Përse ia vlen të votosh PDIU-në?

Opinione

Përse ia vlen të votosh PDIU-në?

Nga: Arben Llalla Më: 31 maj 2017 Në ora: 11:31
Arben Llalla

PDIU është parti që njihet si grupacioni politik i çamëve, por në të vërtetë kjo parti përfaqëson Çështjet Kombëtare të pazgjidhura siç është Çështja Çame, atë të shqiptarëve në Preshevë, Maqedoni, Diasporë, e gjetkë. Pra, PDIU nuk i përket ideologjisë së majtë dhe të djathtë, por ideologjisë kombëtare, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, pra është përtej së majtës dhe të djathtës.

Shqiptarët kanë disa vite që u mungon partia politike e ideve kombëtare. Në fillim të viteve 1990 u besua se Partia Demokratike ishte partia që do përfaqësonte të djathtën, idetë kombëtare, por doli që ajo ishte një parti e ish-komunistëve, gjë që detyroi dy deputetë të saj, Petrit Kalakula dhe Abdi Baleta të shkëputeshin e të themelonin Partinë e Djathtë Demokratike, e cila nuk pati kurrfarë suksesi, ndaj u shpërbë shumë shpejtë. Më tej, grupacionet e djathta i besuan ideologjisë dhe propagandës së PR, e cila përveç fjalorit folklorik, asnjëherë nuk ngriti ndonjë Çështje Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë apo në arenën ndërkombëtare. Drejtuesit e republikanëve u mjaftuan vetëm me një copë kockë të pushtetit që i hidhte PS dhe PD. Partisë së Legalitetit dhe Ballit Kombëtar PD u kujdes që me intriga t’i zvogëlonte sa më shumë, duke e lënë prej vitesh të papërfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe Këshillin e Ministrave.

PDIU lindi si nevojë për një parti kombëtare, e cila do ngrinte zërin në Kuvendin e Shqipërisë, në qeverinë shqiptare, por edhe në arenën ndërkombëtare për Çështjen Çame, të shqiptarëve të Maqedonisë, Preshevës, Malit të Zi, Diasporës, e gjetkë. Kjo parti, e cila po rritet ndjeshëm, megjithëse sulmohet sa nga majta, sa nga e djathta, me goditje të pabesa pas shpine dhe nën brez, ia doli me ligjvënësit e saj të ngrejë Çështjen Çame në Bashkimin  Europian dhe t’i imponohet për herë të parë qeverisë shqiptare që ta ketë në agjendën e saj në bisedimet dypalëshe me Greqinë. Deputetët e kësaj partie nuk nguruan të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Preshevë, në Mal të Zi, por edhe në Diasporë.

Ligjvënësit e kësaj partie mbrojtën integritetin e familjes shqiptare duke mos i lënë mëtonjësit e martesës homeseksuale të fusnin mish dhie me rastin e reformës në drejtësi.

Ishte iniciativa e deputetëve të PDIU që u bëri të mundur me ligj Statutin e Naftëtarit.

Deputetët e PDIU-së do hapnin kurset e para të mësimit të gjuhës shqipe në Izmir, ku diaspora shqiptare atje do të kishte tashmë mësonjëtoren e saj, të cilën dikur shqiptarët e ikur që nga 1913, nga ish-Jugosllavia e Greqia të mundnin të mësonin gjuhën amtare që ajo mos të ishte për ta një Atdhe i humbur.

Hapësira shqiptare dhe Shqipëria kanë nevojë për një parti si PDIU, në programin e së cilës pikë kryesore është Çështja Shqiptare, ku interesi kombëtarë është mbi të gjitha, mbi interesat partiake dhe personale.

Prandaj, votuesit shqiptar që zemra dhe shpirti i rreh për shqiptarinë duhet të votojë më 25 qershor për PDIU. Kjo parti e meriton votëbesimin e atyre që mendojnë për zgjidhjen paqësore të Çështjes Çame, për të drejtat e barabarta të shqiptarëve në Maqedoni, Preshevë, Malin e Zi, për bashkimin kombëtar.

Shqiptarët do ia arrijnë kësaj, pasi të ngrenë lartë krenarinë kombëtare, ku nuk do jenë servila e vasalë të fqinjëve të afërt dhe të largët, kur nuk do e shohin Shqipërinë dhe shqiptarët si plaçkë tregtie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat