Heqin shqiponjën e vënë një qafë pate në flamurin e pavarësisë

Opinione

Heqin shqiponjën e vënë një qafë pate në flamurin e pavarësisë

Nga: Kolec Traboini Më: 12 korrik 2017 Në ora: 11:32
Kartolinë e vjetër shqiptare

Një flamur me shqiponjë qafëgjatë si qafë pate na e paska valëvitur në ballkon të Vlorës Plaku Ismail Qemali në 1912. Na paska mashtruar të gjithëve, madje ka mashtruar edhe ata që e kanë parë dhe prekur me dorë atë flamur. Magji u paska bërë Plaku i madh i Vlorës. Nuk i paskan pas sytë në ballë Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Dom Nikollë Kaçorri apo dhe Lef Nosi. Kësisoj si në një lojë kungulleshash, sa të ketë në Tiranë televizione e gazeta, historia ndryshon more tungjatjeta.

Por ky nuk është zbulim por spekulim kokë e këmbë. Megjithëse nuk ka as kokë e as këmbë ky studim i thellë në pus të cekët, por ka veç bisht. Bisht si i dhelprës ardhur ndoshta nga qymezet e fqinjëve ballkanikë, se ata e duan Shqipërinë pa histori. E duan gjithçka të dyshimtë e pa taban. Siç patën shkruar dikur në gazetat e tyre fqinjët ballkanikë, se shqiptarët janë njerëz të egër, janë njerëz me bisht, por ua dha përgjigjen At Gjergj Fishta në një konferencë ndërkombëtare. Le ta lexojmë me vemëndje këtë histori jo vetëm për të qeshur, por edhe për të menduar se në çfarë bataku na duan oreks-mëdhenjtë ballkanas për trojet shqiptare, e gjithashtu si duhet t’ua tregojmë vendin që u takon atyre që na e shtrembërojnë historinë me një të rënë të lapsit.

Rrinte në këmbë Fishta ynë i madh.

I tha kryetari që hapte konferencën

 “Ulu Atë!”

Po Fishta ngulmoi të mos ulej duke kërkuar një karrige tjetër me vrimë.

“Po pse e do me vrimë?”- i thanë.

 “Të vë bishtin!”- ua ktheu.

Aty ishte dhe shkrimtari serb që kishte shpifur për shqiptarët dhe gjithë salla qeshi me atë shkrimtar shovinist.

Tani erdhi koha të qeshim edhe ne me një skicë të një grafisti të panjohur në vitin 1912, e bërë me nxitim në ndonjë kafene të Vjenës për ndonjë honorar, që sipas një “zbulueseje”, ndryshoka realitetin shqiptar të 28 nëntorit 1912 pas një shekulli e kusur. Kështu tregohen përralla në shtypin shqiptar. Dhe  meseleja e përrallës për flamurin me qafë pate gjen jehonë marramendëse në të gjitha televizionet ordinere që nuk kanë as minimumin e njohurive historike apo të kulturës kombëtare. Dhe historianët profesionistë që marrin rrogat nga paratë e popullit, nëpërmjet taksave qeveritare, heshtin si mumje egjiptiane. Pse të prishin qejf ata. Rrogat i kanë të majme, vetë janë si gica, dhe asnjë njeri në pushtet nuk u kërkon llogari sikur të mos ketë qeverisje në këtë vend. Por piramida e mumjeve është vetë Akademia e Shkencave në Tiranë, që hesht dhe ajo si një varrezë.

Ndoshta dikush ua paguan edhe heshtjen.

Por le të tregojmë diçka për flamurët, por edhe për zbulim-shpifjen për portretin “Motra Tone” që nuk na qenka vepër e Kol Idromenos, por e memurëve të qorollepsjes që nuk dinë çfarë të bëjnë e lozin derën.

Në Vjenë është punuar edhe Flamuri i Deçiqit,  një vit më parë se të botohej ajo grafikë ilustruese në Vjenë, që i turbulloi mendjen “zbulueses” si në librat me përralla për fëmijë, pra në mars 1911. Flamuri i Deçiqit është i fotografuar nga Kel Marubi në verë të vitit 1911, se ndryshe edhe këtë si qafë pate apo si sorrë do të na e përshkruanin zbuluesit e shekullit 21. Por shqiponja në flamurin e Deçiqit nuk është një shpend qafëgjatë. Nga kjo del se qarqet në Vjenë e dinin modelin e flamurit shqiptar, por ai grafisti i gazetës ka punuar kuturu në atë model flamuri të stilizuar dhe tani e mbështet si një realitet i padyshimtë dhe kjo studiuesja jonë në një shkrim që nuk ka të bëjë në asnjë drejtim me argumente apo fakte historike. Dhe këtë skicë që e quajnë zbulim epokal në mediat mediokre të Tiranës, e kemi parë me qindra herë në mediat sociale via internet. Madje këtu e shumë vite me parë se kjo studiuesja që e zbulon në facebook të na e servirte. Por ne kemi thënë se ai që e ka bërë, ka stilizuar se nuk e ka pasur të qartë se cili është flamuri i shqiptarëve. Kështu mosdija kthehet në "dije" prej mjerimit kulturor bashkëkohor.

Po ju përcjellim në vëmendje një flamur shqiptar i dizenjuar dhe shpërndarë nga Parisi nga Alardo Kastrioti që në vitin 1902, që e konsideronte veten pasardhës të Gjergj Kastriotit. Dy flamurë të tillë dhuratë nga Alardo Kastrioti, siç paraqitet në këtë kartolinë të vjetër të asaj kohe, i ka sjellë fshehurazi nga Parisi në Shkodër Dom Ndoc Nikaj në vitin 1902. Edhe Flamurin e Deçiqit po Alardo Kastrioti e ka paguar. Prandaj këto hamendësime që në Vlorë është shpalosur një flamur tjetërsoj me shqiponjën si portretet e femrave qafëgjata të Pikasos, pra qafë pate, janë sa të pavërteta po aq dhe groteske.

Çfarë nuk ndodh në këtë konfuzion total në shoqërinë shqiptare ku dëshira e shkatërrimit qenka më zotëruese se ajo e ndërtimit. Hidh një i paditur një gurë në ujë dhe shfaqet zbulimi i shekullit ndër shqiptarë të paditur.

Jo pak ditë më parë kështu e hodhi një gur në ujë të turbulluar edhe një restaurator veprash të kishave mesjetare, kur tha se Kol Idromeno nuk e ka pikturuar Motrën Tone. Dhe ngul këmbë si mushka ne shtyp e intervista të fryra kacek, duke mos sjellë asnjë argument shkencor. Të tillë mohues të vlerave kombëtare nuk ja ndjejnë aspak nevojën arsyetimit, por as dhe fakteve. Mjafton zhagitja  në idenë e ngulitur se ata e vetëm ata kanë të drejtë.

O Tempera o Mores! E dimë nga kemi ardhur, por nuk po e dimë nga po shkojmë me këto pasione mohuese. Mbase e bëjnë se, të pazot të ndërtojnë, duan të bëhen të famshëm e të ngelën në histori duke mohuar e shkatërruar si Neroni. 

Etja për lavdi është në zenit në tymnajat e Tiranës. Shpifjet e denigrimet në këtë kohë janë në mode. Kohë të marrësh!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat