Edhe i vrarë, edhe i sharë!!

Opinione

Edhe i vrarë, edhe i sharë!!

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 24 shkurt 2017 Në ora: 14:42
Idriz Zeqiraj

Kur po zhvillohej gjyqi kundër Sabit Gecit dhe bandës së tij vrastare,  dëshmitari i mbrojtur  dhe anonim në gjyq, papritmas dhe guximshëm, hoqi maskën: Ai tha se "unë jam Imer Imeri, vëllai i Haki Imerit, i vrarë në Drenicë, nga një bandë me uniformën e UÇK-së. Gjithashtu, unë kam qenë i burgosur, në kampin-burg të Cahanit të Kukësit. Zona ishte nën mbikëqyrjen e Komandantit të Garnizonit të Kukësit, gjeneral Kudusi Lame. Pas torturave të shumëta, na dërguan në një vend tjetër, për ekzekutim, por na ka shpëtuar një kuadër i komandës, i thonin Haki Drenica". Dëshmitë u vlerësuan, u verifikuan, rezultuan të sakta dhe kriminelët u dënuan nga gjykata e UNMIK-ut. 

Dëshmia e Imer Imerit ishte po aq e saktë, e qartë, sa edhe ajo e Nazim Bllacës. Ndryshimi në mes tyre është se Imer Imeri ishte luftëtar i lirisë, ndrsa Nazim Bllaca ushtar i SHIK-ut, në survejim e përndjekje të veprimtarëve të LDK-së, deri në ekzekutim. 

Në përkujtimin e organizuar nga Kuvendi Kumunal i Istogut, për Vëllezërit Kosovë dhe Albert Zeqiraj, më 10 dhjetor 2016, u ftua për pjesëmarrje edhe Imer Imeri, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës "Thirrje për Drejtësi", i cili ishte planifikuar të referojë për kolapsin e drejtësisë dhe mos ndëshkimin e krimeve, të pirguara në vite. Ndonëse ishte i sëmurë, njoftoi se mungon, pikërisht, për këtë arsye. Një javë më vonë, me një mikun tim, ish-deputet, erdhi në Istog dhe përgjatë drekimit në Kompleksin relaksues dhe ushqimor "Trofta", biseduam për punën që bënë Shoqata në fjalë dhe planet për të ardhmen.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duke qenë i akuzuari i parë për krime lufte, më saktë, listë-bërje dhe urdhër-dhënie për dajakosje dhe ekzekutime, të ushtarëve dhe të kuadrove të Ibrahim Rugovës, për amortizimin e dëshmitarëve, ka zgjedhur kanunin! Duke mos pasur as njohuritë elementare të Kanunit, edhepse ka zgjedhur për ta mësuar historinë, ngatërron numrat, nga 24 në 124 pleq! 

Kryetari i Shoqatës "Thirrje për Drejtësi, Imer Imeri, u bëri akuzë publike dy shefave të kryebandave vrastare, në Drenicë, Dukagjin e LLap, Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinaj:

1) Për krimin e organizuar, vrasje politike;

2) Për rreketin, haraçin e përgjakur; 

3) Për korrupsionin, hajninë zyrtare.

Akuza i përngjante një akt-akuze zyrtare, me një oratori, elokuencë, e bazuar dhe faktike, sa për t`ia pasur zili  e lakmi çdo prokuror, që ka për zemër, jo vetëm profesionin, por edhe atdhetarinë. 

Një marrëveshje konspirative dhe një shpërfaqje publike e persekutorit Hashim Thaçi me viktimën Imer Imeri, shokon opinionin. Ky i fundit e shfajëson Hashimin se "nuk është vrasës i vëllait tim, Haki Imerit dhe është gadi, sipas kanunit, të bëjë be Hashimi, jo me 24, por edhe me 124 pleq, nëse është nevoja!" Për çudë, aq i bindur është Imer Imeri në pafajësinë e Hashim presidentit, sa as nuk provon ta shfrytëzojë të drejtën, për t`i vënë në provën e be-së, pleqtë e Hashimit dhe as pleqtë e zgjedhur nga ai vetë. Mohimin e akuzave, në drejtim të Hashim presidentit, e arsyeton me një ekip vrastarësh llapjanë.

Thonë se çdo e keqe, ka edhe të mirën e saj. Akademia, dekorimi, homazhi, nderimi tek varri i Haki Imerit, nga Hashim presidenti, pas tej 18 vitësh nga vrasja makabre, nga vet i kryedyshuari, i la pa frymë shqiptarët. Kjo përforcon mendimin se Hashimi nuk zgjedh mjetet, për ta tealizuar qëllimin. E mira e kësaj të keqeje të përgjakur është zhdaravitja e mjegullnajës, rreth krimeve serike, para, gjatë dhe pas luftës. Dilemat janë relative, madje vetëm për ata, që, dëshpërueshëm, duan ta mbrojnë krimin dhe kriminelët. 

Megjithatë, asgjë nuk është ok-ej. Babai ka lënë djalë, Kastriotin, dhe ai nuk pajton me xhaxhain Imerin. Dhe, mirë bën. "E vërteta lë të zgjidhet me ligj dhe jo me kanun", - thotë dhe kërkon, madje, ngulmërisht, Kastriot Imeri.

Moria e shkrimeve, opinioneve, profesionale dhe amatore, kanë qenë të bollshme. Komentet lumë. Kryesisht, akti i Hashim presidentit është dënuar dhe "ai duhet ta dorëzojë presidencën", - dominon opinioni i përgjithshëm. Por, veçoj opinionisten, që unë e përcjell, në vijimësi, madje edhe me simpati - Kimete Berishën si dhe gazetarin, siç thonë, kontravers, por, unë them, edhe të drejtëpërdrejtë, të cilin, përtej 20 viteve e ndjek; herë brenda kornizës partiake dhe, herë-herë, edhe i shpenguar nga dogma, jashtë asaj kornize.

Gazetarja Kimete Berisha, kësaj radhe na zhgënjen. Në vend që të godasë persekutorët, siç bën ajo rëndom, sulmon viktimën! Ajo, këtë herë, ia bënë qejfin SHIK-ut, sikur godet vetëm "spiunët". Në fakt, shefat e LPK-së, të cilët identifikohen me shefat e SHIK-ut: me rrahjet, torturat, maltretimet, burgosjet e deri edhe vrasjet e ushtarakëve luftë-bërës dhe të veprimtarve të Ibrahim Rugovës, për rrjedhojë përçarjen e faktorit ushtarak dhe sabotimin e luftës, janë dëshmuar se ishin hafije, spiunë të hershëm rë UDB-së, Sigurimit pro sllav Shqiptar dhe të tjerave shërbime.

Arrestimi, torturimi dhe tentimi për vrasjen e Imer Imerit, është pasojë e pyetjes: "Kush ma vrau vëllain, Haki Imerin?" Shpëtimi është rastësi. Qëllimi: për t`ia mbyllë gojën ose, me vrasjen eventuale, për ta dobësuar familjen, për ta pakësuar rrezikun, në të ardhmen, siç bëri banda e Dukagjinit, me vrasjen e vëllezërve Musaj nga Strellci dhe nipin e Rexhë Osaj, nga Carabregu i Deçanit, ushtarak i Kosharës, i ekzekutuar me katërshën e ushtarkëve të Brigadës Mërgmi. 

Gazetarja Kimete lënë dyshime, e përçmon dhe e përtallë viktimën Imer Imerin, pse ankohet pse e rrahu një femër! Pothuaj se të gjithë kemi parë se si 6 gjashtë) vjeçarët e ISIS-it, ekzekutonin oficerët sirianë me revole, me nga një plumb kokës! Imer Imerin nuk e ka rrahur, thjeshtë, një femër me  shtagë (shkop), por, organizata fashizoide, terroriste, ISIS - SHIK-u kriminal, krijesë e LPK-së, Sigurimit hoxhist Shqiptar dhe e UDB-së. Kur një polic analfabet, dikur bari dhishë, e tërhiqte zvarrë, për këmbësh, me kokë në çimento, gjeneral Gjin Markun, në burgun e Burrelit, Kolonel Gjergj Kotoni, ndërhyri vetëm me fjalët:  "S`keni turp që tërhiqni zvarrë gjenalin e Ushtrisë Nacinal Çlirimtare"?! Në vend të përgjigjës, ia shtuan edhe 10 vjet të tjera burg Kolonelit! Thonë se "vakti e hanë kashtën!"

Gazetarja Kimete Berisha, e cila, zakonisht, e vënë pikën mbi "i", këtë herë, i kemi "ra mësyshë".

Gazetarja Kimete ngatërron, uroj padashje, UÇK-në normale me "UÇK-në" bandë të SHIK-ut. Dhe, rreket, me kot, ta mbrojë këtë të fundit. Kjo "UÇK-e", që ju pretendoni se jua ka shpëtuar jetën, duhet të jetë një përjashtim. Sepse "UÇK-ja" bandë e SHIK-ut, jo vetëm që nuk është rrekur për shpëtimin e jetës të ndokujt, por ka vrarë njerëz të pafajshëm dhe të pambrojtur shqiptarë, si Haki Imerin me shokë. Ka mjaftuar logjika kriminale: "Një ushtarë, një votë me pak për Ibrahim Rugovën!"

Përgjatë gjithë ekzodit, me 18 punëtorët e fabrikës tonë, sidomos me dy nipat nga motra, Hasan dhe Ismet Rexhaj, (i pari nuk jeton), nga fshati i Dr. Rugovës, Cërcë, e Istogut, plus nipat e mbesat të familjes tonë, disa në luftë në Kosovë dhe Koshare, të tjerët në Emergjencën, prapavijën e luftës, i kemi pritur dhe strehuar mijëra refugjatë, ikanakë nga Kosova. Pikë-pritja ka qenë  Fabrika e Miellit "Etniku", në Mamurras të Kurbinit, prej nga shpërndaheshin dhe strehoheshin në qytezat dhe fshatrat tjera. Ankesat e tyre të njëzëshme kanë qenë: "Komandantët dhe UÇK-ja ikën para nesh. Ne na lanë në duart dhe "mëshirën" e armikut. UÇK-ja nuk e mbajti premtimin, për të na mbrojtur apo për të na lënë të largoheshim me kohë. Burrat dhe djemtë e ekzekutuar, i kemi lënë pa varrosur. UÇK-ja iku për vete, na tradhtoi".

Pas Deçanit dhe Gjakovës, të dytët i kemi pritur Malishevën dhe Rahovecin me fshatra. Ata ishin mijëra. Në sallën sportive të basketbollit dhe të futbollit të vogël, të Gjimnazit "Arif Syla", i ikur në kohë të Mbretërisë nga Istogu, (dhe jo Sula, siç i kanë sllavizuar disa mbiemra, nëpunësit jugorë), strehonim 450 veta. Dhe, kur donim t`i dërgonim në familjet kurbinase, hezitonin, duke thënë, mjafton që jemi "nën pikë", pra, jo në natyrë. Nga tmerri i armikut dhe jeta e maleve, njerëzit ishin tëkurrur, dukeshin me të vegjël, se sa, realisht, ishin.

Malishevasit nuk kishin pasur kohë t`i marrin as pashaportat e Jakupit (Krasniqit). Pisllëqe të shumta u bënë gjatë luftës. Dhe, edhe më të ndyra pas luftës. Disa nga "komandantët", sidomos, ata të graduarit, pa bërë asnjë betejë, janë kthyer në korba, po ia bëjnë gjëmën Kosovës.

Urojmë të lexojmë, sërishmi, opinionet tuaja të dinjitetshme, e nderuara dhe e talentura gazetare, Kimete Berisha. 

Për të njëjtin rast reagon edhe gazetari i zëshëm hulumtues, Milaim Zeka, gjithnjë në kontektsin negativ, për viktimën dhe medien intervistuese. Në mënyrën habitore, ai shprehë mospajtimin, madje edhe zemrimin, pse Baton Haxhiu, në "Klan-in" e tij, i jep hapësirë viktimës Imer Imeri, për të denoncuar persekutorët, dajakxhinjtë e tij. Në mes meshkujve, ai përmend edhe nusen Shqipe, e cila, duke e goditur me shtagë, shkop, dru, viktimën e lidhur, të rënë në fatkeqësi, Imer Imerin, i thotë: "Koke i shijshëm me t`rreh!" 

Në dëshminë para gjyqit, kundër kriminelit Sabit Gecit me shokë, Imer Imeri ka thënë se, "përveç meshkujve, më ka rrahë edhe një femër. Emrin ia kam mësuar para tre muajve, quhej Shqipe (Selimi).

Gazetari Zeka reagon thekshëm: "Si ka mundësi me ia përmend emrin një gruaje, nënë e dy fëmijëve?!" Njerëzit, për ta ruajtur nderin, emrin e mirë  për vete dhe familjen, sakrifikohen edhe me jetë. Për të bërë ndonjë dëshmi të rreme, në monizëm, sidomo në Shqipërinë diktatoriale, mund t`i shpëtoje burgut, besa, edhe privilegje të gëzoje. Por, megjithatë, shumica ruanin drejtëpeshimin, pranonin dajakun, burgun, urinë, vuajtjen e pafund, si në burgjet shqiptare, madje shpresë-bjerrur, për të dalë të gjallë.

Kam bindjen se Imer Imeri është më i vjetër, se sa babai i Shqipes. Ajo ka goditiur një të moshuar, duarlidhur. Për gjithëçka mund të mburret, por, jo për fisnikëri dhe edukatë. Edhepse, tashmë, nënë, fëmijtë kur të rritën, maturohen, do ta gjykojnë nënën e tyre, për vrazhdësi dhe edukatë të mangët familjare. 

Për ta lehtësuar, sado pak, ndërgjegjen e vrarë, Shqipe Selimi, të paktën, duhet t`u kërkojë ndjesë viktimave të saj, të SHIK-ut, sepse Imer Imeri nuk ishte i dajakosuri i vetëm i saj. Veç kësaj, duhet ta denoncojë dhe ta dënojë SHIK-un terrorist, me shefat e tij vrastarë serikë, duke e "ndarë shapin nga sheqeri". Banda e SHIK-ut, njësoj si Millosheviçi me bandën e tij, ka shtuar numrin jetimëve në Kosovën tonë të vogël, të cilën duan ta zvogëlojnë edhe më shumë, me Demarkacionin e tyre famëkeq, shtetarët dhe pushtetarët tanë batakçinj dhe të dyshuar për shumëçka. Kjo bandë zëkeqe, ka veshur në zinë e përjetshme: mijëra motra e vëllezër, prindër e familjarë, kushërinj, miq e dashamirë, kudo që jetojnë, në Kosovë dhe Mërgatën e pamatë shqiptare.

Shqipja duhet të pranojë se i ka shërbyer në "UÇK-në" bandë të SHIK-ut, se ka dajakosur e toturuar njerëzit e pafajshëm, kryesisht, veprimtarët e LDK-së. Dhe, nuk i ka mbetur fare kohë, për ta luftuar pushtuesin. Pra, është një "luftë" e palavdishme, e turpshme dhe, tërësisht, kundër-kombëtare, që i ka shkuar për shtat vetëm Serbisë me sllavo-orthodokësinë e vet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat