Gazeta “Rilindja” si dëshmitare e historisë: Si i përdhoste ngjarjet më të ndritshme të popullit shqiptar “historiani” Hakif Bajrami?!

Opinione

Gazeta “Rilindja” si dëshmitare e historisë: Si i përdhoste ngjarjet më të ndritshme të popullit shqiptar “historiani” Hakif Bajrami?!

Nga: Shkodran Imeraj Më: 29 korrik 2017 Në ora: 20:30
Shkodran Imeraj

E përditshmja “Rilindja” për gati pesë decenie me radhë ishte “fabrika” më e madhe e shqiptarëve në ish-Jugosllavi në fushë të kulturës dhe të rrjedhave shoqërore e politike. Përveç informimit si destinim kryesor, në faqet e “Rilindjes” mësohej shkrim-leximi, letërsia dhe shkenca; ajo ndikoi fuqishëm në emancipimin e femrës shqiptare dhe në integrimin e shqiptarëve në rrafshin shpirtëror në ish-shtetin. “Rilindja” mbetet dëshmi e zhvillimit shoqëroro-kulturor të gjysmës së kombit shqiptar dhe të ballafaqimit të tij me sfida të ndryshme deri te aktivitetet gjenocidale të regjimit serbo-jugosllav ndaj shqiptarëve. Por “Rilindja”, për të cilën edhe sot e gjithë ditën breze të tëra me të drejtë ndjejnë nostalgji, është edhe dëshmi e sjelljeve amorale të shumë personaliteteve të djeshme dhe të sotme. “Patriotët” e sotëm, në kohë të rënda për shqiptarët, pa i detyruar askush, faqet e “Rilindjes”, i kishin përdorur edhe për përdhosjen e ngjarjeve dhe të personaliteteve më të ndritshme të popullit shqiptar, duke përfshirë edhe demonstratat e shqiptarëve  të vitit 1981, si një kaptinë shumë domethënëse e historisë sonë që po rrjedh.

Duke i shfletuar faqet e “Rilindjes” të viteve të 50-ta, të 60-ta, të 70-ta dhe sidomos të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar, njeriu hasë në shkrime që të tmerrojnë, ku nuk janë gjithmonë fajtore redaksitë e saj të kohës, por pikërisht karakteret e ndyra të gazetarëve, të aktivistëve politikë dhe veçanërisht të atyre që e mbajnë veten për shkencëtarë dhe krijues në sferën e shkencës, letërsisë e të kulturës në përgjithësi. Një ditë, duke shfletuar “Rilindjen” e viteve të 80-ta,  në vargun e shumë teksteve, me dt 22 qershor 1985, në kohën kur shteti partiak e policor ua brente zorrët shqiptarëve, gjeta një tekst të “historianit erudit” Hakif Bajrami, që të bënte ta rrokësh malin.  Ndonëse është humbje kohe të merresh me kontraverzat, gnjeshtrat dhe halucinacionet e Hakif Bajramit, me nëpërkëmbjen e historisë nga ai, megjithatë teksti i mëposhtëm, si fjalë e tij në tubimin “shkencor” “Lufta kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”, është ilustrativ për shumëçka dhe shumëkënd.

Ja çka tha, sipas raportimit të “Rilindjes”, doktori i shkencave historike, Hakif Bajrami: “Hakif Bajrami  foli për aktivitetin kundërrevolucionar të organizatave politike shqiptare që bashkëpunonin me okupatorin prej vitit 1941-1945 me qëllim që të sqarojë sado kudo esencën dhe rrënjët historike të nacionalizmit shqiptar. Historikisht dihet se Komiteti i Kosovës u formua në vitin 1918 dhe si i tillë me një program të rrejshëm demokratik veproi deri në vitin 1941. Lidhja Popullore Shqiptare u formua në Mitrovicë në vitin 1941 dhe veproi legalisht deri në vitin 1944. Këto dy organizata, duke bashkëpunuar me qarqet më reaksionare dhe me çetat çetnike, angazhoheshin për të mbjellë vetëvrasje e urrejtje nacionale veçmas ndaj popullit serb.

Organizatë tjetër kundërrevolucionare ishte e ashtuquajtura Lidhja e Dytë e Prizrenit. Disa janë të disponuar që kësaj organizate t’ia gjejnë rrënjët në Lidhjen e Prizrenit të shekullit XIX. Kongresi Themelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me diskutimet e veta, karakterizohej me plot shovinizëm dhe violencë kundër popullit vëlla serb, malazias dhe kundër popujve të tjerë. Kjo organizatë i ka mbajtur katër kongrese dhe në saje të veprimtarisë së saj mund të quhet, me plot kuptimin e fjalës, propaganduese fashiste. Derisa këto qarqe reaksionare fashiste kishin një komoditet deri në fund të vitit 1944, në fillim të vitit 1945 shihen refleksionet e Ballit Kombëtar edhe në Kosovë. Më 29 nëntor 1944 u formua e ashtuquajtura Lidhja Kombëtare e Maleve, që kishte për qëllim të përlyejë tërë historinë kombëtare të popullit shqiptar. Më 27 shkurt 1945 formohet i ashtuquajturi Komiteti Demokratik i Shqiptarëve për të vazhduar luftën guerile dhe për të shkaktuar konflikte ndërnacionale.

Të gjitha dimensionet shoviniste dhe nacionaliste të këtyre organizatave kundërrevolucionare e profashiste mund të shihen edhe në dimensionin aktual, kuptohet në dimensionin antinacional që ka shovinizmi dhe nacionalizmi, në dimensionin klasor borgjez që udhëheqin këto organizata profashiste dhe reaksionare, në dimensionin ekonomik e kulturor dhe në planin kundërrevolucionar në skenën e jashtme dhe të brendshme, tha Hakif Bajrami” (“Rilindja”, 22. VI.1985, f. 5).

Kryeideator i tubimit të përmendur ishte Vukashin Jokanoviqi, serbi më famkeq i Kosovës që e mbajnë në mend shqiptarët, i cili si kryetar i Kuvendit të KSA të Kosovës organizoi mbledhjen e 22 marsit 1989, kur me polici e ushtri u suprimua autonomia e Kosovës dhe Serbia definitivisht e gjunjëzoi Kosovën. Hakif Bajrami, si “bir i devotshëm” i kryekriminelit Ali Shukriu, ishte ndër ata shqiptarë që kishte marrë detyra të posaçme nga Jokanoviqi, Shukriu e të tjerë për ta shkatërruar edhe autonominë e Kosovës. Ata e ledhatonin kasten e Bajramit për merita speciale në luftën kundër “nacionalizmit shqiptar” dhe arsyetimin e dëshmive të rrejshme kundër figurave të shquara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në këtë mision të turpshëm e ndihmonin pa kursyer politika millosheviqiane. Për merita të posaçme ky do të shpërblehet më çmimin më të lartë të Serbisë “7 Korriku”! Ai si të gjithë shqiptarët tjerë “të ndershëm”, që e morën këtë çmim, deri më sot nuk e kthyen! Ndërsa ky dhe disa “profet” të patriotizmit shqiptarë post festum po shesin dushk për gogla ne Kosovën e molisur nga djallëzitë e hipokritëve dhe fallsifikatorëvë të historisë.

Lexues të nderuar, atdhetarë dhe prijës të organizatave nacionaliste, komandantë të vërtetë të UÇK-së dhe eprorë të TMK-së, FSK-së e të Akademisë së Mbrojtjes, ku mbante nasihate për historinë kombëtare dhe shqiptarizmën Hakif Bajrami, një matrapaz i historisë -, ishte ky vetëm një fragment nga referati i tij, të mbajtur në “tubimin shkencor” kundër “nacionalizmit shqiptar”, pra kundër shqiptarëve. Në vitet e 80-ta tubimet e tilla ishin shumë të shpeshta dhe kishin për qëllim shkatërrimin e çdo gjëje që ishte shqiptare, ndërsa H. Bajrami ishte gjithnjë në radhët e para dhe më i zëshmi kundër “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”! Derisa trabandi i historisë, Hakif Bajrami, para çlirimit  i denoncoi aq rëndë organizatat kombëtare të cilat luftuan një shekull e më tepër pikërisht për Shqipërinë në kufijtë etnikë, duke i quajtur synimet e tyre reaksionare, shoviniste, fashiste etj. Ndërkaq,po ky H. Bajrami, pas çlirimit (1999) kërkonte që kufiri etnik shqiptar të shtrihej deri te “Molla e Kuqe”! Sipas deklarimeve të tij publike, “intelektuali i madh” Bajrami, sot po “i shkundë” veprat e Frojdit dhe të Hegelit!

Se për çfarë karakteri është fjala, lexues të nderuar, përfundimin nxirren vetë.

Është mirë që gjeneratat e reja ta kuptojnë të vërtetën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat