Të dënohet histeria shoviniste kundër shqiptarëve në Maqedoni

Opinione

Të dënohet histeria shoviniste kundër shqiptarëve në Maqedoni

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 28 mars 2017 Në ora: 14:07
Abdulla Mehmeti

Protestat kundër shqiptarëve dhe gjuhës shqipe në Maqedoni, të frymëzuara, përkrahura dhe organizuara nga një parti politike, për disa javë me radhë nëpër sheshet dhe rrugët e Shkupit dhe qyteteve të tjera vjellin pa ndërprerë helm urrejtje dhe shovinizmi të llojit më primitiv, duke bërë hapur thirrje për hakmarrje dhe terror mbi shqiptarët autoktonë në Maqedoni.

Filozofia politike e ndërtuar mbi krime dhe terror ndaj të tjerëve   

Kjo histeri, shfrenim, urrejtje dhe thirrje e hapur kundër një populli, të cilin rrethanat historike e kanë detyruar të jetojë me të tjerë brenda kufijve të një shteti të përbashkët, nuk mund të mos kualifikohet si thirrje e hapura për luftë dhe shfarosje, krim gjenocidi dhe terror, i cili kualifikohet ndër krimet më të rënda kundër njerëzimit dhe është i dënueshëm sipas konventave ndërkombëtare.

Nuk ka asnjë arsye që faktori ndërkombëtar të hesht në këtë rast, më së paku kanë të drejtë të heshtin subjektet politike të shqiptarëve në Maqedoni, asociacionet joqeveritare dhe personalitetet publike, siç nuk duhet të heshtë as Tirana dhe Prishtina zyrtare.

Të gjithë aktorët e përfshirë në këto akte gjenocidi, vepra terrori të hapur psikologjik kundër një populli, për këtë shkelje të rëndë të nderit, dinjitetit dhe krenarisë kombëtare të qytetarëve me përkatësi tjetër etnike, nuk duhet të mbeten pa dënuar sipas ligjeve në fuqi dhe konventave ndërkombëtare. Assesi nuk mund të lihen në harresë, të anashkalohen, të tolerohen dhe të mos ndëshkohen këto krime, kur ato nuk kanë asnjë bazë për t’u shfaqur publikisht, para syve të opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar.

Nuk është hera e parë që po nga i njëjti subjekt politik dhe nga organizatorë të njëjtë, vite me radhë të përhapet, motivohet dhe demonstrohet publikisht kjo urrejtje, histeri dhe shfrenim kundër shqiptarëve, për të cilat deri më sot nuk u kërkua përgjegjësi dhe mbetën të pa dënuara si akte terrori kundër njerëzimit, si nga organet kompetente vendëse edhe ato ndërkombëtare.

Nevoja për tejkalimin e krizës politike nuk e justifikon krimin dhe terrorin 

Shqiptarët në Maqedoni janë të vetëdijshëm për situatën e rëndë politike në vend, për nevojën e tejkalimit të problemeve në mënyrë të qetë. Qytetarët shqiptarë të këtij shteti vazhdimisht kanë qenë të përmbajtur dhe me gjakftohtësi maksimale u kanë ikur këtyre provokimeve, por çdo tolerancë ka kufirin e vet, sidomos kur cenohen liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Deri më sot, sa zgjat kjo histeri e shfrenuar kundër shqiptarëve, asnjë subjekt politik, institucion dhe asociacion jopolitik, medium në gjuhën shqipe dhe personalitetet publik, nuk u ka bërë thirrje shqiptarëve për kundërpërgjigje ndaj këtyre shfryrjeve patologjike kundër shqiptarëve, përkundrazi, të gjithë kanë apeluar për ruajtjen e gjakftohtësisë, për kujdes maksimal ndaj këtyre provokimeve të papërmbajtura dhe padurueshme të shovinistëve serbomanë dhe rusofilë në Maqedoni.

Shqiptarët dhe subjektet e tyre, me asgjë nuk e kanë provokuar këtë shfrenim dhe urrejtje të shfaqur publikisht me javë të tëra rrugëve dhe shesheve ku jetojnë shqiptarët, në vendbanimet ku duhet ta zhvillojnë jetën normale të tyre dhe duhet t’i kryejnë obligimet e veta të përditshme si qytetarë; ku të punësuarit duhet të shkojnë çdo ditë në punë dhe të kthehen në shtëpi; nxënësit dhe studentët duhet t’i vijojnë mësimet dhe të kthehen lirisht në familjet e tyre; tregtarët duhet t’i hapin dyqanet dhe zejtarët punëtoritë e veta; mysafirët dhe kalimtarët e rastit duhet lirisht të qarkullojnë nëpër rrugët dhe sheshet e qyteteve, ku përditë ndeshen me turma të shfrenuara shoviniste, të cilat bëjnë thirrje të hapura për hakmarrje dhe linçim kundër bashkëqytetarëve shqiptarë.

A mund të durohet kjo gjendje deri në pakufi? Kush duhet të kujdeset për lirinë e qarkullimit dhe sigurinë e këtyre qytetarëve, në rrugë, në institucionet ku punojnë, në treg dhe kudo duhet të lëvizin sipas nevojës? Çka duhet të ndërmarrin subjektet politike të shqiptarëve në këtë shtet për tejkalimin e kësaj gjendje tepër të padurueshme? Kush duhet të ndërmerr masa përkatëse nëse këtë nuk e bëjnë organet kompetente të shtetit, sipas ligjit dhe kushtetutës? A duhet të heshtë edhe më tej faktori ndërkombëtar, kur kjo gjendje e ka tejkaluar masën e tolerancës maksimale dhe të normalitetit?

Përkrah durimit dhe ruajtjes së gjakftohtësisë, shqiptarët duhet të jenë të zgjuar pandërprerë, ndërsa i kanë të freskët nga e kaluara tërbimet e po këtyre falangave, më 1991, 1995, 1997, 2001, 2004 dhe në vazhdimësi deri në ditët e sotme, pa përfshirë rastet e veçanta individuale dhe grupore të frymëzuara po nga këto qarqe antishqiptare.

Çdo durim ka masë dhe duhet të ketë një fund

Këtij mentaliteti primitiv, kësaj strukture njerëzish të çoroditur dhe këtij terrori psikologjik të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve, duhet patjetër t’i gjendet një zgjidhje e përhershme, përderisa shqiptarët nuk e kanë humbur durimin.  

Shqiptarët nuk mund të jenë fajtorë kujdestarë për shfrenimin shtazarak dhe histerinë skizofrenike të çfarëdo grupi kriminal dhe falange terroriste të paguar nga shërbimet e huaja për prishjen e paqes në Maqedoni, por edhe në rajonin më të gjerë.

Shqiptarët nuk mund të jenë viktima të përhershme të bandave dhe nëntokës kriminale për llogari të disa strukturave politike, të cilat me çdo kusht duan të mbeten në pushtet për t’i realizuar qëllimet e veta të sëmura, plaçkitjen e egër të qytetarëve, vjedhjen e pasurisë së qytetarëve, falimentimin me çdo kusht dhe zhbërjen e këtij shteti, për interesa të vetat dhe të huaja.

Shqiptarët në Maqedoni, jo nga frika, por për parime dhe interesa të tjera strategjike, do të mundohen edhe më tej ta ruajnë durimin, t’u ikin provokimeve dhe t’i japin shans zgjidhjes paqësore të krizës politike në Maqedoni, por kjo assesi nuk nënkupton që shqiptarët duhet jashtë çdo norme dhe kufiri ta tolerojnë poshtërimin, përbuzjen, ofendimin, nëpërkëmbjen e dinjitetit, durimin e sharjeve dhe kërcënimeve, shkeljen flagrante të lirive dhe të drejtave qytetare dhe kombëtare.

Një nga masat e menjëhershme, gjithëpërfshirëse dhe pa kompromis, ndaj kësaj histerie kundër shqiptarëve, kundër gjuhës dhe dinjitetit kombëtar të tyre, duhet të jetë fshirja sa më parë nga lista e subjekteve politike të denja për bashkëpunim në të ardhmen, e një subjekti politik me prirje të dëshmuar antishqiptare, i cili ndër vite ka frymëzuar, përkrahur dhe organizuar protesta, shfrenim e shfryrje shoviniste, terror psikologjik e fizik ndaj shqiptarëve.

Krimet duhet të dënohen dhe ndëshkohen

Hakmarrje individuale ndaj kryerësve të këtyre veprave nuk do të ketë nga shqiptarët, por do të kërkohet përgjegjësi ligjore dhe dënim ndaj frymëzuesve dhe organizatorëve të këtyre veprave të shëmtuara e të pështyra. Ndërsa e gjithë kjo hakmarrje do të derdhet mbi subjektin shqiptar dhe personat që do të guxojnë në të ardhmen të bashkëpunojë në çfarëdo forme me këtë subjekt politik, subjektet e ngjashme dhe drejtuesit kryesorë të tyre, frymëzuesit dhe organizatorët e protestave kundër shqiptarëve, sepse për të satën herë para opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, shqiptarët në këtë shtet i kanë shpallur armiq, të padëshirueshëm në shoqërinë dhe shtetin ku jetojnë edhe ata, duke kërkuar hapur vdekjen e tyre, dhoma gazi dhe kërcënime të tjera antinjerëzore, të cilësuara si krime gjenocidi dhe të dënueshme sipas konventave ndërkombëtare si krime të rënda kundër njerëzimit.

Një përfundim i domosdoshëm për shqiptarët

Subjektin politik VMRO-DPMNE dhe çfarëdo asociacioni me këtë emër dhe akronim të ngjashëm, të dëshmuara për të satën herë si lëvizje politike dhe struktura paramilitare, kriminale dhe antishqiptare, shqiptarët në Maqedoni dhe jo vetëm, duhet t'i shpallin botërisht si të padenja për bashkëpunim e të jashtëligjshme, ndërsa për këtë qëndrim, subjektet politike të shqiptarëve dhe faktorët tjerë relevantë për mbrojtjen e interesit kombëtar të shqiptarëve, duhet ta njoftojnë opinionin e brendshëm dhe institucionet ndërkombëtare. Këto subjekte i kanë tejkaluar të gjitha normat ligjore dhe kushtetuese, duke i shkelur brutalisht edhe parimet themelore ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, dhe si të tilla duhet të mbajnë përgjegjësi para organeve vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë për ta marrë dënimin e merituar.

Atë që nuk e bëjnë për momentin organet e pushtetit në Maqedoni dhe faktori ndërkombëtar, janë të detyruar ta bëjnë vetë shqiptarët, të cilëve u drejtohen hapur kërcënimet me vdekje dhe shfarosje në dhoma gazi!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat