Pyetje për Ramën e Thaçin: Më mirë tre shtete në Ballkan apo një?

Opinione

Pyetje për Ramën e Thaçin: Më mirë tre shtete në Ballkan apo një?

Nga: Sulejman Mehazi Më: 27 prill 2017 Në ora: 13:26
Sulejman Mehazi

Të nderuar politikanë, Edi Rama dhe Hashim Thaçi, jo vetëm që na keni lodhur me politikëbërjen tuaj sterile e amorfe, po tani së fundit na keni ngjeshur edhe sëmundjen e kahmotshme të bashkimit kombëtar.

Pse na gënjeni, na nxitni kot së koti me këto pallavra deklaratash politike jo serioze e të parealizueshme. A njëmend e keni, a jo, ju s'jeni në gjendje t'i rregulloni shtetet tuaja, e ku kombin shqiptar. O zotërinj të dy shteteve shqiptare, ju lutemi, na leni rehat, ne nuk e dimë veten ku jemi, a se shihni se mendjet tona janë të tollovitura nga problemet e shumëta sociale, ekonomike, politike, psikofizike e mendore shpirtërore.

Ne jo vetëm që s'duam ta shohim njëri tjetrin, po jemi kërditur edhe nga vetvetja; vet familjet tona janë bërë pikë e pesë, e këta të dy  trupatletët e gjatë e me mendje të shkurtër duan të na bashkojnë. O ju me ato mendjet skizofrenike, mos ju duket  populli tufë delesh të buta për kullotje, a nuk shihni sa s'duhemi, hë, a s'vëreni se veprimet tuaja politike sa e kanë egërsuar popullin, ujqër, ujqër janë bërë, a mund ujqërit t'i bëni bashkë, keni ndëgjuar tufë ujqësh, jo.

Vëllai s'do ta shohë vëllain, djali s'do ta shohë babain e nënën, nusja s'do ta shohë vjehërrën e vjehërrin..., puna e ndërgjegjës e moralit ka ardhur deri në atë situatë bashkëshortore sa që shumica e tyre se durojnë njëri-tjetrin e flenë të ndarë, kurse këta dallaverexhinjtë politikanë kërkojnë bashkimin tonë kombëtar. Vdiq koha e bashkimit, është kohë moderne e ndarjes, prandaj, ju lutemi, na lejoni të jetojmë veç e veç në tre shtete: Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, për shkak se do të jemi më të fuqishëm e më të fortë ndaj armiqëve serb, grek e maqedonas.

T'ju pyesim juve Rama e Thaçi:

-A më mirë tre shtete shqiptare në Ballkan, apo një?

-A më mirë për ne është tri ushtri shqiptare të kemi, apo një?

-Tre parlamente, apo një, tri qeverisje shqiptare në Ballkanin e armiqësuar, apo një?

-Tre kufinj shtetërore shqiptare, tri diplomaci, apo një, e shumë pyetje...???

Zotërinj të dy shteteve udhëheqëse shqiptare, Edi Rama, Hashim Thaçi, 

 nuk e duam bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës që e propagandon me të madhe Serbia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat