“Bota sot” n ’themele të pavarësisë

Opinione

“Bota sot” n ’themele të pavarësisë

Nga: Xhevat Rexhaj Më: 27 qershor 2017 Në ora: 00:56
Xhevat Rexhaj

Zakonisht kur datat e caktuara shënohen me aktivitete të ndryshme, është më se e natyrshme që edhe shkrimet, lavdet, komplimentet, kritikat, lëshimet e të tjera aspekte përcjellëse të jenë arsye për opinionistin. Kohët e lashta ishin periudha të vështira për shqiptarët e Kosovës, po mjerisht edhe për vet Shqipërinë në tranzicion, shqiptarët në troje tjera etnike të ndarë e të përqarë, informimi kudo i bllokuar, madje edhe vet në Shqipëri shqiptarët e jashtë Shqipërisë nuk kishin asnjë mjet informimi atje, ishte kohë terri edhe pse Shqipëria kishte kaluar në demokraci, por demokraci me thera që ia vendosnin njëri tjetrit vet shqiptarët atje. Kosova më ishte nën okupim klasik, mjetet e informimit të ndaluara nga pushtuesi serb, duhej guxim, dije dhe vendosmëri që dikush, dikund dhe me vullnet të madh të mendonte diç për një dritare informimi, dritare me karakter të them edhe kombëtar, ku pjesë lajmesh do të ishte edhe vet Shqipëria ngase siç e thashë më lartë atje ishte ende kaos, vitet e ‘90 të shekullit të kaluar. Po mu ato vite me urtësi, me mendjemprehtësi, dhe me ndjeshmëri kohe një shqiptarë nga Peja, kuptohet në këshillime me miq e njerëz të mendjes e penës kishin vendos të hapnin një dritare, të ngritnin një projekt, një projekt i cili jeton edhe sot, i cili ecë nëpër dalldisje kohe e uji shpesh të turbullt të shoqërisë shqiptare. Ky pejan qytetar Kosove me emrin Xhevdet Mazrekaj nisi një rrugë, hapi një shteg, krijoi një ekip, dhe kudo në vendet europiane e deri edhe në SHBA familjet shqiptare pasuruan mendjet e tyre me lexim shqip, me informim, me shkrime, me histori, me demokraci, me diplomaci, dhe shkurt me vënien e një guri të madh të krijimit të opinionit se Kosova ka njerëz të dijës, të kombit dhe të shtetndërtimit.

Viti 1995, 26 qershori shënoi një eveniment të madh historik, ngase për herë të parë doli një gazetë me plotëkuptim kombëtar, por edhe një ndihmë madhështore për popullin e Kosovës, e në veçanti edhe për institucionet e Republikës, në atë kohë në krye me Presidentin Rugova, për të qenë urë lidhëse në mes institucioneve dhe sidomos mërgimtarëve milionësh në perëndim.

Nuk do të ndalem më shumë rreth kontributit të jashtëzakonshëm që gazeta bëri në vet shtetëndërtimin e Kosovës, pra çlirimin dhe pavarësimin e shtetit, ngase këtë kontribut nuk ka mundësi ta mohoj askush, as disa media që gjatë luftës dhe pas luftës duke thithur donacione shpesh edhe të dyshimta, qëllim e patën dobësimin dhe besa krejt shkatërrimin e gazetës “Bota Sot”, mjerisht me përkrahje të bandave të dala nga lufta, me emra komandantësh kriminelë. Në këtë pisllëk mjerisht aso kohe kishin marrë pjesë edhe disa njerëz nga LDK-ja, disa të shantazhuar e pismileta që së bashku edhe me disa ish gazetarë e opinionista të viteve të ’90-ta, besa edhe intelektual që kishin mbajtur familjet e tyre me bukë fal punës në “Bota sot”, dhe si rezultat i poshtër i tyre “Bota Sot” edhe do të ndalohej në shtetin e Kosovës, e që për atë shtet e pavarësi disa gazetarë të “Bota Sot” u vranë, shumë nga ne u kërcënuam me vrasje e likuidime, por megjithatë editori dhe gazeta ende edhe sot e kësaj dite vazhdojnë me sukses punën. “Bota Sot” do të mbetet e shënuar në historinë e shtypit shqiptarë për mote, si gazeta më transparente, gazeta që mbajti veten me lexues, gazeta që nuk mori ndihma e donacione nga klane e grupe interesi bandash e majtiste europiane, jo, gazeta “Bota Sot” mbajti dhe mbanë edhe sot e gjithë ditën vetveten, ngase edhe sot është gazeta e vetme në mërgatë, që lexohet me interesim. Kjo gazetë është veçantia e shtypit shqiptarë, ngase kjo gazetë ishte dhe mbetet gazetë që ruajti me kujdes vlerat e kombit, vlerësoi dhe ruan Heronjtë e pavarësisë, ruan vet vizionin rugovistë. Po, dikush mund të thotë po ja se kjo gazetë nuk ishte e “pavarur”, do e demantoj ngase Presidenti Ibrahim Rugova ishte vet personalitet i pavarur, ose më qartë Rugova ishte vet pavarësia, dhe ishte emblemë e shqiptarisë e guri i pavarësisë. Po kjo gazetë kishte reporter si e vetmja gazetë në luftë frontale, në Koshare, pra kjo gazetë përkrahu gjithnjë çdo aspekt lufte për çlirimin e Kosovës. Gazeta “Bota Sot” ruajti dhe ruan kohezionin me kohën, vlerat e luftës që personifikohen me Fehmi Aganin, Adem Jasharin Familjen Jashari si emblemë lufte, Sali Çekajn, Agim Ramadanin, figurat si Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Smajl Hajdari, Tahir Zemaj, Ahmet Krasniqi, Shaban Manaj, Ekrem Rexha- Drini, Bardhyl Ajeti, Bekim Kastrati e Besim Dajaku e plotë figura kombi.

Historia do të vlerësoj se si dhe sa u sollën me shtetbërje gazetat në Kosovë, por një mbetet e sigurt gazeta “Bota Sot” ka piedestalin e një shtypi kohe, dy shekujsh apo gazeta në themelet e pavarësisë së Kosovës.

Urime 22 vjet ecje krenare “Bota Sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat