta dijnë mirë jo vetëm Reshat Kripa e tipat si ai, por edhe ata që kanë në dorë hapjen e dosjeve dhe ligjin e lustracionit, se në Shqipërinë e pasluftës, me plagë e dhimbje, me dyzim e vetmi, një nga fushat më të goditura nga mekanizmat diabolikë të regjimit komunist ishte letërsia dhe artet, ku shkrimtarët e artsitët qenë ata që e pësuan më shumë në kurriz kamxhikun ndëshkues të klikës komuniste, për shkak të cilësisë së veprës së tyre, që dilte jashtë rrethit të shtampave deklarative të agjipropit të kuq. Nisi kështu një kalvar biblik, i pashmebullt në gjithë perandorinë komunste, “gjuetia e shtrigave”, djegia dhe bërja karton e librave të padëshirueshëm, përgjimi, dëbimi, internimi, burgosja e vrasja e shkrimtarëve dhe poetëve; revolucioni kulturor lejfenist shqiptar goditi në çdo qelizë letërsinë dhe artin e shëndetshëm, shkrimtarët dhe artistët që krijuan vepra dinjitoze, jashtë formulave të thata dhe marrsheve demagogjike të kohës.

Klika e sigurimit, e ndihmuar nga spiunët brenda Lidhjes së Shkrimtarëve, dënoi mizorisht të parën grua shkrimtare, Musine Kokalarin, e lauruar në Romë, disidenten e parë femër në të gjithë perandorinë e ish Lindjes komuniste, atë që themeloi një parti demokratike, të cilën e internuan, e burgosën, më pas punoi si punëtore në ndërtim dhe vdiq në vetmi të plotë, pa funeral, e varrosur nga punëtorët e komunales, në gropën e hapur për të. Janë me dhjetëra ata shkrimtarë që projektuan dhe realizuan disidencën estetike, në një realitet klithës, ku nuk dëgjohej asnjë zë, përveç kukuvajkave të socrealizmit, që iu dukej se këndonin si lauersha (të paktën kështu thuhej dhe besohej).

Sot shoqëria ka nevojë më shumë se për gjithçka, më shumë se për bukë, punë, vepra ndërtuese, platforma e projekte, për të vërtetën. Dhe këtë mund ta bëjnë vetëm njerëz që gjithmonë janë udhëhequr nga e vërteta dhe në emër të saj janë internuar, dëbuar, burgosur, vrarë e masakruar nga një regjim mizor, më mizori që ka njohur ndonjëherë qytetërimi dhe historia moderne.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat