Amerika është e madhe në tokë, fuqi e ideale, se udhëheq kauzën e lirisë në botë

Opinione

Amerika është e madhe në tokë, fuqi e ideale, se udhëheq kauzën e lirisë në botë

Nga: Ramiz Lushaj Më: 4 korrik 2017 Në ora: 09:02
Ramiz Lushaj

1. Në hartën gjeopolitike të Botës, midis kaltërsisë të dy oqeaneve: Atlantik e Paqësor, në gjysmë-pjesën tjetër të hemisferës së Globit tokësor, në atë perëndim rrugëtim të përjetshëm e të përditshëm të Diellit hyjnor, shtrihet kontinenti i ri i Amerikës (së Veriut dhe të Jugut) me një hapësirë gjeografike prej 42 milionë km2 – pothuaj sa Azia apo katër herë më i madh se Europa, përndryshe: gati sa një e treta e sipërfaqës tokësore të Planetit tonë.

Kjo hemisferë perëndimore ka edhe një emër tjetër: “Hemisfera Amerikane”, e cila thuhet se u zbulua vonë, shumë vonë, në vitin 1492 nga detari famëmadh Kristofor Kolombi dhe, eci shpejt, shumë shpejt, veçanërisht nga epoka lavdiplote e Xhorxh Washingtonit deri tek kjo e sotmja e Donald Trump.
Para pesë shekujsh u cilësua “Bota e Re”, pa e ditur se do të vinte një kohë e artë që do t’i rinonte edhe të mplakurat kontinente të “Hemisferës Lindore”: Europë-Azi-Afrikë.

Amerika është larg, shumë larg, në atë rrugëperëndim të Diellit e, për ne Shqiptarët, ky fakt gjeo-historik përbën një fat të madh, tepër të madh.
Mendoni sa fatalitet do të ishte sikur Dielli të perëndonte në Beograd, Moskë... apo Athinë. Eh! Ah! Në të nesërmen e ditës tjetër do të na e kishin ndalë rrezatimin e tij. Oh! Nuk do ta linin të rrezatonte mbi Shqipëri e Shqiptari, në trojet tona etnike në Ballkan. Kjo për faktin e fatin e keq se deri këtu ka arritë gjatë shekujve caku i pacak i armiqësisë shovene të këtyre shteteve ndaj Nesh – ndaj popullit tonë pellazgo-iliro-dardan-arbnor me etnosin nga më të lashtët në Europë e në Botë.

Ndryshe, krejt ndryshe, ka ndodhur me Amerikën, me të Bekuaren Shtete të Bashkuara të Amerikës, që, jo vetëm nuk e kanë menduar ndonjëherë të na e ndalin Diellin e Galaktikës tonë, por historikisht na i kanë lëshuar edhe rrezet e Diellit të Vet si shteti më i fuqishëm e më demokratik i Botës.

Kjo ka ndodhur mrekullisht që nga 4 korriku 1776 kur Amerika nisi të bëhej Amerikë e deri më sot, në këtë Mijëvjeçarin e Tretë, kur Amerika u bë Amerikë, që kur Presidenti Amerikan Willson mbrojti interesat kombëtare shqiptare më 1919 e deri tek Presidenti Amerikan Klinton që i dha lirinë Kosovës më 1999, nga Presidenti Amerikan Linkoln që foli me 1853 për një ardhmëri të veçantë të Shqiptarëve në Ballkan e deri tek Presidenti Amerikan Xhorxh W. Bush, që më 10 qershor 2007 bëri një vizitë historike në Shqipëri dhe deri tek Presidenti i 45-të i ShBA, Donald Trump.
 
2.
Kontineti i ri Amerikan nga Poli i Veriut në atë të Jugut është madhështor, jo vetëm për shtrirjen e tij në gjysmën e Globit, për pozicionin gjeopolitik e strategjik në Botë, për laryshinë e klimave dhe të florës e faunës, për pasuritë e shumta mbi e nëntokësore, për praninë e njerëzve nga çdo vend i Planetit, për llojshmërinë e praninë e harmoninë e feve të ndryshme, për arritjet në shkencë e kulturë, për potencialin ekonomik e fuqinë ushtarake, por edhe për një fakt tjetër mbinatyror; i ka në hartën e tij edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo është një e vërtetë kaq e madhe saqë kur ne themi Amerika kemi nënkuptuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kur themi SHBA kemi nënkuptuar Amerikën.

Tokën dhe njerëzit i ka pasë në jetë e mote kontinenti Amerikan, por emrin e fuqinë, historinë në rritje e madhështinë në ecje, ia kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky kontinent i madh Amerikan, nga Veriu në Jug, nuk ka qënë dhe as nuk është koloni e SHBA, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qënë dhe mbeten kolona vertebrare më e fuqishme e tij.

Hemisfera Amerikane me gjigandin e saj SHBA i krijoi Globit drejtpëshimin fizik, politik, ushtarak, diplomatik, kulturor, ekonomik; i dha Botës lartësi të reja të zhvillimit demokratik e shoqëror; i solli njerëzimit një tjetër frymëmarrje morale e materiale.

Kontinenti i ri Amerikan, veçanërisht e kryesisht SHBA, u shfaq papritur në hapësirat e Globit dhe vitale e sfidante në rrjedhat e kohës, që kësaj Bote të mos i shterronin mundësitë e shanset, të mos i vyshkeshin energjitë e interesat dhe të mos i ndryshkeshin idealet e shpresat.
 
3.
Europianët rendën me revansh të shfrenuar drejt Amerikës së panjohur duke u sjellë atje me përvojën e vjetër të kolonizimit pa e mirëditur se në të nesërmën e afërt të historisë do të ishin pikërisht europianët që do t’i dhuronin Amerikës të famshmen Statujë e Lirisë dhe amerikanët do t’i dhuronin Europës Pallatin e Drejtësisë Paqësore në Hollandë - të njohur tashmë me emrin: Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

Europianët rendën të etur drejt Amerikës – kësaj “Toke të Re” për të marrë flori të çmuar e çuan skllevër të robëruar pa e mirëditur se më vonë do të vinin në këtë kontinent, në “Planetin Amerikë” të sfidave historike për të ngjitur shkallët e Pallatit të Qelqtë të OKB-së në Nju York për t’iu dhënë rrugëzgjidhje problemeve të tyre të Globit, do të vinin për të trokitur për fonde për vendet e tyre në dyert e Bankës Botërore e të Fondit Monetar Ndërkombëtar, do të vinin për të ngjitur shkallët e Organizatës Botërore të Tregtisë.

Europianët rendën të pandalur drejt Amerikës si kolonizatorë me shans e me shkop pa e mirëditur se më 4 korrik 1776 nga Filadelfia historike me të madhërishmen “Deklarata e Pavarësisë” do të rrezatonte “Revolucioni Amerikan”, që do të frymëzonte kudo popujt në luftëra kundër sundimit të tyre kolonial nga përtej Atlantikut e Paqësorit e deri përtej Mesdheut.
 
4.
Deshti Zoti dhe e mbajti të “fshehur” Amerikën e panjohur mbi Tokë, që ta zbulonte më vonë si befasi, ta ndërtonte si mrekulli dhe ta përballte me të ardhmen si sfidë të madhështisë së magjishme të tokës e të brezave.

Mbi të gjitha SHBA është superfuqi e Globit për idealet e saj demokratike, për angazhimet e suksesshme në Botë, për arritjet në të gjitha fushat më kryesore të shkencës, kultures e ekonomisë, për forcën ushtarake vitale e të padiskutueshme. Prandaj Xhorxh W. Bush në fjalimin e tij të parë inaugural si President i 43-të i SHBA deklaroi:“Para të gjitha kombeve ne do të flasim për vlerat që na dha kombi që na rriti” dhe “Nëse vendi ynë nuk udhëheq kauzën e Lirisë, ai nuk do të udhëhiqet”.

Për madhështinë e SHBA renditen shpjegime nga më të ndryshmet, ka analiza evidente nga më të shumtat dhe hulumtimet mbeten gjithënjë të hapura, por mbi gjithcka kjo madhështi më duket se është më shumë se njerëzore dhe më tepër se hyjnore.

Zoti e krijoi së parit Tokën dhe më pas Njeriun për ta transformuar e lartësuar Galaktikën tonë nga fundi i oqeaneve tek yjet e planetet; së dyti, Jezu Krishtin, Profet Muhametin… për t’i ekuilibruar e emancipuar njerëzit e kohërat dhe, së treti; Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i avancuar e përparuar Tokën, Kohën, Njeriun dhe Ardhmërinë e tyre.

Xhon Smith, themeluesi i kolonisë së Virxhinias (1607), më e para koloni angleze e qëndrueshme e SHBA, për aktin hyjnor të krijimit të Amerikës, ka lënë një thënie monumentale: “Dielli kurrë s’ish marrë vesh aq mirë me Tokën për t’i bërë vend Njeriut për të jetuar”.

E përjavshmja amerikane “Newes Week”, 26 vjet më parë, në një apel drejtuar Popullit Amerikan, profetizonte: “Qënien e Amerikës supërfuqi e ka përcaktuar Historia dhe nuk është pasojë e veprimeve që ka ndërmarrë Ajo”.
 
5.
Amerika është Kudo, pavarësisht se jo kudo është Amerikë, veçse Amerika nuk mund të imitohet realisht, por vetëm të vlerësohet botërisht.
Amerika është Amerikë, ndaj si e tillë duhet parë, ndjerë e kuptuar, për më tepër, është një vend që udhëheq dhe udhëhiqet. Eksporti më i madh nuk është vlera monetare e dollarit, as tregtia e mallrave të ndryshme, por Liria.

Amerika bëri Luftën, Paqen në Kosovë, i dha Pavarësinë e merituar, jo sepse ka interesa të veçanta strategjike, por se e ka dhe e ndjenë përgjegjësinë kolektive si vendi më i madh dhe më i lirë i Botës, sepse udhëheq duke u udhëhequr nga vlerat e larta të Lirisë, Demokracisë, Drejtësisë e Barazisë.
Në rast se Kosova nuk e fitonte Pavarësinë duhet kuptuar edhe kjo: Presidenti Bush e humbte Amerikën dhe, përndryshe: Amerika do humbte shumë, më shumë nga ç’mendohet e pritej, lidhur me rolin e saj udhëheqës në Botën e sotme. Kjo mund të ngjasë edhe nëse Shqipëria Natyrale do të mbetet e copëtuar në gjashtë shtete: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni (FYROM), Mali i Zi, Serbi e Greqi, nëse Tirana e Prishtina, Plavë-Gucia e Presheva, Mitrovica e Çamëria, Shkupi e Podgorica … nuk do të jenë një komb i vetëm shqiptar. Në jetë e mote historisë shqiptare të hershme e të nesërme do i jehojnë thirrja devizë: “Nanë Shqipëri, mos kie frikë /se kie djemtë në Amerikë”.

Bota ia kërkon sot rolin udhëheqës Amerikës, sepse don të udhëhiqet nga një vend si Amerika, ndaj Amerika e ka për detyrë të veçantë e kolektive për të mbrojtur Lirinë, Progresin e Pavarësinë në të gjithë Botën, siç po vepron aktualisht për Pavarësinë e Kosovës, siç po bën për demokracinë e ardhmërinë shqiptare në Ballkan.

Ne, Shqiptaria, me Amerikën, nuk kemi për bazë treguese e vlerësuese një tabelë aritmetike arritjesh të konvertuara në dollarë, ton apo kilometra, por një kod gjenetik e historik vlerash universale morale të miqësisë e mirënjohjes të provuara e lartësuara në shekuj, që nisin më 4 korrik 1776 dhe mbesin e ecin në memorien e gjakun e brezave të kombit tonë.

Amerika nuk është e madhe në rast se ka në imazh e realitet një Botë të vogël gjeopolitikisht në vlera demokratike e jetësore dhe Bota nuk është e vogël në dimensionet e saj universale kur ka një Amerikë kaq të madhe.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat