Demarkacioni, kusht edhe për Serbinë, jo vetëm për Kosovën!

Opinione

Demarkacioni, kusht edhe për Serbinë, jo vetëm për Kosovën!

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 20:03
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

Duke qenë se Serbia nuk e ka të zgjidhur vijën e demarkacionit me shtetin e ri të Kosovës, prandaj, ajo nuk ka kurrfarë të drejte ligjore të negociojë me institucionet e BE-së, që të jetë anëtare  sikurse  27 vendet e tjera anëtare të saj.
 
Së  pari, nga BE-ja, duhet të kushtëzohet Serbia që të zgjidhë problemin  territorial ndërshtetëror me Kosovën, pastaj, ky kusht le të vlejë edhe për Kosovën dhe për Malin e Zi.
 
Kjo do të duhej të ishte agjenda e zgjidhjes së kontestit territorial të Kosovës, së pari me Serbinë, pastaj me Malin e Zi, jo anasjelltazi, sepse Kosova nuk  ka problem territorial me Malin e Zi, por, pikësëpari me Serbinë, e cilia  as de fakto e as de jure nuk po e njeh sovranitetin territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës.
 
Pse standarde të dyfishta vetëm për Kosovën?
 
Pyetja për BE-në, për Qeverinë, për Parlamentin dhe për Presidentin e Kosovës, pse  Bashkimi Evrpian (BE) njohu liberalizimin e vizave Serbisë (2009), pa i vënë  kusht  asaj, që të tërhiqte demarkacionin me Kosovën, kur dihet se de fakto e as de jure Qeveria e Serbisë nuk ka të caktuar, as të shënuar me simbole shtetërore kufijtë e saj me Kosovën, sepse ajo kufijtë e Kosovës (të cilët nuk figurojnë si kufij shtetërorë, edhe pse qe 9 vjet ka shpallur pavarësinë e saj, të cilën e kanë njohur 113 shtete të OKB-së) i konsideron vetëm “kufij administrativë” assesi shtetërorë për shkak se,  edhe me Kushtetutën e vitetit 2006, Kosovën e konsideron “territor të vetin”?!
 
Ky është problemi territorial ndërkufitar i pazgjidhur mes Serbisë  dhe Kosovës, i cili është në kundërshtim flagrant me kriteret dhe mestandardet e BE-së sipas të cilave Serbia nuk mund të ketë kurrfarë qasjeje në strukturat e saj, pa zgjidhjen e këtij problemi territorial me Kosovën.  Ky është standardi universal, që vlen njësoj për të gjitha vendet anëtare të BE-së. Prandaj, realisht dhe ligjërisht ky standard, do të duhej  të vlente edhe për Serbinë, jo të favorizohej, duke shkelur normat dhe rregullat procedurale ligjore të BE-së.
 
Serbia si shtet agresor dhe gjenocidal me liberalizim të vizave (2009-2017), kurse Kosova si viktimë e saj (1989-1999), pa liberalizimin e regjimit të vizave!?
 
-Ja, kjo është padrejtësia  dhe antihumanzimi evropian dhe ndërkombëtar. Ky diskriminim i Kosovës, as juridikisht e as politikisht nuk ka kurrfarë baze të qëndrueshme e as të justifikueshme.
 
Së pari, BE-ja nuk do të duhej ta pranonte Serbinë në Paktin e  Stabilitetit dhe të Asocimit, të nënshkruar në Luksemburg, më 29 prill 2008; as t’ia njihte statusin kandidat për anëtarësimin në BE-së më 1 mars 2012; as  hapjen e dy kaptinave të para për zhvillimin e negociatave formale të aderimit në BE, më 14 dhjetor 2015  e as  njohjen e liberalizimit të vizave më 2009, pa TËRHEQJEN E  DEMARKACIONIT me  Republikën e Kosovës, sepse Kosova ende nuk ka kufij të caktuar shtetërorë me Serbinë (2008-2017).
 
Pa përzënien e Serbisë dhe të “bishtave” të saj nga Kosova, zhvillimi dhe prosperiteti i gjithmbarshëm i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, do të jetë vetëm utopi dhe mashtrim!
 
Së fundi, pavarësisht se çfarë “llomotisin” naivët dhe armiqtë  kundër Lëvizjes Vetëvendosje, se gjoja kjo qe dy vjet po merret vetëm me “Serbinë”, përkatësisht me dy marrëveshjet e nënshkruara në Vjenë, më 25 gusht 2015 (Srpska zajednica dhe Demarkaconi me Malin e Zi), është pozitive, që Vetëvendosja së bashku me pjesët e tjera të opozitës qe dy vjet me arsye kanë bllokuar këto dy marrëveshje të dëshme për integritetin dhe  për sovranitetin territorial të Kosovës. 

Për më tepër, do të merremi me problemin e Serbisë derisa ajo të izolohet dhe të largohet jashtë nga kufijtë shtetërorë të Republikës së Kosovës.
-Nuk mund të ketë kurrfarë  zhvillimi dhe përmirësimi të  duhur të gjendjes dhe të kushteve të përgjithshme sociale, ekonomike dhe të mirëqenies në Kosovë derisa Serbia me mekanizmat e ndyrshëm të saj (politikë, policorë, agjenturorë, të sigurisë, propagandistikë, të spiunazhit,  të terrorizmit, të zbulimit dhe të kundërzbulimit etj.)  është e pranishme në të gjitha institucionet shtetërore dhe shoqërore të Kosovës.
 
Pra, problemi dhe  rreziku më i madh për Kosovën, ende është Serbia me  bashkëpunëtorët dhe me spiunët e saj,  varëfëria dhe papunësia ekstreme, si dhe korrupsioni, krimi i orgnanizuar, plaçka, nepotizmi dhe burokracia feudale dhe provincialiste, që kanë kapur pushtetin (2008-2017). Kjo është tragjedia  dhe mjerimi i thellë, që kanë mbërthyer shtetndërtimin e mirëfilltë demokratik  dhe të së drejtës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat