Rrofshi e qofshi, partitë mbi të gjitha...!

Opinione

Rrofshi e qofshi, partitë mbi të gjitha...!

Nga: Ilir Çumani Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 17:31
Ilir Çumani

Më shumë se një ngjarje e rëndëshme e jetës politike të vendit, zgjedhjet në Shqipëri në këtë çerekshekulli kanë marrë një tjetër kuptim, e për rrjedhojë ato kanë një tjetër dimension: atë të një rituali  festiv  të natyrës  grotesko – folklorik. 

Nëse  dëshironi të anëtarësoheni në një parti politike në Shqipëri, kjo është fare e thjeshtë. Po, po! Eshtë shumë më e thjeshtë se ç’e mendoni. Kemi plotë, plotë... Mbi 140 parti e partiçka të vockla. Por, me një kusht: Së pari, duhet të njiheni me “manifestin” e tyre. Të mësoni 10 cilësitë e çmuara të “idealit” që ato kanë...!

1 - Nëse dëshiron të njohësh një popull të nënështruar dhe një komb që hera herës “noton” i përhumbur në ndërgjegje dhe vetëdije kombëtare, merrni leksione dhe lexoni “manifestin” e partive tona. Ato janë të njëjta si binjake dhe nuk ndryshojnë nga njëra tjetra. Gënjejnë dhe premtojnë njësoj. Njësoj përgjerohen e ulërijnë, betohen e përbetohen njësoj. Njësoj  çirren dhe qajnë deri në ekstazë para sovranit në kohë zgjedhjesh, e po njësoj të bëhen “kurban”. Pas zgjedhjeve, po ato, njësoj e harrojnë dhe e  shpërfillin  sovranin, e po njësoj ngërdheshen e kapardisen para tij.

2 - Në Shqipëri, partitë politike janë “anestezia” që në mënyrë konstante mbajnë në gjumë letargjik popullin e vet.

3 - Pas 27 vitesh pluralizëm politik, partitë mbetën pjesë e gjenezës së tyre; copëza mbetjesh të mitrës së përgjakur të nënës që i lindi dhe i rriti: Partia e Punës.

4 - Në vendin tonë, partitë janë si bisha të uritura, partiçkat, krijesa po aq të lebetitura e të llahktarisura. Në çdo çast, ato janë gati të shqyejnë njëra tjetrën, e në pamundësi, nëse nevojitet,  janë të gatshme të hanë  edhe krijesën e vet...!  Dhe mos u çuditni. Në fund të fundit, kjo është një luftë për mbijetesë, pa parime, pa kauza, pa moral.

5 - Partitë janë si “fallxhorët” që shkëlqejnë me gurë diamantesh. Ushqimi i përditshëm i tyre janë njerëzit e varfër, turmat lumpiane dhe të dëshpëruara – viktimat e tyre.

6 - Partitë janë lojtarë të shkëlqyer të bixhozit. Letrat dhe gurët e tavllës që ato i luajnë mrekullisht, është një popull i ç’orientuar, i cili historikisht udhëhiqet dhe drejtohet nga turmat e verbëra.

7 - Partitë janë si prostitutat e bukura “vip”. Gjithmonë  shembëllejnë  me ndriçime llampash e neone  shumëngjyrëshe. Gjatë sundimit, ato miklohen, por edhe egërsohen, hynë në garë me njëra – tjetrën kush të kafshojë më shumë pjesë nga Atdheu i përbashkët. Pas zgjedhjeve  rrëshqasin, shkëputen butë – butë nga turmat dhe nisin të jetojnë në një tjetër realitet, një jetë të re. Në godina gjigande e luksoze. Mblidhen dhe shtrojnë çdo ditë tryeza, dreka dhe darka qeveritare nëpër salla mondane. Organizojnë ankande “bamirësie”, ballo e mbrëmje aristokratësh, bëjnë diplomaci e pazare të ndyra ku të munden e si të munden, në resorte e vila, në jahte e aviona carter... E së fundmi, kur trokasin zgjedhjet e radhës, sërish “prostitutat vip” zgjohen nga gjumi përrallor.  Zbresin butë – butë nga lartë - poshtë, në popull, atje ku është turma... Pse jo, dalin edhe në semafor, atje ku është stacioni i tyre i preferuar, sepse nga aty ka nisur rrugëtimi i parë dhe fshehtas,  i’a  shkelin syrin njëra – tjetrës për të kapur gjahun e radhës, grabitjen e votave...

8 - Partitë janë “bakterie” të këqia. Ato gjallojnë vrullshëm, në mënyrë të ç’rregullt e të pakontrolluar, në trupin e një populli të tërë që dergjet në stratin e të sëmurit kronik, në Dispancerinë - Atdhe.

9 - Mileti – elektorati, tradicionalisht është i ndarë në parcela mes partive. Mirëpo, gjithmonë të fituara kanë dalë dhe dalin këto të fundit, duke e lënë popullin me gisht në gojë. Deri kur...?!

10 - Për sa kohë do të vazhdohet të tubohet nëpër sheshe e zgëqe të fëlliqura mes moçaleve për partitë dhe partiçkat tona të  “ëmbëla” dhe të “dashura”, për aq kohë ato nuk do të kursehen t’ia bëjnë në kokë të gjithë shqiptarëve...!

E nëse je dakort dhe nuk ke asnjë kundërshti i dashur populli im me përmbajtjen e këtij “manifesti”,  të lutem,  shko shpejt dhe anëtarësohu sa më shpjet.  Mos humb kohë. Rrofshi e qofshi,  partitë mbi të gjitha..!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat