Mangësi apo shtesa tek neni 7 i Ligjit për dekorimet, titujt e medaljet në Shqipëri

Opinione

Mangësi apo shtesa tek neni 7 i Ligjit për dekorimet, titujt e medaljet në Shqipëri

Nga: Ramiz Lushaj Më: 2 gusht 2017 Në ora: 09:21
Ramiz Lushaj

Shqipëria me ligjet e saj të Tranzicionit për dekoratat, titujt e medaljet e ka rrudhur numrin e tyre deri në 14 të tilla, që po i  rendojmë sipas randësisë së tyre: “Dekorata e Flamurit Kombëtar”, Dekorata “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, Dekorata “Nderi i Kombit”, Dekorata “Nënë Tereza”, “Dekorata e Artë e Shqiponjës”, Dekorata “Pishtari i Demokracisë”, Titulli “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Titulli “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, Titulli “Martiri i Demokracisë”, Titulli “Mjeshtër i Madh”, Titulli “Naim Frashëri” i Artë, Titulli “Për Merita të Veçanta Civile”, Medalja “Për Shërbime Ushtarake” e “Medalja e Mirënjohjes”.

Ndërkohë, shteti tjetër shqiptar në Ballkan, Kosova me Pavarësi të shpallur më 17 shkurt 2008 e të njohur ndërkombëtarisht nga 114 shtete të botës, ndan 24 tituj e dekorata presidenciale, pothuaj sa dyfishi i Shqipërisë. Ndërkohë, Kosova ka sipërfaqe e popullsi deri në dyfish ma të vogël se Shqipëria. Gjithashtu, ka shtete të tjera në Ballkan e në Europë që kanë deri në 55 tituj, dekorata e çmime presidenciale.

Qartësisht, të kuptohemi: numri i madh i titujve dhe dekoratave ka të bajnë me një ndarje ma të mirë të tyre sipas kontributeve e meritave të gjithsecilit që i merr ato, qoftë shtetas shqiptar apo i huaj, institucione e organizma shqiptare apo ndërkombëtare.

Pikërisht edhe nga ky fakt mangësie në tituj ka ndodh shpesh që Presidentët e Shqipërisë të mos e japin dekoratën e duhur për njeriun e duhur, etj. si në rastin kur dekoruan me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë të Poetit tonë Kombëtar, dy juristë të njohur si Presidenti Moisiu kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, si dhe Presidenti Topi kryetaren e ILDKP, Fatmira Laskaj, të cilët ishin dy nga tre antarët e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë që më 1988 firmosën për varje në litar të poetit Havzi Nela, i fundit disident politik që varej në litar në krejt Europën Lindore e Qëndrore. Bie fjala, a mund t’iu jepej një dekoratë tjetër apo, pse jo, Shqipëria të ketë edhe një Urdhër i ri “Justiniani i Madh”i Artë, pasi Kodi i tij është në themele juridike të Europës kontinentale e ishullore të derisotme.

Prapë, shembullin na e jep edhe Kosova shqiptare, e cila ndan tituj, medalje e çmime në disa fusha të jetës si: Medalja Presidenciale e Meritave, Medalja e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm–Dr. Ibrahim Rugova, Çmimi Presidencial për Studiues, Çmimi Presidencial “E” për Shërbimet e Eksportit, Çmimi Presidencial për Suksese në Prodhim dhe Biznes, Çmimi Presidencial për Inovime, Kërkime dhe Zhvillim, Çmimi Presidencial për Siguri, Çmimi Presidencial për Cilësi dhe Aftësi të Menaxhimit, Çmimi i Presidentit për Meritat e Ambientit, Trofeu i Presidentit, etj. Të gjitha këto, në Kosovë, renditen poshtë numrit 14 të titujve, dekoratave e çmimeve presidenciale. Natyrisht, këto nuk mund të jepen njejtësisht si në Kosovë edhe në Shqipëri, por kjo tregon se ka vend për reflektime, për ndryshime në ligjin shqiptar për titujt, dekoratat e çmimet në Shqipëri.
 
Presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitet e Tranzicionit e të Demokracisë ndan sot shumë ma pak tituj, dekorata e medalje se sa ndante Presidenti i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në vitet e komunizmit. Natyrisht, nuk ia lypim askujt të jenë të gjitha ato dekorata të së djeshmes, por nuk e shohim me vend e rend që t’i heqim disa prej tyre, të cilat përbajnë interes shoqëror e kombëtar edhe në ditë të sodit. Fjala vjen, në komunizëm ishte Titulli “Nënë Heroinë” apo Urdhri “Lavdi Nënës” (i Klasit I, II, III), “Medalja e Nënës”( e Artë, e Bronztë, e Argjendtë), të cilat ndihet më se se e nevojshme të jenë edhe sot. Ndoshta jo të njëjtat, por me një funksion e emërtesë të përafërt. Kjo, pasi numri i meshkujve e i femrave pothuajse është i barabartë në Shqipëri. INSTAT, sipas rregjistrimit të popullsisë në vitin 2011, dokumenton se rezidentë në Shqipëri janë 50.2 për qind meshkuj dhe 49.8 për qind femra. Gjithashtu, në vitet e demokracisë, në mbi një çerek shekulli, shohim se numri i femrave shqiptare të dekoruara është i ulët, disa herë ma i ulët se ai i meshkujve shqiptarë.
 
Të gjitha këto sa i fjalathashë e shumçka tjetër ngrejnë një çështje për zgjidhje: duhet rishikuar mangësitë e me bá shtesa tek Neni 7 i Ligjit nr. 112/2013 “Për dekoratat, tituj të nderit, medaljet dhe titujt vendor të nderit në Republikën e Shqipërisë (Ndryshuar me Ligjin nr. 10/2015, datë 19.02.2015). Ndoshta, Presidenti i ri Ilir Meta e kryen një akt të tillë, të jetë një  nga dekretet e para të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat