Përçarja që bën SHIK-u në Kosovë

Opinione

Përçarja që bën SHIK-u në Kosovë

Nga: Rexhep Shahu Më: 26 prill 2017 Në ora: 16:10
Rexhep Shahu

Shërbimi sekret i Shqipërise (Sigurimi i Shtetit), (SHIK), sot SHISH ka marrë shumë jetë shqiptarësh të Kosovës. Dhe nuk u ngop kurrë. Nuk u pendua kurrë. Përkundrazi mbetjet e tij me fuqi malarje, kërcënojnë sot e gjithë ditën, ngatërrojnë e përçajnë Kosovën.

Në kohën e Enver Hoxhës janë mijëra e mijëra shqiptarë të Kosovës që kanë vdekur burgjeve, kampeve të përqëndrimit në Shqipëri, (kampion Qazim Bllaca i Suharekës me 32 vite burg e internime në Shqipëri), janë vrarë në kufi dhe shërbimi sekret i etiketonte shqiptarët, që iknin nga shiu e binin në breshër, si spiunë e agjentë të UDB-së jugosllave, që vijnë të minojnë lumturinë e Shqipërisë. Duke harruar se themeluesit e shtetit komunist të Shqipërisë ishin serbët apo malazezët-jugosllavët, Dushan Mugosha, Miladin Popoviqi e plot shefa të tjerë të Shqipërisë.

Nëse harrohet kjo është verbëri me dashje në Kosovë, është me nxjerrë sytë e vet secili.

Shërbimi sekret i Shqipërisë në luftën për Kosovën, në emër të dashurisë për Kosovën, ka instaluar përçarjen e shqiptarëve në Kosovë, ka caktuar kush është patriot e atdhetar, kush titist e jugosllav, ka shpallë patriot enveristët, marksistët e leninistët në perëndim pa Marks e Lenin..

Lufta më e pështirë e nëndheshme, mbështjellë me vellon e luftës për lirinë e Kosovës, ka qenë lufta me ia marrë pushtetin Ibrahim Rugovës, sidomos kur mbaroi lufta e shqiptarëve dhe filloi lufta e Amerikës dhe NATO për Kosovën në fundmars 1999.

Eksponentët politikë të krahut të armatosur UÇK, që janë shkepë te luftue zyrave të Tiranës dhe në studion satelitore të Televizionit shqiptar, jo profesionistë, shumë inferiorë ndaj SHIK-ut të Shqipërise, i shihnin punonjësit e SHIK-ut si zotat, sikur lirinë e Kosovës dhe jetën e sejcilit shqiptar, e kishin në dorë shiksat e Shqipërisë, mes të cilëve kishte njerëz fisnikë, atdhetar e patriotë, por edhe morra e horra biznesmenë për lekë e tituj e grada.

SHIK-u i Shqipërisë i diktonte me qëndrimet e tij, em përkrahjet, me ekspozimet, me shfaqjet të individëve të tij, eksponentët e UÇK-së dhe ky shërbim u bë politik sepse bëri diferencim rracor të flliqtë kundër njerzve të qeverisë së Kosovës, kundër FARK-ut, kundër oficerave profesionistë.

Sa më të paditur njerzit, aq më shumë i mistershëm bëhej SHIK-u, të cilit në fakt i kishte ikë hija e frikshme e shumë misterioze e kohës së diktaturës.

Sa më shumë vese të kishin njerëzit, aq më shumë i pickonte e tërhiqte për hunde SHIK-u. Sa më shumë vidhnin, shpërdoronin, bënin kurvëri si luftë çlirimtare në hotele e motele të Tiranës e Durrësit individë të ndryshëm që shfaqeshin e u shfaqën si shpëtimtarë të Kosovës, e që Kosova pastaj i gradoi me pushtet pas lufte, aq më i pushtetshëm bëhej SHIK-u tek këto njerëz që kishin lënë veten peng diku.

SHIK-u i din vrasjet, lëvizjet e armëve, kujt ia lejonte transportin e armëve e kujt jo. Shumë përsonalitete të Kosovës që kanë qenë e janë përsonalitete me ndikim e rrezatim, i janë ruajtë si dreqit SHIK-ut. Sepse SHIK-u i Shqipërisë caktonte apo çertifikonte kush është shqiptar i mirë e kush i keq, kush duhet ta bëjë luftën e kush jo, kush duhet ta marrë pushtetin pas luftës e kush jo.

SHIK-u i Shqiperisë do të ishte kombëtar po të mos përçante shqiptarët e Kosovës, po të mos i fuste hundët në çdo punë sikur ai kishte në dorë çertifikatën e lirisë së Kosovës.

Me i vu mutit majë SHIK-u i vuri fill pas luftës së Kosovës. Dërgoi eksponentë të tij në Kosovë, individë pa asnjë njohje a kontribut real për Kosovën, për me i mësue Kosovës se si bëhet, krijohet e vepron shërbimi sekret. Kjo ndodhi si përkulja e parë e drejtuesve në letër të UÇK që u vetshpallën pronarë të lirisë së Kosovës e vranin e kthejllnin në Kosovë si Zeusa. Në këtë periudhë është bërë dëmi më i madh. Nëse njerzit në Kosovë e harrojnë, le ta harrojnë për të zezën e vet. SHIK-u nuk dërgoi e punësoi vetem njerëzit e vet të shërbimit direkt, por edhe në fusha e sektorë të tjerë të jetës në Kosovë si influencë shkuan punonjës e drejtues nga Shqipëria si komisarë, këshilltarë sekretë e legalë shefash, shefa gazetash e mediash etj etj.

Pushtetarëve partizanë të paslufts në Kosovë u interesonte të ndihmoheshin nga SHIK-u i Shqipërisë se kishin idhull Shqipërinë e Enver Hoxhës pas luftës partizane, duke shfrytëzuar dobësinë e dashurinë e njerëzve të Kosovës për Shqipërinë. Sepse lufta që kishte nisë sidomos në fundmars 1999 me ia marrë pushtetin Rugoves duhej çuar në fund dhe duhej fituar.

Me Rugovën, SHIK-ut i ka ndodhë kështu: Rugova mal i madh. SHIK-u përplaste kryet në këtë mal. Duke i ra malit me krye, iu rrit kryet SHIK-ut e iu bë sa një shinik. Por mali mbeti mal.

Asgjë nuk është e thënë dhe e vendosur përjetësisht sa i përket luftës së Kosovës. Nuk është luftë në kohën e Skënderbeut. Një ditë, sa të forcohet shteti i Kosovës, do të vritet frika e njerzve. Dhe njerzit kanë me dhënë dëshmi tronditëse. Jo të gjithë deshmitarët vriten apo vdesin. Njerëzit që shkruajnë e shpallin sot historinë e Kosovës, që emërojnë e gradojnë veteranë, që shesin tituj, grada e ndere, që blejnë vota në këtë mënyrë, që duan ta zhbëjnë luftën dhe qëndresën e UÇK-së, ta pordhosin, që gradojnë mutat, kanë me e vjellë veten. 

Përulja deri në neveri ndaj punonjësve të SHIK-ut të Shqipërisë, tregon se SHIK-u ende ka forcë në Kosovë, ende ka pengje në Kosovë, pengje pushtetarë, pengje të mëdhej, njerëz robër, skllevër.

Është e pështirë që kur flet e ngatërron në mënyrë cinike një SHIK-s i Shqipërisë në Kosovë, njerëzve atje u ndalet fryma. Trishtohem.

Kosova, përveç gjakut të dëshmorëve e martirëve të saj, përveç familjes shqiptare të Shqipërisë, përveç Amerikës e NATO-s, nuk i ka askujt boxh moral në këtë rruzull tokësor e aq më pak SHIK-ut. Zot na shpëto nga kjo frikë e njerzve ndaj SHIK-ut.

Nuk e di sa serioz, i ndershëm dhe i besueshëm mund të jetë një emision televiziv, sikur të kesh të ftuar Jezu Krishtin apo Muhametin, ku nuk dëgjohen dy këmborë...

Ndryshe, është sikur me ia dhanë një kallashnikov në dorë atij që zgjedh dhe fton në emision dhe i thua korri të vdekurit. Kështu po ndodh, po korrim të vdekur.

Se ai që ftohet dhe shpallet si më i dijshmi i spiunimit, dhe ai që fton të gjithdijshmit, harrojnë një urtësi të madhe: Kush ka vdekë e ka hy në dhe’, nuk bën më kuvend me ne! Të shash dhe të akuzosh të vdekurit, që nuk janë gjallë me u mbrojtë apo me dhënë versionin e tyre pas akuzave që u bëhen, kjo është shëmtia e padrejtësia më e madhe që ndodh nga shiksat, komitetsat, qeveritaret e qyqaret që kujtojnë se e kanë marrë pushtetin nga gryka e pushkës dhe nuk bëhen esëll të binden se lirinë e pushetin i kemi dhuratë nga Amerika dhe deshmorët tanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat